Zbardhet dosja e plotë e Prokurorisë, e cila kërkoi arrestimin e 4 personave për vrasjen e teknikut të kondicionerëve 26-vjeçarit, Indrit Çelaj.
Në dosje, organi i akuzës sqaron se, më datë 22.08.2019, rreth orës 12:30, në sallën operative të Policisë së Tiranës, është njoftuar se në rrugën “Muhamet Gjollesha”, te banesa e shtetasit Bujar Shaqir Kusi, është qëlluar në kokë me armë zjarri shtetasi Indrit Çelaj, i cili ishte dërguar në Spitalin Ushtarak Tiranë, në gjendje të rëndë shëndetësore. Viktima ka gjetur vdekjen në orët e para të ditës së nesërme, më 23.08.2019 në ambientet e spitalit.
“Nga veprimet e para hetimore doli se, shtetasit Ferdinand Bakalli, Bujar Kusi, Ali Sula dhe Luan Çaka nuk kanë dhënë deklarime në përputhje me të vërtetën. Kjo është vërtetuar me pamje filmike që nuk lënë vend për dyshime”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
DËSHMITË E PLOTA TË PERSONAVE TË PËRFSHIRË NË NGJARJE DHE TË DËSHMITARËVE
BUJAR KUSI
I është marrë deklarimi shtetasit Bujar Kusi, si person që ka dijeni për rrethanat e objektit të hetimit, pronar i banesës, i cili ndër të tjera ka deklaruar se: “Sot më datën 22 gusht, në orën 07:00 të mëngjesit, kam shkuar në Kombinat te dyqani im, i cili ndodhet në qendër të Kombinatit, është byrektore. Aty kam qëndruar deri në orën 12:30. Rreth orës 11:00 më ka marrë në telefon djali im, shtetasi Griseldo Kusi dhe më ka kërkuar shumën e parave prej 50 mijë lekësh të rinj. Unë e kam pyetur se për çfarë i duhen dhe ai më ka thënë se do të dalë ai dhe vëllai, Albano, me dy shoqe. Unë më pas shkova dhe tërhoqa shumën e parave që më kërkoi djali te banka. Kam edhe faturën e bankës në banesë dhe këtë shumë parash ua kam dhënë dy djemve. Më pas, shkova në banesën time, të cilën e sqarova më lart. Ndërkohë që kam qenë në banesë, dikush i Policisë më ka telefonuar dhe më ka thënë se duhet të paraqitesh tek objekti, i cili ndodhet në rrugën “Muhamet Gjollesha” , banesë private 3-katëshe, prapa shkollës “Sabaudin Gabrani”, ku unë jam pronar dhe kam qenë duke rregulluar tubat e kondicionimit të kësaj banese. Jam paraqitur te banesa ime dhe aty mësova se çfarë kishte ndodhur. Rreth orës 13:55, ndërkohë që kam qenë në objekt në prani të punonjësve të Policisë, kam marrë në telefon shtetasin Mond Sula dhe i kam thënë se kush janë punëtorët e kondicionimit që më ka sjellë. Mondi më ka thënë se paska bërë sherr Lorenc Veliaj me këtë punëtorin e kondicionerit dhe Lorenci e paska qëlluar me armë zjarri punëtorin, të cilin me emër nuk e njoh, por mësova se ishte në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Ushtarak. Të dy djemtë e mi, Albano dhe Griseldo, në dijeninë time ndodheshin në plazh, te Gjiri i Lalëzit, në Durrës, me dy shoqet e tyre, të cilat nuk i njoh”.
ALI SULA
I është marrë deklarim shtetasit Ali Sula, i cili ndër të tjera ka deklaruar se: “Unë njihem edhe me emrin Mondi Sula. Kam njohje personale me shtetasin Bujar Kusi, të cilin e kam takuar para rreth dy muajsh në lagje dhe më ka thënë se do të bëjë ca punime kondicionimi te banesa 3-katëshe, e cila ndodhet në rrugën “Muhamet Gjollesha”, afër shkollës “Sabaudin Gabrani”. Unë i kam thënë Bujarit se njoh një shok, i cili bën punime të tilla dhe është shtetasi Alfred Çaka. E kam takuar Alfredin para rreth dy muajsh dhe i kam treguar për punimet që do të bënte Bujari te banesa e tij. Alfredi ka rënë dakord që ta shohë banesën dhe të bëj pazarin me pronarin e banesës, shtetasin Bujar Kusi. Alfredi kishte filluar punimet te banesa e Bujarit. Unë gjatë kësaj kohe kam pasur telefonata me Alfred Çakën dhe e kam pyetur si po shkojnë punimet dhe ai më thoshte se punimet po shkonin mirë e se ishin drejt përfundimit. Më datë 22 gusht, rreth orës 11:30, më ka marrë në telefon Alfredi dhe më ka thënë se janë ngatërruar te puna e tij. E kam pyetur se kush ishte ngatërruar dhe ai më ka thënë se nuk dinte gjë. Më ka thënë që të shkoja te puna dhe të shihja çfarë kishte ndodhur. Unë shkova te lokali me emrin ‘V…’, që ndodhet ngjitur me banesën e Bujarit dhe aty nuk kishte asnjë njeri. Jam afruar tek objekti dhe nuk kam parë asnjë njeri. Dola në rrugën kryesore, përsëri nuk kam parë njeri. Jam kthyer përsëri afër banesës dhe kam dëgjuar disa qytetarë, që unë mendoj se janë banorë të lagjes, duke thënë se punëtori ka bërë sherr me Lencin. Lenci është një djalë i lagjes, i cili banon në atë lagje dhe e njoh si fizik, si fytyrë dhe më pas jam larguar e shkova në banesën time në Bërxullë. Rreth orës 14:17, ndërkohë që unë kam qenë tek Ura e Limuthit, më ka marrë në telefon Bujar Kusi dhe më ka pyetur se çfarë kishte ndodhur te banesa e tij dhe kush ishte punëtori që ishte ngatërruar aty. Unë i kam thënë: ‘O vëlla nuk di gjë kush është punëtori, po dëgjova që është ngatërruar me Lencin’. Më pas, më ka marrë në telefon dikush nga Policia dhe më ka thënë se do të paraqitesh në Drejtorinë e Tiranës. Pas kësaj unë e mora në telefon shtetasin Alfred Çaka dhe i kam thënë se do të shkojmë të dy në Drejtorinë e Policisë Tiranë, pasi na kërkojnë, dhe kështu kemi vepruar. Të dy jemi paraqitur në Drejtorinë e Policisë. Dua të sqaroj se Alfredin e kam pyetur rrugës se kush janë punëtorët që janë zënë aty, ai më ka thënë se është një djalë me emrin Indrit, që e kishte marrë në punë para katër ditësh”.
LUAN ÇAKA
I është marrë deklarim shtetasit Luan Çaka, i cili ndër të tjera ka deklasuar se: “Sot kam qenë te banesa ku ka ndodhur ngjarja dhe aty kam gjetur tre punëtorët e gipsit. Pas pak kanë ardhur edhe 2 elektricistë. Unë së bashku me Indritin kemi punuar në katin e parë. Pas rreth dy orësh, Indriti më ka thënë që të shkoja të blija cigare, një pije energjike dhe dy çokollata. Unë dola dhe jam kthyer pas rreth 15 minutash. Kur jam kthyer, pashë që dera kryesore e banesës ishte e mbyllur dhe aty ndodheshin të pestë punëtorët, të cilët nuk më kanë lejuar që të futem në banesë. U kam kërkuar shpjegime dhe nuk më kanë dhënë. Më pas jam larguar te makina ime. Derisa unë kam qenë në objekt, nuk ka pasur ndonjë problem”.
FERDINAND BAKALLI
I është marrë deklarim shtetasit Ferdinand Bakalli, i cili ndër të tjera ka deklaruar se: “Më 22 gusht, rreth orës 11:19, sapo kam dalë nga një lokal, pasi isha duke pirë kafe së bashku me pronarin e lokalit, shtetasin Edmond Bakiasi dhe kur kam mbërritur afër një objekti që ishte duke u rikonstruktuar (ishte një ambient lokal me xhama), kam dëgjuar disa zhurma, ulërima. Menjëherë pas këtij momenti, jam afruar te ky objekt dhe aty kam takuar një person, i cili ishte duke ulëritur me zë të lartë. Pasi e kam pyetur se çfarë kishte ndodhur, ky person më është prezantuar se ishte vëllai i një personi që ishte i plagosur. Kam hyrë brenda objektit ku kam vënë re një person që ishte në gjendje të rëndë për jetën dhe ishte i shtrirë në dysheme. Në momentin kur e kam parë unë, ai ishte i shtrirë përmbys dhe në pjesën e kokës po i rridhte gjak. Ky person i dëmtuar ishte i vetëm dhe pranë tij nuk kam parë asnjë person tjetër që t’i jepte ndihmë apo të ishte prezent. Menjëherë pas kësaj situate kam dalë jashtë ambientit dhe rreth orës 11:19, kam marrë ambulancën në telefon në numrin 127, duke i kërkuar që të vinte urgjent pasi një person ka rënë nga skela gjatë punës dhe njëkohësisht kam dalë në rrugë që të orientoja ambulancën për ta dërguar këtë person të plagosur në spital. Pas rreth 5 minutash ka mbërritur ambulanca dhe së bashku me stafin mjekësor, që ishin 3 punonjës, kemi marrë personin e plagosur dhe e kemi futur ne ambulancë ku e kanë dërguar në spital. Unë këtë ngjarje e kam dëgjuar vetëm gjatë kohës kur kam qenë duke kaluar nga lokali drejt rrugës ‘Myslym Shyri’. Gjatë kësaj kohe, para një lokali që ishte duke u rikonstruktuar, kam parë disa persona, por që nuk kam njohur asnjërin prej tyre. Jam afruar, dhe njëri prej tyre që ishte duke ulëritur me zë të lartë më tha se ishte vëllai i personit të dëmtuar. Unë e kam pyetur se çfarë kishte ndodhur dhe ai më është përgjigjur se ka rënë nga skela. Dua të sqaroj se personi që unë kontaktova ishte shumë i trembur, i stresuar dhe fliste përçart. Nuk kam dijeni të ndonjë konflikti”.
LORENC VELIAJ
I është marrë deklarim shtetasit Lorenc Veliaj, i cili ndër të tjera deklaron se: “Unë aktualisht jam në kërkim për një ngjarje në Komisariatin e Policisë nr. 4, Tiranë, pasi Gjykata e Tiranës, më ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest me burg’. Që prej asaj date, unë u jam fshehur organeve të drejtësisë, duke qëndruar në pronën (ish-piceri) e shtetasit Ali (Edmond) Sula, në Bërxullë, Tiranë. Unë, më 22 gusht, kam qenë në pronën e Ali Sulës dhe rreth orës 11:40 aty ka ardhur shtetasi Griseldo Kusi, të cilin e njoh pasi kemi qenë në burg me vëllain e tij, Alban Kusi dhe prej asaj kohe kemi vazhduar shoqërinë. Griseldo ka ardhur i vetëm dhe më ka takuar, ku gjatë takimit më ka treguar se kishte ardhur pasi kishte një hall, për të cilin unë mund ta ndihmoja. Kështu më ka treguar se te vila e tij 3-katëshe, e cila ndodhet në afërsi të shkollës ‘Sabaudin Gabrani’, ai (Griseldi) kishte qëlluar me qytën e pistoletës një person, të cilit nuk ia dinte emrin, por më ka treguar se ishte punëtori i tij, i cili po montonte kondicionerët. Më pas, Griseldo më ka shpjeguar se personin e kishin dërguar në spital pasi ishte çarë në kokë. Po kështu, Griseldo në mënyrë shoqërore më ka kërkuar që ta marr unë përsipër këtë ngjarje (krim), duke qenë se kisha edhe një problem të hapur me drejtësinë dhe ai më ka mbushur mendjen duke më thënë që nuk është vepër e rëndë. Griseldo më ka thënë se me personin, të cilin e kishte qëlluar me qytën e armës, do e mbyllte vetë problemin, ndërsa për drejtësinë më ka kërkuar mua ta marr përsipër. Unë e kam pyetur Griseldon mos kishte bërë ndonjë gabim dhe e kishte qëlluar me plumb këtë person, por ai më ka thënë se jo, e kam qëlluar vetëm me qytën e pistoletës. Griseldo ka qëndruar me mua deri në orën 13:30 dhe gjatë kësaj kohe ka ardhur edhe shtetasi Ali (Edmond) Sula, i cili me sa kuptova unë, ishte në dijeni të kësaj ngjarjeje. Aliu ka marrë Griseldon dhe janë larguar së bashku me makinën e Aliut. Pasi ka ikur Griseldo, unë jam menduar për ngjarjen që më tregoi ai dhe duke qenë se unë kam në përdorim një aparat celular Samsung, kam hyrë në ‘Google’ dhe aty kam parë lajmin ku kam lexuar se personi që më kishte treguar Griseldo ishte goditur me plumb në kokë dhe ndodhej në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak. Menjëherë pas këtij lajmi që lexova, kuptova se Griseldo më kishte mashtruar dhe unë jam frikësuar, sepse s’kisha pse të merrja këtë risk mbi vete. Ndaj kam vendosur të vetëdorëzohem në Policinë e Tiranës dhe për të treguar të vërtetën në lidhje me këtë ngjarje. Unë që kur jam shpallur në kërkim jam fshehur në ish-picerinë e këtij shtetasi, duke qenë se kam shok shtetasin Ali Sula, pasi i tregova se kam disa probleme me drejtësinë. Griseldon unë e kam njohur prej vëllait të tij, me të cilin kemi qenë së bashku në burgun e Vaqarrit. Pasi kemi dalë nga burgu, me vëllain e tij Albanin e kemi përforcuar shoqërinë, po kështu edhe me Griseldon. Unë di se Griseldo merret me persona pasi ka dyqane, si dhe një vilë, e cila po rikonstruktohej dhe që për rikonstruksionin e saj kujdesej zakonisht Griseldo, i cili më ka treguar se shkonte shpesh dhe kontrollonte punëtorët, vila në të cilën më tregoi se kishte ndodhur edhe ngjarja e djeshme. Griseldo vinte shpesh në një lokal afër vendit ku unë fshihesha nga Policia gjatë kësaj kohe dhe pinim kafe së bashku me vëllain e tij Albanin, si dhe Aliun. Griseldo mbante në shumicën e rasteve armë zjarri me vetë të llojit pistoletë, zakonisht e mbante në një çantë me ngjyrë të zezë. Nuk e di çfarë lloji, por nuk ishte pistoletë ‘TT’. Griseldo me Aliun janë shokë të ngushtë, qëndronin së bashku shpesh, si në afërsi të banesës së Aliut, ashtu edhe në zonën e ‘Myslym Shyrit’, apo edhe tek lokali ‘V…’, ku qëndronte shpesh Griseldo me njerëzit e vet. Atje kam pirë edhe unë kafe së bashku me Griseldon, si dhe Albanin dhe Aliun. Ka pasur raste që aty kishte edhe shokë të tjerë të tyre, të cilët i njoh vetëm me fytyra. Aliun e kam takuar kur ai ka ardhur aty, pasi Griseldo kishte ardhur në ish-biznesin e tij. Gjatë kësaj kohe, unë nuk e di se ku ndodhej Aliu. Pasi kemi mbaruar bisedën, kur jam larguar, Griseldo dhe Aliu kanë ikur të dy së bashku me një automjet, të cilin unë nuk e kam fiksuar.
DËSHMITARI DURIM A.
I është marrë deklarim shtetasit Durim A., i cili ndër të tjera ka deklaruar se: “Unë jam me profesion usta gipsi dhe merrem me punime private. Unë jam i punësuar te shtetasi Ferdinand Bakalli, i cili na ka gjetur një punë për të bërë tavane gipsi, si dhe ndarje muresh të një vile 3-katëshe, në afërsi të shkollës ‘Sabaudin Gabrani’, e cila mesa di unë është në pronësi të shtetasit Bujar Kusi. Unë në këtë objekt kam rreth dy javë që punoj së bashku me shokët e mi, Altin N. dhe Artur B., që janë bojaxhinj. Në këtë punë paguhem nga shtetasi Ferdinand Bakalli. Më datë 22 gusht, rreth orës 08:00, unë kam shkuar dhe kam filluar punë në objektin që përmenda më lart. Konkretisht kam qenë duke punuar në katin e parë, te dhoma pa shkuar në tualetet e katit të parë. Në katin e parë, përveç meje kanë qenë duke punuar edhe dy shokët e mi, Altini e Arturi, dy punonjës që po merreshin me montimin e kondicionerëve, njëri prej tyre quhet Luan, ndërsa personit tjetër nuk ia di emrin. Po kështu, në katin e parë po punonin edhe dy elektricistë, njëri quhet Elton, tjetrit nuk ia di emrin. Rreth orës 11:00 – 11:15, unë kam qenë duke punuar me Altinin dhe Arturin me gips dhe kemi qenë duke punuar bashkë te korridori që të çon në tualetet e katit të parë. Në këtë moment, në katin e parë ka hyrë Griseldo Kusi, të cilin e thërrisnin Eldo, që unë e di se është djali i pronarit të objektit, shtetasit Bujar Kusi, dhe që vjen disa herë në ditë e kontrollon punimet gjatë kësaj periudhe që unë punoj aty. Eldo ka ardhur i vetëm dhe pasi na ka përshëndetur ai ka dëgjuar një zhurmë trapani, me të cilin po punonte njëri nga punëtorët e kondicionerëve në njërin nga tualetet e katit të parë, që ishte rreth 2-3 metra larg vendit ku po punoja unë me shokët e mi. Pasi ka dëgjuar zhurmën e trapanit, Griseldo ka thënë fjalët: ‘Po këtu ç’a po bëhet?’ dhe menjëherë ka lëvizur i nervozuar dhe ka shkuar në drejtim të tualetit ku po punonte punëtori i kondicionerëve. Griseldo ka hyrë brenda në tualet dhe në këtë moment kam dëgjuar t’i bërtiste punëtorit të kondicionerëve me zë të lartë, me fjalët: ‘Çfarë po bën? Përse e hap atë vrimë aty dhe ku do e çosh shkarkimin e kondicionerëve?’. Punëtori i kondicionerëve i ka thënë: ‘Nuk e di unë se ku do jetë shkarkimi’ dhe Griseldo më pas i është drejtuar me fjalët: ‘Kur s’e di ti, nga do ta di unë?’. Menjëherë në këtë moment Griseldo ka nxjerrë nga brezi një armë zjarri, tip pistoletë dhe ia ka mbështetur në kokë punëtorit të kondicionerëve dhe e ka qëlluar. Në këtë moment, unë kam parë se punëtori i kondicionerëve ka rënë në tokë, si dhe nga koka po i dilte gjak. Më pas, Griseldo ka marrë gëzhojën që ra në tokë dhe ka dalë nga objekti. Më pas, unë kam dalë nga objekti i frikësuar, kam marrë veglat e punës e jam larguar në drejtim të banesës sime deri në momentin që më ka telefonuar Policia, ku më kërkuan të paraqitesha të jepja deklarime në lidhje me këtë ngjarje. Në tualet, kur kam dëgjuar krismën e armës, ka qenë vetëm punëtori i kondicionerëve dhe Griseldo Kusi. Në momentin që ka ndodhur ngjarja, Griseldo kishte veshur një palë pantallona të shkurtra xhins, një bluze me mëngë të shkurtra ngjyrë blu, si dhe në dorë mbante një çantë të zezë. Mbaj mend se Griseldo ka ndezur dritën e telefonit të tij dhe po kërkonte në tokë gëzhojën e armës. Mbaj mend se po kërkonte afër trupit të punëtorit, të cilit po i rridhte gjak nga koka dhe ka dalë në këmbë jashtë ambientit ku punonim. Pasi ka kryer ngjarjen, Griseldo, me çantën në dorë, ka vazhduar në këmbë drejt lokalit ‘V…’”.