BallinaKulture"I tillë jam"- Një botim i sinqertë i ish-gazetarit të Radio Tiranës,...

“I tillë jam”- Një botim i sinqertë i ish-gazetarit të Radio Tiranës, Shefqet Meko

Nga Ahmet Prençi

-Disa radhë për librin e ish-gazetarit të Radio Tiranës, Shefqet Meko, tashmë një shqiptaro-amerikan që jeton prej dy dekadash në Minneapolis, SHBA

Shefqet Meko ishte shefi im i parë. Edhe pse jo bashkëmoshatarë, ai më dukej sikur do bëhej “shok” i poezive të mia, pasion ky i “skalitur” në ADN-në time qysh në Reçin tim të dashur. Ishte koha që unë përjetoja drithërimat e mia emocionuese, në rrugëtimin tim të saponisur universitar. Ai ishte kryeredaktor i gazetës “Studenti i Bujqësisë”, ose “shefi më i madh i gazetës më të vogël në Republikën Socialiste” do thoshte një nga profesorët e atëhershëm, që botonte shpesh në atë gazetë. Vendndodhjen e zyrës së gazetës e gjeta më së pari sapo shkela në Institutin e bukur të atëhershëm, sapo fillova studimet në Fakultetin Ekonomik. E shikoja me plot simpati e ëndërr atë derë redaksie dhe shpresoja ta kaloja sa më parë atë prag e të botoja diçka aty. Kjo ishte ëndërra dhe pasioni im i palëkundur. Madje, ky pasion dhe ëndrra ime më shtynin gjithmonë tek redaksitë, gazetat, revistat, libraritë… Unë në fakt kisha ardhur për t’u bërë ekonomist, por ëndrra e hershme, e thyer, e goditur, për të studjuar për letërsi, nuk pranonte kurrsesi të shuhej. Gazetaria, poezia, letërsia ishte ajo në fakt që unë duhet ta harroja, duhet ta braktisja e duhet t’ju përkushtohesha statistikës, matematikes, kontabilitetit, analizës ekonomike, filozofisë e doktrinës së ekonomisë etj. Duhet të merrja seriozisht shkollën e lartë që më kishte dalë një vit me vonesë ndonse arsimin e mesme e kisha mbyllur me mesataren e lartë 9.8.
Kisha botuar poezi në gazetën e Dibrës “Ushtima e Maleve” që kur isha në shkollën e mesme, më ndihmoi i ndjeri, poeti dhe miku im më i mirë, mësuesi im i paharruar, Islam Cenga e më pas Lazër Stani në gazetën “Vullnetari” e më pas do më botonte edhe Shefqet Meko, pikërisht në këtë gazetë mjaft simpatike e të dashur asokohe. Shefqeti që herën e parë që e takova, më la përshtypjen e një njeriu të sertë. I prerë, por korrekt, i përpiktë dhe disi autoritar në sytë e mi. Nuk patëm asnjëherë miqësi shumë të ngushtë, por më botoi çdo gjë që i dërgova në atë kohë; poezi, reportazhe, artikuj problemorë etj.
Kishin kaluar shumë vite dhe unë duke mos punuar asnjë ditë në profesionin e ekonomistit sepse jeta pas viteve ’90 mori rrjedhë krejt tjetër dhe kisha bërë karierën time në institucionet ligjzbatuese të shtetit shqiptarë. Tashmë pas 17 vitesh punë, isha emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Një ditë kur sekretaria më njoftoi se Shefqet Meko, tashmë vizitor nga Amerika, donte të më takonte, u suprizova pa masë. Unë harrova fare se çfarë punësh të ngutshme dhe rutinë kisha atë moment. Të vij menjëherë, thashë dhe po prisja në zyrën time të stërmadhe me ankthin se mos ai do kishte kthyer mendje që të mos më takonte nga procedurat ,që as unë nuk nuk i duroj dot për të takuar një drejtues të institucioneve të rëndësishme të sigurisë. Dhe kjo jo vetëm në Shqipëri! Kur u gjendëm të përmalluar në zyrën time, u ulëm e biseduam gjithë mallë e pasion duke u kthyer shumë mbrapa në kohë e në vite. Kujtuam gjithçka me Shefqetin, një njeri që nuk kishte ndryshuar aspak pas kaq shumë vitesh. Po i njëjti; dinamik, i rrëmbyer, entuziast, dashamirës, i vendosur, shpërthyes, i qeshur, reagues, polemist, sanguin, i çuditshëm, kurioz, mbështetës, ëndrrimtar, por gjithmonë social dhe i drejtë në bindjet e tij. Edhe pse ishte i kënaqur që Sali Berisha më kishte emëruar mua në atë detyrë të lartë, sa i vinte mirë aq dhe gjente rast edhe për ta kritikuar. Unë qeshja dhe i shmangesha debatit me të. Unë duhet të tregoja me punën e përkushtimin tim dhe të vertetoja se Sali Berisha kishte emëruar në krye të Policisë njeriun e duhur. Në fakt, fatmirësisht unë ja dola! Ja doli së pari Kryeministri e pas Tij dhe ne drejtuesit e institucionet kryesore në varësi të Tij, detyrë që ai na e kishte besuar për sfidat e mëdha dhe historike që do përmbushnim. U arrit ato vite antarsimi i Shqipërisë në NATO, erdhi në Tiranë për herë të parë Presidenti i SHBA-së , u mundësuar lëvizja e lirë e qytetarëve në Europë, pra u liberalizuan vizat. Jo pak këto në pak vite në një qeverisje, me një Kryeministër…Natyrisht ish-gazetari i Radio-Tiranës Shefqet Meko, di të vlerësojë dhe pohojë suksesin e cilitdo, kurrë nuk nxin arritjet që janë arritje, pra nuk është “ithtar kritikash”, por realist dhe i vërtetë në bindjet e veta, ndaj të duket sa liberal aq edhe konservator! Ai është një intelektual që kritikon dhe kërkon gjithmonë një qeveri më të mirë për vendin e tij

Kur u gjenda në Minneapolis, në verën e vitit 2017, bash në banesën e Shefqetit si i ftuari i tij në SHBA, i kujtuam të gjitha në atë kohë, me të gjithë poetët që kishin botuar në atë gazetë, me të gjith profesorët me famë që kishin botuar aty, me talentet e servilat që vërtiteshin në atë redaksi të vogël. Koha tregoi që ishte një vatër zjarri shumë e madhe, shumë dinamike me plot talente e njerëz që arritën shumë në karierat e tyre të mëvonshme. Miku im do kujtonte me admirim shumë e shumë ish-pedagogë dhe ish-studentë që ishin bërë promotorë aktivë të shoqërisë pas rënies së regjimit të vetëshpallur si “diktaturë e proletariatit”, madje do fillonte me Lush Përpalin, Myqerem Tafajn, Besnik Gjongecaj, Gjok Uldedën, Behar Malen, Rexhep Ukën, Eduard Zalonjën e do përfundonte me Ridvan Boden apo Edmond Panaritin. Do kujtonte takimet letrare në ILB me Dritëro Agollin, Niko Nikollën, Teodor Laçon, Zija Çelën, Besnik Mustafaj, Preç Zogaj, Fatmir Mborjen, Mimoza Ahmetaj, do veçonte poetin e gazetarin Xhevdet Shehu, do kujtonte se si sillnin tregime për botim tek ajo gazetë Lazër Stani e Faruk Myrtaj. Në studjon e Shefqetit pashë arkiva të paimagjinueshme, karikatura të Kosta Rakës, piktura të Kujtim Buzës, gjeta të gjitha botimet që unë kisha bërë në ato vite, u ktheva në kohë me gjithçka kisha botuar në atë gazetë dhe u mallëngjeva vërtet. Ishim matanë oqeanit, shumë larg Shqipërisë e po lexonim gjëra të shkruara në shqip, botuara në një gazetë të vogël, në diktaturë, në skamje, në izolim, e shumë vite të kaluara…. Gjej shumë tregime te Shefqetit që aso kohe i prisnim me padurim, atëherë pa modesti e them që ishte një tregimtarë i mrekullueshëm, i lexuar nga studentët dhe i mirëpritur në çdo numër gazete. U zhyta duke lexuar tregime të gazetës “Studenti i Bujqësisë”, “Drita”, të revistës “Nëntori” e një tuf dorëshkrimesh të daktilografuara që i kishte humbur në sirtarët e biblotekës së pasur në shtëpinë e tij të stërmadhe në Minnesota të SHBA-së.
-Po pse nuk i përmbledh në një libër?! – i thashë Shefqetit
-Po lene o burr i dheut, ikën ato kohë, – më tha. -Unë tani merrem me punë tjetër, me biznes, me prona, me familjen… Nuk kam kohë të merrem as të mendoj për këto gjëra. Kam dy djemt që më duhet t’i sistemoj në jetën e tyre. Këto dorëshkrime kishin fjetur, kam vite pa i parë. Ti u bëre sebep që po i shfletojmë, që po i lexojmë…Thjesht për të kujtuar!
-Këto do botohen Shefqet, i them me shumë siguri. Janë të bukura! Këtu në këto radhe je ti, jam unë, janë të gjithë bashkëkohësit tanë të atyre viteve. Me sa lexova, i thashë, pashë Shefqetin e vertetë, ashtu siç të kam njohur para 30 vitesh.
Shefqeti me vështronte, në fillim i buzëqeshur e gradualisht u rikthye në kohë, në kohën kur i kishte shkruar, u mallëngjye, u bë nostalgjik e sërish më tha një “Jo” të prerë.
“A po mi nis të gjitha këto të merrem unë me botimin e tyre? Ki besim që do e bëj këtë punë me seriozitet dhe pasion të madh”- i sugjerova unë,
U mendua një copë herë duke ecur nëpër sudjon e tij, u rrutullua dy tre here vërdallë dhe mu drejtua?
-Ti mendon vërtet ja vlen?!
-Po, i them prerë dhe shumë i sigurtë.
-Qoftë e bërë Prenç, më thotë dhe në fakt ky është shkaku që ky libër tashmë është në dorën e lexuesve. E tashmë në këtë libër keni të gjitha përgjigjet për autorin, për veten e tij. Në të gjitha pyetjet ai do përgjigjet: “Po, i tillë jam”!

Ndërkohë që u ktheva në Tiranë, Shefqeti ishte sërish pak i dyzuar. Mesazhet e mia për të mi nisur materialet ishin sistematike. Besoj që ai nga këmbëngulja ime ju fut punës si dikur, për të më nisur një gjë të saktë dhe në postën time elektronike më erdhën këto që do gjeni në librin “I tillë jam”.
Në fakt kush lexon këtë liber dhe njeh Shefqetin, ai i tillë është, tamam si në këtë libër. I tillë është si në personazhet e tregimeve, si në skica, si në shënimet ku ka skalitur me fjalët e zemrës personazhet, ndjenjat, situatat, ambjentet, natyrën… Shkurt ky libër është një “pasqyrë” ku vetshihet dhe vetrrëfehet autori, që ka pasur shansin të jetojë në dy shekuj, në dy sisteme, madje edhe në dy kontinente të skajshme të globit tonë!
Nuk marr përsipër kurrsesi të bëj analizën dhe kritikën letrare të këtij libri, ndaj nuk jam marrë me çfarë ka shkruar ai, por si një adhurues i letërsisë ju sugjeroj ta lexoni dhe do më jepni të drejtë që krijmet e Shefqet Mekos nuk janë tashmë thjesh një pasuri intelektuale e bibliotekës dhe jetës së tij personale, por edhe një kontribut në botën e secilit lexuesi që kërkon diçka midis asaj që iku dhe asaj që vjen.
Autori jeton i grimcuar në vitet që ikën, në të sotmen dhe ëndrrat e veta tashmë në fluturim. I thjeshtë dhe i qartë ai përcjell tek lexuesi, një ndjenjë dhe emocion të veçantë për çdo tregim, skicë dhe shënim, ku secili mbart në vetvete një personazh që ngjan me secilin nga ju, ose në mos me ju me komshiun apo shokun tuaj, një histori që lidhet me ju ose të afërmit tuaj, një ngjarje befasuese, një emocion njerëzor shumë të veçantë, një mesazh flladues që të timbëron në zemër kur lexon një histori nga njerëz të panjohur, shqiptarë që e ngrejnë suksesin në Shqipërinë tonë aq të vogël dhe Amerikën e tejmadhe. Është po ajo ADN shqiptare, po ai pasion shqiptar njerëzor, po ai vrull, energji, pasion e këmbëngule, por ndërsa këtu mes nesh kjo energji “avullon” shpesh nën aromë kafenesh dhe fjalësh boshe e pa motiv frymëzues e ndërtues, “ikanakët” me genin-viral shqiptar larg Shqipërisë, adoptohen sukseshëm si Shefqet Meko dhe mijra e mijra të ikur të tjerë. Kur ke përballë mallin dhe dashurinë e tyre, drithërohesh dhe pyet veten: Ku ikën energjija jonë?
Unë mëndoj se ky libër-rrëfim i pogradecarit Meko, bashkëpatriotit të Lasgushit gjigand, sikur na fut në këtë dialog me vetveten dhe na bën të mendojmë ndryshe pasi kemi lexuar tregimet dhe shënimet e autorit. Unë kam bindjen time se “Ikanaku shqiptar”, me librin e vet “I tillë jam” sikur na vjen sërish në të 60-tat e veta me një amanet njerëzor: Njerëz jini vetvetja. Jini ju që jeni. Madje do të thosha se ky është edhe meraku më i madh i autorit: shtirja e pështirë e njerëzve. Unë e njoh Shefqet Mekon dhe besoj te sinqeriteti i tij. Me librin e tij ai sikur do të na thotë: “Nëse do ishim të vertetë me vetveten dhe realitetin që jetuam, nuk do të kishim këtë tërkuzë torturuese drejt lirisë dhe shoqërise të së drejtës”. E kjo është një e vërtetë që e jetoj unë, ti dhe gjithkush tjetër që nuk e prisnim të ishte kaq e gjatë “lehonia” e demokracisë sonë, që aq shumë iu përkushtuam në vitet 90-të e në vijim.
I kam kaluar një më një tregimet, shënimet dhe meditimet e autorit. Kam përjetuar me sinqeritet momentet e tij krijuese dhe nuk di pse Shefqet Meko përherë më është shfaqur sikur ende është tek ajo zyra e redaksisë së gazetës së bukur të rinisë sonë “Studenti i Bujqësisë”, ku ai priste e përcillte me fjalë inkurajuese sa e sa krijues të rinj. Pra për mua ka mbetur ai që ishte: dashamirës, inkurajues, shoqëror, pasionant dhe mbi të gjitha ëndërrimar i sinqertë. Për dikë ai mbase kujtohet si “agjitator i partisë”, (gjë që ai e pohon dhe e shpjegon qartë në parathënien e vet); por kur mëson nga autori se ai ishte dërguar në ILB për të studiuar për veterianri, edhe pse kishte kërkuar për letërsi apo filozofi, e kupton më së miri se “Shkolla e Dakës” ishte shansi i fundit i shkollimit të atyre që shkëlqyen në shkollat e mesme dhe pushteti i kohës, duke mos respektuar ëndrrat e tyrë, por edhe duke mos pasur arsye të forta mohimi absolut për shkollim të lartë, i “dënonte” duke i dërguar në ILB. Ashtu si edhe mua dhe shumë e shumë të tjerëve. Madje Shefqet Meko më rrëfen tmerret që përjetoi kur drejtonte gazetën dhe jepeshin “urdhra censure”, që ai ndodhte edhe t’i anashkalonte, apo kur nuk e pranuan në parti për biografinë e babait dhe “shokët e KQ” urdhëruan të ndahej nga e fejuara duke i bërë dosjen gati për ta çuar veteriner në Kllojkë, gjëra që unë nuk i dija dhe mendoja si ai ishte i “priviligjuar i sistemit”, pra i atij sistemi që “hante bijtë e vet”… “Mbijetuam dhe shpesh nuk e dime se si”, psherëtin Shefqeti në shtëpinë e tij në Amerikë, ku nuk është pirë duhan kurrë brenda mureve të bardha. Ai kujton mbijetesën në punën e vet në “shtypin që shtypte”dhe unë endrrat e mia të plagosura e, të dy, heshtim paksa si për të shtyrë tutje të shkuarën që kumbon si ajo thirrja emblematike e Migjenit: “Përditë shoh qartë e më qartë e vuaj thellë e ma thellë”. Ndaj edhe “trajaktorja” unike e Shefqet Mekos nga Pretusha e Pogradecit deri në Minneapolis të Amerikës, sikur më përplas sa në thepa malesh shkëmborë, si Mali i Thatë nën hijen e të cilit u rrit autori, aq dhe në dallgë oqeanesh të kapërcyera prej e tij dhe sa i befasuar aq edhe ngazëllues, sikur më bën të bërtas me zë të lartë duke thënë: “Ja ç’bën fati dhe liria e njeriut!”
Tani që libri është në dorën e lexuesve më kujtohet Shefqeti tek më shkruante: “Bëj ç’të duash me malerialin e nisur nga Minnesota, unë nuk merrem më me librin, aq kohë sa u mora u riktheva gjatë në vitet e shkuara, u rinova dhe një herë plotësisht dhe për këtë, Faleminderit”!
Unë po të them: Shefqet, përjetova çdo rrjesht që ke shkruar. Të falenderoj shumë që më besova të merrem me redaktimin dhe botimin e ketij libri të vlertë. Ke shpirt të madh e të dlirë ashtu siç paraqitesh vërtetësisht në këtë liber; me personazhet, me fjalët, me ndjenjat, me respektin për punën dhe të mirën dhe neverinë lemeritëse ndaj shtirjes dhe pështirjes njerëzore. Shefqet Meko me librin “I tillë jam”, duket se është futur në klubin e krijuesve që monologun e kthejnë në dialog mes të shkuarës dhe të ardhmes duke jetuar denjësisht të tashmen.

Faleminderit miku im, tashmë shqiptaro-amerikan i merituar!

Ahmet Prençi

Tiranë, Gusht 2019

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular