BallinaEkonomiFSHU në takim me Shoqatën e Bukës: Bashkëpunim për aplikimin e tarifave...

FSHU në takim me Shoqatën e Bukës: Bashkëpunim për aplikimin e tarifave të reja të energjisë elektrike

Furnizuesi i Shërbimit Universal, pjesë e OSHEE group, është angazhuar për një zbatim sa më të drejtë të vendimit Nr. 72, Datë 15.04.2024 të ERE për tarifat e reja te subjektet furrë buke-pastiçeri-bar kafe.

Mesazhi u dha nga vetë administratori i FSHU, z.Algert Luzi, i pranishëm në takimin me anëtarët e Shoqatës së Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave, i cili garantoi mbështetjen e strukturave të OSHEE Group për realizimin me sukses të procesit për kategorizimin e aktiviteteve, të ndara në tre tipologji, sikurse është dakordësuar me vet subjektet.

“Vendimi për rishikimin e tarifave të energjisë elektrike erdhi si rezultat i dialogut të hapur dhe të vazhdueshëm midis grupit OSHEE dhe Shoqatës”, deklaroi Luzi në krye të fjalës.

Sipas vendimit, tarifat e reja të konsumit të energjisë elektrike, që do të aplikohen nga data 1 maj, janë:

  • Aktivitete Furrë buke 7.6 lek/kWh
  • Aktivitete Furrë buke – pastiçeri 9.5 lek/kWh
  • Aktivitete Furrë buke – pasticeri – bar kafe 12 lek/kWh

“Dua të përcjell garancinë për një zbatim të vendimit të ERE, në mënyrën më të drejtë dhe të rregullt, pa asnjë dallim, dhe realizimin me sukses të procesit besoj se do të kem edhe bashkëpunimit tuaj.

FSHU ka zhvilluar disa takime radhazi me drejtuesit e shoqatës, duke analizuar problematikat e mëparshme të sektorit. Për ne është i rëndësishëm vijimi i dialogut, që ju të ushtroni aktivitetin të qetë, dhe ne të bëjmë siç duhet detyrën tonë funksionale”, deklaroi kreu i FSHU. Palët të pranishëm në takim u angazhuan për një bashkëpunim të mëtejshëm, së bashku me strukturat e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), shoqëria, e cila do të verifikojë nga afër veprimtarinë e aktivitetit, në mënyrë që aplikimi i tarifave të reja të jetë sa më i drejtë, konform vendimit të ERE.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular