Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Vlorë, ku ka parë nga afër rrugën e re përgjatë Luginës së Lumit të Vlorës, ku ka përfunduar segmenti i parë e ka nisur segmenti i dytë, i rrugës prej 100 km. Ky aks shumë kapilar nis nga By Pass-i i Vlorës dhe del në bregdet, në Qeparo.
Korridori i ri turistik e bujqësor, lidhet me degëzimin Gusmar – Kuç dhe del në Tepelenë, duke integruar ofertën turistike të dy zonave të mahnitshme të Shqipërisë.
Kryeministri është takuar me banorë të zonës, shumë prej tyre duke e përgëzuar për ndërtimin e kësaj rruge. Por nuk ka munguar as iso-ja e famshme labe për të përshëndetur kreun e qeverisë.
“Nuk ju rrihe ju. Ju doni rrugë për të dalë për të kënduar”, ka thënë Rama sapo ka parë grupin e iso polifonisë. “Edi Rama mirë se vjen ku ka shqiponja folenë”, thuhet ndër të tjera në këngë.