Thirret në Prokurori ish-ministri i Bujqësisë Niko Peleshi. Pas akuzave të ngritura nga Partia Demokratike se ish-ministri lejoi të futen në vend pesticide të dëmshme. Peleshi pritet që të paraqitet në prokuroi në orën 12:00.
Më 4 shtator prokuroria e Tiranës nisi verifikimet për akuzat e Partisë Demokratike, e cila deklaronte se në kohën që ishte ministër, Peleshi dha urdhër për të hedhur në treg 4600 litra helm me emrin “Silikon Mix”.
Përmes një shkrese që kryeprokurorja Arta Marku i ka dërguar Prokurorisë së Tiranës, thuhet se ndaj Peleshit ka dyshime se ka lëshuar urdhrin për zhbllokimin e këtij insekticidi, i cili përdoret në kultivimin e frutave dhe perimeve.
“Bashkëlidhur ju dërgojmë për vlerësim ligjor sipas kompetencës, të dhëna të printuara nga mediat audiovizive ku përfshihen dyshime në lidhje me shpërdorimin e detyrës prej shtetasit Niko Peleshi. Konkretisht, nga publikimet e fundit rezulton se ish-Ministri i Bujqësisë, ka lëshuar në kundërshtim me ligjin urdhrin për zhbllokimin e insekticidit Silikon Mix, i cili përdoret në kultivimin e frutave dhe perimeve, me pasoja të dëmshme. Në mbështetje të neneve 38 dhe 50/1 të ligjit ‘Për organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë’, pa cenuar sekretin hetimor, kërkojmë informacion në lidhje me mënyrën e trajtimit të materialit”, thuhet në shkresë.
Në tetor të 2017 Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, i drejtuar nga Agim Ismaili, sot drejtor i Burgjeve mori masa administrative ndaj një subjektit furnizues të “Silikon Mix”, duke e gjobitur në vlerën 60.000 lekë dhe duke bllokuar 4600 litra nga ky kimikat.
Por me një shkresë drejtuar AKU-së, Peleshi parashtronte se bllokimi i ngarkesës është bërë jo në zbatim të ligjit, pasi sipas KLSH, për të zhbllokuar ngarkesën duhet të pritej bërja e analizave. KLSH thekson në raport se ky produkt duhet të analizohej nga QTTB-ja dhe se arsyeja e refuzimit të kryerjes së analizave është jo-argumentuese. Sipas saj duhet të kryheshin analizat për të përcaktuar sërish se çfarë mban ky kimikat.
‘Silicon Mix’ është një pesticid i cili përdoret shpesh nga fermerët që kultivojnë qershi për të vrarë insektet pak para vjeljes së frutave. Ai quhet Silicon Mix, por në etiketë shënohet si pleh bujqësor. Sipas ekspertëve Silikon Mix deformon ADN-në e njeriut dhe përdorimi sjell efekte të tjera anësore.