Kreu i PD-së Lulzim Basha tha sot se platforma e opozitës për të nxjerrë vendin nga kriza dhe reformën zgjedhore i është dorëzuar kryeministrit Edi Rama duke i kërkuar shefit të maxhorancës ta zbatojë ose të hapë krahun. Por për çfarë propozimesh bëhet fjalë konkretisht? Janë 5 pika të planit të opozitës, që u prezantua në tryezën për reformën zgjedhore, organizuar nga OSBE.
Në platformën që mund të jetë pika e nisjes së dialogut mes maxhorancës dhe opozitës thuhet se “personat, subjekt të hetimeve penale nr. 184/2016 apo nr. 339/2017, janë në kushtet e konfliktit të interesit me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, si dhe me Reformën e vërtetë Zgjedhore për të cilën ka nevojë vendi”. Po kështu opozita propozon që procesi të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtar (OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj.), një përfaqësues i Parlamentit monopartiak dhe një përfaqësues i Opozitës së Bashkuar. Produkti i dakordësuar nga kjo strukturë, pasi i nënshtrohet konsultimit me publikun, nëpërmjet formave dhe metodave që mundësojnë marrjen e mendimit të qytetarëve, miratohet pa ndryshime.
QËNDRIM I OPOZITËS SË BASHKUAR PËR “REFORMËN ZGJEDHORE”
1. Opozita e Bashkuar i përgjigjet pozitivisht ftesës së partnerëve ndërkombëtarë, si tregues i mirënjohjes për përpjekjet e tyre për forcimin e demokracisë funksionale në Shqipëri dhe bashkëpunimit ndër vite për reformimin e kuadrit ligjor për zgjedhjet në Shqipëri.
1.1. Duke qenë se Reforma Zgjedhore është një nga kushtet për ecurinë e mëtejshme të Shqipërisë në procesin e integrimit europian, Opozita e Bashkuar angazhohet të mbështesë realizimin e saj.
1.2. Opozita e Bashkuar rithekson nevojën për Reformë të vërtetë Zgjedhore, që mund dhe duhet të realizohet e zbatohet vetëm nga institucione apo subjekte zgjedhore që kanë vullnet për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në këtë drejtim, personat, subjekt të hetimeve penale nr. 184/2016 apo nr. 339/2017, janë në kushtet e konfliktit të interesit me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, si dhe me Reformën e vërtetë Zgjedhore për të cilën ka nevojë vendi.
1.3. Diskutimet mbi Reformën Zgjedhore duhet të jenë transparente, gjithëpërfshirëse dhe publike, duke përfshirë në hartimin e saj edhe përfaqësues të të gjitha grupeve të interesit dhe shoqërisë civile. Opozita e Bashkuar angazhohet për të diskutuar një reformë për ligjin e partive politike, përfshirë transparencën e financimit të tyre dhe fushatave zgjedhore, vendimmarrjen demokratike brenda partive politike, si dhe një sistem zgjedhor që u jep mundësi qytetarëve të shprehen për përfaqësuesit e tyre dhe një reformë kushtetuese që synon forcimin e llogaridhënies dhe kontrollit ndaj pushtetit.
1.4. Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore nuk gëzon legjitimitetin e nevojshëm për realizimin e reformimit të kuadrit ligjor zgjedhor dhe nuk është organ përfaqësues i vullnetit të qytetarëve. Ai është produkt i zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, të diktuara gjerësisht nga krimi i organizuar dhe blerja e votave me paratë e pista të krimit. Për pasojë, asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që duhet të ishin në burg për krime elektorale, nuk gëzon legjitimitetin për realizimin e Reformës Zgjedhore. Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që nuk përfaqësojnë opozitën, nuk mund të përcaktojë rregullat për pjesëmarrje në zgjedhje të partive politike opozitare.
1.5. Opozita e Bashkuar propozon që procesi të drejtohet nga një strukturë e përbërë nga përfaqësues të organizmave ndërkombëtar (OSBE/ODIHR, BE, SHBA, etj.), një përfaqësues i Parlamentit monopartiak dhe një përfaqësues i Opozitës së Bashkuar. Produkti i dakordësuar nga kjo strukturë, pasi i nënshtrohet konsultimit me publikun, nëpërmjet formave dhe metodave që mundësojnë marrjen e mendimit të qytetarëve, miratohet pa ndryshime.
2. Reforma Zgjedhore është e nevojshme për përmirësimin e aspekteve teknike të organizimit të zgjedhjeve, por e pamjaftueshme për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
2.1. Ligji elektoral dhe legjislacioni penal që mbron zgjedhjet demokratike më së pari janë të nevojshme të zbatohen. Asnjë Reformë nuk mund të jetë e suksesshme nëse nuk ekziston vullneti politik dhe institucional për të zbatuar ligjet në fuqi. Reformat Zgjedhore marrin kuptim vetëm atëherë kur krimet elektorale të së shkuarës të jenë hetuar në mënyrë profesionale dhe të pavarur, dhe autorët e krimeve të jenë përballur me ligjin.
2.2. Opozita e Bashkuar mbështet qëndrimin e Misionit të OSBE-ODIHR se “Kuadri ligjor aktual mund të ofronte një bazë të shëndoshë për zgjedhje demokratike, nëse do të zbatohej në mënyrë të paanshme dhe me një vullnet të sinqertë politik”. Për pasojë, organet e zbatimit të ligjit duhet të hetojnë në mënyrë të plotë, të menjëhershme dhe transparente çdo akuzë për shkelje zgjedhore:
• shitblerja e votës;
• presioni mbi zgjedhësit në administratë publike;
• abuzimi me burimet njerëzore dhe financiare shtetërore, pra mos ndarja e shtetit nga partia në pushtet;
• cënimi i sekretit dhe lirisë së votës;
• manipulimi dhe falsifikimi i rezultatit.
2.3. Duhet vullnet politik dhe një mekanizëm konkret të zbatueshëm për të realizuar ndarjen e plotë të politikës nga krimi. Kapja e shtetit nga krimi përmes përfshirjes së individëve me rekorde kriminale apo me lidhje me krimin e organizuar, në Kuvend, në Qeveri, në pushtetin vendor, në funksione të larta apo funksione kyçe të administratës publike dhe organeve ligjzbatuese, përbën një kërcënim të rëndë për integritetin dhe funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike dhe për vetë sigurinë kombëtare.
2.4. Zbatimi i Rekomandimeve teknike të OSBE-ODIHR kërkon ndërhyrje në legjislacionin në fuqi, duke përfshirë Kodin Zgjedhor, ligjin e administratës publike, ligjin për Policinë e Shtetit, Ligjin për Mediat Audio-Vizive, etj.
3. Diskutimi për Reformën Zgjedhore duhet të kryhen sipas një rendi përparësish, me qëllim zgjidhjen e problematikave që kërkojnë vullnet politik për të garantuar zgjedhjet demokratike dhe qeverisjen përfaqësuese dhe kushtetuese, dhe më pas me zgjidhjen e çështjeve me karakter teknik.
4. Ofrimi i garancive shtetërore për barazi të subjekteve zgjedhore dhe zhvillimin e zgjedhjeve demokratike që garantojnë ushtrimin efektiv të së drejtës kushtetuese për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur. Në këtë kuadër, konstatohet se:
• Qeveria aktuale nuk ofron asnjë garanci për ndarjen e shtetit nga partia apo politikës nga krimi.
• KQZ nën kontrollin politik të partisë në pushtet nuk garanton paanshmërinë dhe pavarësinë e administratës zgjedhore, duke anulluar të gjitha garancitë që ofron ligji për subjektet zgjedhore.
• Organet e zbatimit të ligjit (Prokuroria, Policia e Shtetit dhe Shërbimi Informativ i Shtetit) nuk kryejnë dot funksionet e tyre sipas ligjit, për shkak të kontrollit nga partia në pushtet dhe Qeveria.
• Gjykatat janë jofunksionale dhe nën presionin politik të Qeverisë, siç evidentoi OSBE/ODIHR, duke pamundësuar ushtrimin e garancive që Kushtetuta dhe ligji ofrojnë në rast shkeljesh nga Qeveria apo administrata zgjedhore.
5. Ofrimi i garancive për vendimmarrje të drejtëpërdrejtë nga qytetarët, përmes bërjes efektive të Referendumeve.
Zgjedhjet nuk janë e vetmja forme e shprehjes së vullnetit të qytetarëve. Kushtetuta i garanton qytetarëve shprehjen e vullnetit dhe pjesëmarrjen e drejtëpërdrejtë në vendimmarrje, nëpërmjet Referendumeve. Kodi Zgjedhor aktual, i pandryshuar për këtë çështje që nga viti 2000, pamundëson zhvillimin efektiv të Referendumeve. Referendumet janë e vetmja formë që përveç mundësisë për vendimmarrje të drejtëpërdrejtë nga qytetarët për një çështje, garantojnë edhe të drejtën e qytetarëve për të ndikuar drejtëpërdrejtë në politikbërje, nga Qeveria, Parlamenti dhe partitë politike.