Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, priti sot në një takim Kryeministrin e Republikës së Italisë, Giuseppe Conte.
Kreu i Shtetit Shqiptar vlerësoi partneritetin strategjik me Italinë dhe falenderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë ndër vite në proceset e integrimit euro-atlantik të vendit.
Duke falenderuar për angazhimin konstant të Italisë në mbështetje të hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Presidenti Meta tha se “ndjekim me shumë vëmendje të gjithë debatin mbi vendimin që do të merret në Samitin e 17-18 tetorit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Shpresojmë që qasja realiste e çeljes në parim të negociatave, për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të mbështetet nga të gjitha vendet anëtare”.
Presidenti i Republikës vlerësoi faktin se Italia mbetet një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë. “Gjithsesi, – vijoi Presidenti, – ne konsiderojmë që ka ende shumë mundësi për t’u përdorur në intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare. Në veçanti, presim një prani më të madhe të investitorëve italianë në Shqipëri”.
“Një urë e fuqishme bashkëpunimi ndërmjet vendeve tona, – tha Presidenti Meta, – janë edhe komuniteti arbëresh dhe emogracioni shqiptar në Itali. Presidenti inkurajoi që të rrisim bashkarisht përpjekjet për mbajtjen gjallë të gjuhës, kulturës e traditave të pasura shqiptare në vendin fqinj.