Policia e Shtetit ka zbuluar sot një celulë të rrezikshme terroriste iraniane. Në një konferencë për media, kryepolici Ardi Veliu publikoi emrat e celulës iraniane, që rezultonin të lidhur me bosin e mafies turke, Adbulselam Turgut.
Operativët kriminalë të celulës ishin vartës të super-trafikantit turk, i njohur në fushë e krimit të organizuar, trafikut të heroinës dhe planifikimit të sulmeve terroriste.
Por, kush është Abdulselam Turgut, që ka lidhje të vjetra me krimin e organizuar në Shqipëri.
Abdulsealm Turgut njihet si një bos mafioz turk dhe kreu i një rrjeti të fuqishëm ndërkombëtar të trafikut të drogës. Ai është burgosur së fundmi në Azerbajxhan dhe në Turqi me akuza për trafik droge.
Turgut është liruar nga një burg në Turqi në fund të vitit 2018. Në vitin 2011, ai është burgosur gjithashtu në Shqipëri me akuza në lidhje me trafikimin e dyshuar të rreth 1 ton heroinë, por u arratis nga vendi, duke përdorur një pasaportë false, pasi gjykata ndërroi masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Arrest shtëpie”.
Bosi i mafies turke rezulton të ketë pasur lidhje dhe me trafikantin shqiptar, Hekuran Hoxha, i njohur për drejtësinë si “Roni i Shijakut” dhe që dyshohet se është “koka” e bandës së rrezikshme të Avdylajve. Kohë më parë, media prestigjioze turke “Hyrriet” do të hidhte dritë mbi lidhjet e “Ronit të Shijakut” me bosin turk, Abdulselam Turgut, një personazh ky mjaft i njohur nga bota e krimit në Turqi.
Sipas gazetës turke, Abdulselam Turgut ka pasur lidhje me një grup shqiptarësh të arrestuar në Durrës për sasi të mëdha heroine. Në Turqi mësohet se këta shtetas, në bashkëpunim me Abduselam Turgut, ishin akuzuar për trafikimin e një sasie prej 30.5 kilogramësh heroine të pastër.
sShtetasit shqiptarë që përmenden në median turke si të lidhur me “peshkun e madh” të narkotrafikut, kanë dosje penale edhe në Shqipëri. Më 10 shtator 2010, Prokuroria e Krimeve të Rënda arrestoi pesë persona të akuzuar për trafik ndërkombëtar narkotikësh.
Aksioni u zhvillua në qytetin e Shijakut, ku ranë në pranga shtetasit Hekuran Hoxha, 38 vjeç nga Shijaku, i cili njihet me pseudonimin “Roni”; vëllai i tij, Fatbardh Hoxha, 37 vjeç; Alket Hatija, 35 vjeç, me origjinë nga Berati dhe banues në Shijak; Saimir Gjepali, 34 vjeç, nga qyteti i Shijakut, si dhe Mentor Shehu nga fshati Pobrat i Beratit, i cili njihej me pseudonimin “Toku”.