BallinaUncategorizedAsambleja e PAA, Duka: Ja çfarë i duhet Shqipërisë për të kapërcyer...

Asambleja e PAA, Duka: Ja çfarë i duhet Shqipërisë për të kapërcyer krizën

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, mblodhi ditën e Asamblenë e partisë, ku në fjalën e tij vuri theksin te kriza e thellë politike dhe vendimi i BE për të mos hapur negociatat.

Lidhur me bllokimin e negociatave, Duka tha se ‘mos çelja ishte një verdikt për gjashtë vite keqqeverisje, një verdikt i nënshkruar edhe nga shqiptarët që kanë mbushur rrugët e Europës, në pamundësi për një jetë më të mirë në një vend ku rendin ligjor ka rënë, si pasojë e mungesës së Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese’.

Më tej, Duka deklaroi se duhen zgjedhje të parakohshme për zgjidhjen e krizës, pasi sipas tij, çlirimi i shoqërisë shqiptare duhet bërë vetëm përmes garës dhe konkurrencës në zgjedhje.

Fjala e Kreut të PAA, Agron Duka:

Të nderuar anëtarë të Partisë Agrare Ambientaliste,

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Të dashur miq,

Ditën në të cilën u zgjodha Kryetari i PAA-së, nuk do ta kisha besuar kurrë që kjo përpjekje e jona si agronomë, veterinerë, ekspert të bujqësisë dhe sipërmarrës në fushën e agrobiznesit, për të kthyer pasionin tonë në vullnet politik, për sjellë një ndryshim real në këtë fushën, do të përballej me një krizë politike kaq të gjatë dhe të qëndrueshme.

Një krizë me rrënjët të thella në kulturën tonë politike, por që shkakun kryesor ka tjetërsimi i votës, asgjësimi i garës dhe eliminimin i vullnetit të lirë të zgjedhësve.

Të vetëdijshëm për dëmin e madh që ka prodhuar simbioza e politikës me krimin, si dhe për krizën e thellë të përfaqësimit që buron nga zgjedhje të pandershme, ne refuzuam mundësinë për t’u bërë pjesë e Parlamentit aktual, jo vetëm për luajalitet ndaj aleatëve tanë, por si një qëndrim moral i të gjithë përfaqësuesve të PAA-së, për të cilët politika nuk ndërtohet thjesht mbi interesa, por më së pari mbi vlera.

Nga ky pozicion, dhe me këtë botëkuptim për politikën, shohim se vendi ndodhet në një nga momentet më të vështira të Tranzicionit. Dështimi spektaklolar i qeverisë në çeljen e negociatave, është certifikimi që vjen nga jashtë i një përvoje që ne si qytetarë të këtij vendi jetojmë në përditshmërinë tonë. Në gjykimin tim negociatat nuk janë vetëm një pasqyrë e të shkuarës sonë të afërt, apo i aktualitetit tonë politik, por edhe i të ardhmes sonë.

Them i të shkuarës sepse mos çelja ishte një verdikt për gjashtë vite keqqeverisje, një verdikt i nënshkruar edhe nga shqiptarët që kanë mbushur rrugët e Europës, në pamundësi për një jetë më të mirë në një vend ku rendin ligjor ka rënë, si pasojë e mungesës së Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese.

Për shkak të depërtimit e krimit në politikë, dhe shkatërrimit të procesit zgjedhor.

Për ekonominë që lëngon, për pamundësinë për të bërë biznes dhe për të thithur investime të huaja.

Për PPP-të që po hidhen si baste mbi të ardhmen, dhe borxhit publik që rritet në kurriz të taksapaguesve.

Për bujqësinë që mbijeton pa orientim dhe mbështetje, vetëm fal guximit dhe pasionit të fermerëve dhe blegtorëve për punën e tyre.

Sepse ndryshe nga sa u është premtuar, një traktor në Myzeqe paguan të njëjtin çmim nafte të një veture në Tiranë, apo dy herë më të lartë se sa çmimi i me të cilin furnizohet një jaht në Sarandë.

Për të mos folur për subvencionet, të cilat kapin një vlertë të turpshme në krahasim me rajonin, vetëm 1 të katërtën e çmimit të 1 kilometri rrugë, me standardet e Rilindjes.

Prandaj i kemi parë jo pak herë blegtorët të derdhin qumësht dhe fermerët të hedhin në rrugë perimet dhe frutat e tyre. Gjeste dëshpërimi ndaj indiferencës qeveritare, ndaj të cilave ne si PAA nuk kemi qenë të shurdhët, por kemi qëndruar krah tyre. Me njerëz si Eduart Shakra kemi mbështetur protestat e tyre, kemi mbështetur kërkesat e tyre legjitime dhe do t’i mbështesim gjithmonë!

Negociatat janë edhe një pasqyrë e së tashmes, sepse ato treguan se si mungesa e përgjegjshmërisë ndaj zgjedhësve lidhet në mënyrë të drejtpërdrejt me ligjshmërinë e zgjedhjeve. Një pasqyrë e qartë për këtë është Maqedonia fqinje. Patëm të njëjtin rezultat për negociatat, por reagim kryekëput të kundërt nga kryeministrat e dy vendeve.

Ndërsa Zaev çoi vendin në zgjedhje të parakohshme, për të fituar sërishmi besimin e qytetarëve pas vendimit negativ të Këshillit të BE-së, Kryeministri shqiptar nxori përfaqësuesin e vet për të thënë se nuk kishte premtuar hapjen e negociatave.

Dallimi midis të dyve është i qartë, sepse Zaev e ka kontratën me votuesit e tij, ndërsa Rama e ka kontratën me ata që gjithë Shqipëria dhe gjithë Gjermania i ka njohur nga përgjimet e gazetës BILD.

Megjithatë, vendimi negativ për negociatat është edhe një pasqyrë e së ardhmes që na pret. Pavarësisht gjendjes së vështirë në të cilën ndodhet vendi, goditjes të fortë që erdhi si pasojë e shuplakës europiane ndaj Ramës, askush nuk e ndal dot popullin më pro europian në Rajon, sidomos kur te partnerët tanë ndërkombëtarë ekziston një vullnet i qartë politik për të cuar përpara integrimin e vendit.

Bazuar mbi këtë vullnet, dhe 9 pika të miratuar nga miqtë tanë të Bundestagut, pa droje mund të themi se ky qëndrim i Gjermanisë përfaqësojnë yllin polar të orientimit politik të vendit në Europë, si dhe alternativën e vetme për të gërshetuar serish fatet e Shqipërisë me ato të BE-së.

Gjithashtu, sikurse e kemi pohuar të gjithë bashkë, ato përbëjnë një udhërrëfyes nëpërmjet të cilit do të zgjidhet kriza politike dhe vendi do t’i rikthehet normalitetit që i mungon prej shumë kohësh. Sigurisht nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme, dhe në vijimësi të udhëzimeve të partnerëve, pasi të jetë kompletuar reforma zgjedhore.

Një reformë që do të duhej të shënonte një pikë kthese për sistemin politik. Jo vetëm të përmirësonte procesin, duke depolitizuar administratën zgjedhore, duke ashpërsuar ndëshkimet për shitblerjen e votës, duke futur numërimin elektronik, por po aq e rëndësishme është të tejkalohen ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, të cilat u provuan si të papërshtatshme për shoqërinë shqiptare. Si anëtarë të komisionit të reformës të ngritur nga opozita, ne do të shpalosim qëndrimin tonë, i cili duhet rrahur me kërkesat që do të vijnë nga aleatët dhe shoqëria civile. Megjithatë, një gjë është e sigurt, çlirimi i shoqërisë shqiptare nga ngërçi në të cilin ndodhet, duhet të kaloj nëpërmjet garës dhe konkurrencës në zgjedhje.

Është gara që prodhon ndryshim. Është gara që përmirëson një shoqëri. Është një sistem zgjedhor konkurrues ai që i duhet Shqipërisë.

Ndonëse, peshën kryesore për të bërë të mundur Reformën Zgjedhore e kanë partitë tradicionale, ne si PAA nuk do të tregohemi fatalist por, me çdo sistem, do të jemi në garë.

Dhe kjo garë është edhe arsyeja pse ne jemi mbledhur sot këtu.

Jam i bindur se kur ky takim i rëndësishëm elektoral do të vij, do të gjej një Partia Agrare Ambientaliste me identitet të plotë, me një ekip të konsoliduar, me një program të qartë dhe sidomos me një forcë morale të pa kontestueshme.

Një forcë morale që nuk është qëllim në vetvete, për të kënaqur egon tonë si qëndrestarë të një përballje të gjatë, por si një shembull i konkret i qasjes tonë ndaj zotimeve që kemi ndërmarrë.

Si një model mbi të cilin të ndërtojmë marrëdhëniet tona me çdo fermerë, me çdo blegtor, me çdo sipërmarrës të agroindustrisë, por edhe me çdo qytetar që kërkon një qëndrim politik të bazuar mbi forcën e fjalës së dhënë dhe qëndrueshmërinë e angazhimeve të marra.

Nga sot, me këtë model që na dallon, duhet të nisim përgatitjen e strukturave të PAA-së për zgjedhjet e parakohshme. Jo vetëm duke zgjeruar edhe më shumë anëtarësinë tonë në çdo cep të Shqipërisë, por duke nisur identifikimin e votuesve tanë.

Prej shumë kohësh kemi pritur ardhjen e kësaj betejë zgjedhore; të cilën me krenari do ta zhvillojmë nën petkun e Partisë Agrare Ambientaliste. Në emër të çka ne jemi, në emër të çfarë ne dimë të bëjmë më mirë, në emër të përgjegjësisë që kemi për të qenë një alternativë e fortë dhe e besueshme.

Suksese dhe punë të mbarë të gjithëve.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular