Pas mosarritjes së unanimitetit në Këshillin Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, kryeministri Edi Rama ka dashur të vërë në dukje si kundërpeshë raportin mes vendit tonë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që e cilëson si shumë special dhe që qendron në themel të politikës së jashtme të vendit.
I pranishëm në konferencën “Politika amerikane në Ballkanin Perëndimor”, Rama tregoi për besimin që populli shqiptar ka tek Amerika, e më tej edhe për këndvështrimin që Evropa ka për këtë marrëdhënie. “E shohin këtë marrëdhënie si një shprehje deri diku naive të kuptimit tonë për botën”- shtoi kryeministri, e rrëfeu se në takimet me liderë evropianë dhe njerëz të zakonshëm, ata e shohin me keqardhje përkushtimin e shqiptarëve ndaj SHBA-ve. “Jo rrallë më ka ndodhur që të ndesh një lloj buzëqeshje të keqardhur për këtë përkushtim që ne si popull kemi ndaj SHBA”-u shpreh Rama.
Teksa theksoi rëndësinë që SHBA-të kanë për Shqipërinë, Rama u ndal sërish tek vendimi që Bashkimi Evropian dha për një “Jo” për hapjen e negociatave. Shefi i qeverisë tha se përmes mosnisjes së bisedimeve të anëtarësimit, BE-ja ka goditur besueshmërinë. “Vendimi apo mosvendimi që rezultoi një fund të një debati mes veti, ndër të tjera, dhe në radhë të parë i dha një goditje jo të vogël besueshmërisë së vet.”- shtoi Rama.
Këtë kontastim tijin, Rama e paralelizoi me situatën e dialogut të munguar mes Kosovës dhe Serbisë. “Do të jetë e vështirë për të dyja palët që të besojnë tek mundësia e incentivave (premtimeve), që mund të deklarohen me sinqeritet, dhe mund të mos mbahen. Por s’është hera e parë, të themi të vërtetën, por po bëhen disa here që fjala nuk është mbajtur.”- theksoi shefi i ekzekutivit, që shigjetoi përsëri BE-në për problemet e brendshme dhe qasjen që pati ndaj Shqipërisë.
Pjesë nga fjala e kryeministrit Edi Rama:
Qysh prej asaj kohe, marrëdhënia me SHBA e shqiptarëve nisi të plazmohej si një marrëdhënie speciale, e cila sot është në themelin e politikës sonë të jashtme, por më shumë se kaq, është në themelin e vetëdijes së shqiptarëve, se jo vetëm që s’janë vetëm por janë në shoqërinë më të mirë të mundshme. Nëse sot, shqiptarët në rajon janë më mirë se asnjëherë tjetër, krahasuar me të shkuarën e vështirë të kombit tonë, dhe popullit tonë të shpërndarë në të gjithë rajonin, kjo mund të thuhet pa frikë se i dedikohet kësaj marrëdhënieje speciale me SHBA. I shkojnë më së miri kësaj marrëdhënieje dhe shqiptarëve, fjalët e Nolit, i cili thotë “Ky vend kaq i madh që udhëheq njerëzimin drejt paqesë, e drejtësisë”.
Shumëkush nga partnerët tanë evropianë, si njerëz të zakonshëm, e ata më pak të zakonshëm e shohin këtë marrëdhënie si një shprehje deri diku naive të kuptimit tonë për botën, e jo rrallë më ka ndodhur që të ndesh një lloj buzëqeshje të keqardhur për këtë përkushtim që ne si popull kemi ndaj SHBA. Është shumë e vështirë që të mund të kuptohet nga të tjerët “Pse-ja” e kësaj marrëdhënieje e cila padiskutim lidhet me atë çka ne kemi jetuar si komb në shumë faza të historisë, por edhe asaj që kemi përjetuar ne në Shqipëri dhe Kosovë në periudhën e parë të jetës sonë. Nga ana tjetër, nëse sot BP është një vend më i mirë kjo i dedikohet SHBA. Besoj se BP është pasqyra e suksesit të SHBA dhe diplomacisë amerikane që pas përfundimit të luftës së ftohtë. Kapaciteti i BE për të ndikuar në dialogun Kosovë-Serbi me vendimin për negociatat është tkurrur. Vendimi apo mosvendimi që rezultoi një fund të një debati mes veti, ndër të tjera, dhe në radhë të parë i dha një goditje jo të vogël besueshmërisë së vetë. Do të jetë e vështirë për të dyja palët që të besojnë tek mundësia e incentivave (premtimeve), që mund të deklarohen me sinqeritet, dhe mund të mos mbahen. Por s’është hera e parë, të themi të vërtetën, por po bëhen disa herë. Dhe në rastin e Kosovës, kemi një rast flagrant që nuk është mbajtur fjala. Është një tërësi shtetesh, jo një shtet Kosova. Por po flas për kushtëzimin absurd, por që sidoqoftë një kushtëzim që u mor parasysh për liberalizimin e vizave, pas marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi. Është një rast unikal, dhe ndërkohë që nga viti 2014 BE ka liberalizuar vizat për 100 mln njerëz, të cilët jetojnë në territore që s’kanë asnjë proces negociatash, marrja peng në këtë farë feje, e 2 milionë shqiptarëve, janë më pak në fakt që jetojnë në Kosovë, deri në pikën e një vendi të çliruar nga fuqitë e mëdha evropiane, kalon kufirin e çdo absurdi. Është një pengmarrje që tregon mungesën e kapacitetit për të vepruar në mënyrë të unifikuar dhe rënie e familjes evropiane në grackën e një vendi, apo një vendi tjetër që imponon moskonsesusin. Ajo që sipas meje, mbetet e padiskutueshme, është se shqiptarët në përgjithësi s’kanë asnjë rrugë tjetër veçse të ecin në rrugën e vetme që ka piketuar historia jonë dhe që është e trashëguar si amanet, në gjithë vetëdijen e kombit tonë, pavarësisht periudhave të ndryshme.