Sekuestrohen 3 milionë euro pasuri, me burim të ardhurash nga aktiviteti kriminal. Burime zyrtare nga policia e shtetit bënë me dije se në vijim të operacionit “Goldfinger”, u bllokua pasuria e 4 personave, të cilët janë arrestuar gjatë operacionit, në Danimarkë, më datë 26 qershor 2019.
Këta persona janë pjesëtarë të një grupi të madh të strukturuar kriminal për trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike në vendet e BE-së dhe një pjesë të parave të përfituara nga ky aktivitet kriminal e kanë investuar në Shqipëri, kryesisht në vende bregdetare dhe qytete të mëdha.
Të gjitha këto pasuri ishin të regjistruara në emër të familjarëve të tyre dhe personave me të cilët kishin lidhje miqësore. Të njëjtat burime thanë se pasuritë e sekuestruara tashmë administrohen nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave.
OPERACIONI “GOLDFINGER”
Në vazhdim të operacionit “Goldfinger“, që u zhvillua i zhvilluar më 26 qërshor të këtij viti, gjatë të cilit u sekuestruan 200 mijë euro, 10 milionë lekë, 7 automjete, 7 banesa dhe 1 biznes, operacion i koordinuar nga Europol-i dhe i drejtuar nga autoritetet e hetimit në Danimarkë, i shtrirë në disa shtete, si Danimarkë, Gjermani, Belgjikë, Holandë, Suedi, Slloveni dhe Shqipëri, ka vijuar hetimin pasuror për të sekuestruar të gjitha pasuritë e personave të arrestuar gjatë operacionit, të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal i tyre.
Gjatë hetimeve për identifikimin e pasurive të tjera që kishin rrjedhur nga aktiviteti kriminal i shtetasve Jetmir Kastrati, Eri Pelinku, Dëfrim Eçi si dhe Armando Duçaj, të arrestuar në Danimarkë, për veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal ”, “Trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, iu kërkua gjykatës sekuestrimi i pronave të tyre, në bazë të ligjitit antimafia.
Bazuar në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, u vendos sekuestrimi mbi pasuritë, si më poshtë:
-Një kompani private (pulari), me aktivitet në Shkodër, me vlerë investimi mbi 1,5 milionë euro;
-10 apartamente banimi, në plazhin e Velipojës;
-1 apartament banimi në Shkodër;
-14 automjete të markave të ndryshme, prodhim i viteve të fundit;
-Të gjitha pasuritë e sekuestruara kapin vlerën 3 milionë euro.
-Të gjitha pronat e sekuestruara dyshohen se rrjedhin nga aktiviteti kriminal i personave të arrestuar, të cilët i kanë regjistruar në emër të familjarëve të tyre.
Pronat e sekuestruara më datë 26.06.2019 dhe 29.10.2019, me vendim gjykate, i janë dorëzuar për administrim Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave.
Policia e Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, po vijon punën për dokumentimin e plotë dhe zbardhjen e gjithë skemës së këtij grupi kriminal, personat e tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të regjistruara në Shqipëri në emër të tyre, familjarëve apo personave me të cilët kanë lidhje miqësore dhe shoqërore.
Hetimet vazhdojnë për të verifikuar pasuri të tjera të luajtshme apo të paluajtshme, si dhe llogari bankare të përfituara nga aktiviteti kriminale i këtyre personave.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë për të identifikuar pasuri të tjera të përfituara nga aktiviteti kriminal i këtyre personave dhe i personave të tjerë.