Nga Ismail ARSLLANI
Në gjeografinë shqiptare të Maqedonisë (së Veriut), por edhe në meridianë më të gjerë, shqiptarët në mënyrë verbale janë për të qenë bashkë, por në praktikë po punojnë në vazhdimësi, me vetëdije apo pa të, për ndarje e përçarje. Kjo gjendje po krijon një terren të përshtatshëm për zhvillimin e sindromës së vetë-shkatërrimit. Mentaliteti ynë ballkanik, edukata dhe niveli ende i ulët kulturor, si dhe vorbulla e egërsisë, smirës, xhelozisë, hakmarrjes, pesimizmit e të tjera karaktere negative të një personaliteti, kanë mbërthyer rradaken e një numri të mirë njerëzish, që reflektojnë në shoqërinë tonë, por edhe në politikë. Ky reflektim po na armiqëson, na bën të huaj me të afërmit, konfronton vëlla me vëllanë. Me ardhjen e pluralizmit politik dhe vrapit të verbër pas pasurimit (pa mund e djersë), kjo dukuri ka marrë dimensione shqetësuese. Atëherë, si t’ia dalim mbanë?
Mbase, si gjithherë, duhet të nxjerrim mësim nga përvoja popullore, që është ngulitur në proverba, anekdota, fabula e fjalë të urta. Një anekdotë e këtillë do të na nxjerrë para pasqyrës: “Ishin dy vëllezër që donin shumë njëri-tjetrin dhe s’kishin ndonjë mospajtim. Punonin bashkërisht në kopshtet e tyre dhe çdo gjë e ndanin përgjysmë. Një ditë ndodhi një grindje mes tyre, për një keqkuptim, por dalëngadalë keqkuptimi u shtua dhe u inatosën keq, duke i këputur lidhjet. Pas një kohe, një burrë i panjohur trokiti në derën e vëllait të madh. Ishte një punëtor i zoti dhe kërkonte punë. Vëllai i madh iu përgjigj pozitivisht kërkesës, duke i thënë se e pranonte në punë, nëse do të ndërtonte një mur të lartë pranë lumit që e ndante atë me të vëllanë, sepse nuk donte ta shihte më.
Punëtori pranoi punën, ndërsa vëllai i madh që i dha punë mori rrugë për disa ditë. Kur u kthye pas sa ditësh, ishte befasuar: në vend të murit të lartë, mjeshtri kishte ndërtuar një urë, që lidhte të dy anët e lumit. Në ato momente doli vëllai i vogël nga shtëpia e tij dhe vrapoi drejt vëllait të vet në përqafim, me fjalët: “Sa vëlla të mirë që të kam! Ke ndërtuar urë mes nesh, përkundër gjithë asaj të keqeje që të kam bërë! Unë me të vërtetë krenohem me ty!”, kishte thënë vëllai i vogël.
Ç’ndodh tash e sa kohë në hapësirën tonë? Ata që merren me politikë, janë me “kalkulatorë” në xhepa, para zgjedhjeve, çfarëdo qofshin ato. Mbushin bateritë dhe fillojnë me kalkulimet, në vend që të kyçin trurin për programe dhe projekte të reja, që nuk i ka dëgjuar ky popull dhe të dalin ballëlartë para masës e të betohen se do t’i përmbushin ato, e, nëse jo, do të japin toptan dorëheqje. Një qasje e këtillë e politikanëve që janë kurorëzuar me partitë politike, do të ishte sa korrekte, po aq edhe e domosdoshme, nëse duan të dalin faqebardhë. Populli është ngopur nga premtimet boshe që përsëriten nga zgjedhjet në zgjedhje, pa kurrfarë zotimi e përgjegjësie.
Një gjë duhet pasur parasysh. Natyrisht, opozita duhet të angazhohet për pushtet, sepse vetëm aty mund t’i realizojë synimet dhe premtimet, si dhe ta dëshmojë aftësinë e politikbërjes. Nëse fitojnë zgjedhjet apo kanë mundësi koalicioni qeverisës, subjektet e caktuara politike s’duhet të justifikojnë mos futjen në pushtet me mos pranimin e “kushteve” të parashtruara të tyre nga mandatari. Sepse, beteja bëhet aty ku është pushteti, përndryshe votat shkojnë huq dhe elektorati dëshpërohet e nuk del në votime.
Por, çështja është se si të fitohen zgjedhjet. Dukshëm ndikon, nëse subjektet politike janë të bashkuara, si një. Interesat kombëtarë të partive politike shqiptare në Maqedoni kanë pak dallime, vetëm në nuanca, por janë interesat e ngushtë partiakë e gruporë që fusin turbullirë dhe përçarje. Do të jetë një gabim i madh nëse partitë opozitare nuk bashkohen si një, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që duhet të mbahen më 12 prill të vitit të ardhëm, aq më shumë që lideri i partisë shqiptare në pushtet (BDI), Ali Ahmeti ftoi disa herë opozitën shqiptare që të bashkohet dhe nëse duhet le ta mundin partinë e tij, por të mos lejojnë që të shkapërderdhen e të shkojnë huq votat shqiptare dhe të humbet numri i deputetëve shqiptarë.
Por, para partive politike opozitare shqiptare paraqitet dilema hamletiane. Kjo dilemë del nga propozimi që vendi të ketë një njësi zgjedhore, që ka anët pozitive dhe negative. Në një situatë të re, me një njësi zgjedhore, do të ishte mirë që partitë e vogla të dalin në zgjedhje vetë, sepse votat s’do të shpërndahen si më parë nëpër njësitë zgjedhore dhe nuk do të shkrihen në saldon e partive të mëdha. Kjo do ishte një mundësi e mirë që paritë e vogla të opozitës të garojnë për ta matur forcën reale politike që e gëzojnë në popull. Nëse vendosin kështu, atëherë bashkimi dhe koalicionet mund të ndodhin pas zgjedhjeve. Të gjitha këto opsione, në këtë moment, janë hipotetike.
Në anën tjetër, lideri i LSDM-së, njëherësh kryeministër, i cili është promotor i një njësie zgjedhore, ia ka tërhequr vërejtjen partnerit të koalicionit, BDI-së, e cila nuk dëshiron ndryshime në njësitë zgjedhore, se në kushte të vjetra mund t’i humb zgjedhjet në kampin shqiptar.