Një lajm i trishtë erdhi këtë mbrëmje nga Spitali i Traumës, ku ndërroi jetë gjashtë ditë pas atentatit shoferi i prokurorit Arjan Ndoji, Andi Maloku.
“BalkanWeb” sjell një video nga ambientet e spitalit, ku shihen familjarët që sapo kanë marrë vesh lajmin e rëndë. Ata shpërthejnë në britma, ndërsa dëgjohen duke sharë “O plehrë, hape derën, mor pisat e …”
Ky duket se është momenti kur familjarët sapo janë informuar për vdekjen e të riut dhe kërkojnë që mjekët të hapin derën e t’i lejojnë të shohin trupin e tij të pajetë. 24-vjeçari Andi Maloku ndërroi jetë rreth orës 18:15, pas një komplikacioni.
Ai ndodhej te Spitali i Traumës që prej 1 nëntorit, ku u qëllua me breshëri kallashnikovi, duke marrë dy plumba në mushkëri dhe një në shtyllën kurrizore. Në atentat u plagos edhe prokurori Arjan Ndoji me Pëllumb Muharremin, i njohur si “Rrumi” i Shijakut.