Liverpool thyen 3-1 Manchester City dhe fluturon drejt titullit kampion, edhe pse rruga është ende e gjatë, por diferenca prej 9 pikësh nga Citizens dhe 8 nga ndjekësi më i afërt Leicester të jep siguri. Reds e Jurgen Klopp shkatërruan prapavijën e City me dy gola në pjesën e parë dhe një të tretë nga Mane në të 51, përpara se Bernardo Silva të ngushtonte diferencën. Por ajo që tërboi Pep Guardiolën 7 minuta nga fundi ishte një penallti e munguar që do të rihapte lojën…
Një Guardiola kështu nuk ishte parë prej kohësh. Sigurisht rezultati e kishte bërë nervoz, por në topin e goditur nga Sterling protesta e teknikut spanjoll ishte elektrizuese, duke e kuptuar se ishte episodi që mund ti ndryshonte rrjedhën kampionatit. Citizens duhet të presin ende për të thyer tabunë 16 vjecare pa fitore në Anfield dhe këtë e kuptuan që në fillim kur Reds e Jurgen Klopp shënuan në minutën e 6 me Fabinho, duke goditur edhe moralisht kundërshtarin. Mohamed Salah siguroi avantazhin me golin e dytë në minutën e 13, duke e bërë një të përpjetë të frikshme pjesën e mbetur të takimit për të besuarit e Guardiolas.
Humbja e Manchester City mori përmasa në Anfield Road, kur Liverpool udhëhoqi me tre gola diferencë, pas realizimit të Sadio Mane. Sulmuesi shënoi në minutën e 51, duke thyer portierin Bravo. Për Guardiolën mbeten pak gjëra për të bërë, me rezultatin e ndeshjes që dukej i vendosur. Bernardo Silva i dha 12 minuta shpresë City kur shënoi golin e ngushëllimit, por vetëm kaq nuk mjaftoi. Liverpool fitoi, por polemikat do të vazhdojnë gjatë…