“Bon bon” është titulli i këngës së Era Istrefit që dëgjohet në altoparlantët e stadiumit të ri kombëtar. Vllaznia e kualifikuar në Champions për femra sfidon Apoloninë dhe në fund, me dy gola ia del që të marrë 3 pikët.
Mirepo ërtej rivalitetit të kësaj sfide, qëllimi kryesor i ndeshjes ishte kolaudimi i stadiumit të Mirëpori kombëtar. 75 milionë euro të investuara për ta shndërruar “Qemal Stafa”-n në një nga impiantet më moderne në rajon, i Kategorisë së Katërt të UEFA-s.
STADIUMI
I gjithë perimetri i stadiumit ishte bllokuar për makinat nga Policia e Shtetit, për ta shndërruar sheshin “Nënë Tereza” në pedonale në funksion të ndeshjes dhe më saktë inaugurimit të stadiumit të ri kombëtar. Njerëz të shumtë që u drejtoheshin hyrjeve të stadiumit. Kordonë policorë drejtonin dhe udhëzonin.
Punonjës të shumtë “security” bënin kontrollin fizik dhe biletën, me çmim zero lekë, por me vlerën e kontrollit dhe certifikimit të pikave hyrëse për sportdashësit. Nëpër shkallë ka ende pluhur tallashi, pasi impianti ka sërish nevoja të vogla punimi. Tribuna qendrore? Edhe ajo, e cila do të presë mes të tjerë personalitetesh, numrin një të UEFA-s, Aleksandër Ceferin, ka ende vend për punime dhe rregullime sipërfaqësore për të mbuluar ndonjë kabull ende të dalë jashtë.
ATMOSFERA
Ekipet në nxehmje e sipër dhe si për t’i vënë “vulën e konfirmimit”, në sfond dëgjohet Era Istrefi. Këngëtarja nga Kosova me famë ndërkombëtare me superhitet e saj, jehon në stadiumin e ri kombëtar.
“Bon bon” shoqërohet edhe me shou dritash, që ofrojnë atmosferë vërtetë elektrizuese. Më tej, në nisjen e “ndeshjes, nis të ekzekutohet himni i Ligës së Kampionëve, i cili nuk lihet të përfundojë deri në fund.
VËZHGIMI
UEFA ka sjellë prej javësh e muajsh njerëzit e saj që lënë detyra dhe vendosin afate, por dje i pranishëm ka qenë një nga personat që angazhohet në ndeshjet më të rëndësishme.
“Panorama Sport” ka mësuar emrat e atyre që kanë vënë edhe firmën e licencimit të stadiumit të ri kombëtar. Fernando Messe dhe Keith Daiton kanë qenë dje përgjatë gjithë ndeshjes për të vëzhguar nga afër gjithçka. Fusha, tribuna e medias dhe siguria kanë qenë tri pikat kryesore të vëzhgimit të djeshëm dhe mësohet të kenë marrë edhe vlerësimin pozitiv për të pritur në impiant Francën, ditën e diel.
INTERESIMI
Me një sy të lirë, shquan në impiant më së paku 5000 njerëz të shpërndarë në të dyja katet e tij. Për pjesën e parë ishin të gjithë kuriozë, por në të dytën, stadiumi nis të zbrazet. Risi? Komoditeti! Freskia dhe temperaturat e ulëta nuk e zbehin shijen e një stadiumi të tillë. Në tribunën për karshi, në katin e parë, ka 6 pozicione kateringu.
Një lëng, ujë apo edhe një birrë me një gotë plastike janë ajo që nuk është parë thuajse kurrë në impiantet shqiptare. Kjo e bën stadiumin shqiptar të një kategorie tjetër. Gjithashtu poltrone të ngritura për kamera, që plotësojnë panoramën e plotë të transmetimit, krahas atyre që janë në tribunën qendrore, mbi pozicionet e mediave.
FUSHA…
Fusha shumë e butë, kushtëzuar edhe nga reshjet e shumta të shiut krijon shpesh plisa me dhe. Mbase edhe cilësia… Për fat të keq u regjistrua edhe një incident i vogël. Një i ri hedh një shishe drejt fushës dhe ndalohet më pas nga policia.
NDESHJA
Për kronikë, Vllaznia e fiton pastër 2-0 supersfidën ndaj Apolonisë. Skuadra shkodrane dominon përgjatë gjithë takimit dhe Megi Doçi është ylli i ndeshjes. Dy traversa me goditje të jashtëzakonshme nga distanca, shpërthime në krahë, driblime dhe pasime vertikale precize, e kanë bërë futbollisten që të dallojë mbi të tjerat. Apolonia mbron mirë dhe pjesa e parë mbyllet pa gola. Shkodranet shënojnë në minutën 78 me Bajraktarin dhe dy minuta me vonë me Lufon.
Ogur i mirë që goli i parë në stadium realizohet pikërisht nga një futbolliste e Kombëtares shqiptare të femrave. Sfida mes dy rivaleve në kampionat fitohet nga Vllaznia kryesuese që nis pas këtij takimi të krijojë edhe distancën me skuadrën fierake. Si për të testuar gjithçka, edhe ndihma e shpejtë, për fat të keq nxjerr të dëmtuar me barelë një nga lojtaret e Apolonisë.
INAUGURIMI
Shqipëria testoi stadiumin më modern të rajonit me një akustikë fantastike dhe pamje e komoditet teatral. Shqipëri, ta gëzojmë. Tifozë, shijojeni. Politikë, bëj më shumë infrastrukturë sportive sa më afër modernes. Kombëtare, inauguroje me fitore, edhe pse përballë do të kesh kampionët e botës. Në fund të fundit, do jemi 20 mijë e 11 në fushë kundër Mbape & CO. Mbase ia dalim.
OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL