BallinaKryesoreMbi justifikimin e pështirë “Mos dil kundër hyqymetit”

Mbi justifikimin e pështirë “Mos dil kundër hyqymetit”

Nga Ilir Nikolla

Në ligjërimin publik u kthye sot më shumë se kurdoherë, me një jehonë që të kujtonte censurën e diktaturës, shprehja legjitimuese e dhunës “është shtet ai, di se ç’bën”, ose me variantet “shtetit s’ke ç’i bën” apo “shtetit më mirë mos i dil përpara”. Dhuna e veshur me shtet mori pamjen e gazit lotsjellës që hidhet mbi qytetarët për të mirën e të gjithëve, mori pamjen e arrestimeve të grave se herët a vonë aty do të ndërtohet një autostradë që me siguri do na duhet dhe mbi të gjitha mori pamjen e të dhunuarve në spitale që disi e kanë merituar se kot s’merret shteti me to.
Pranimi i dhunës është një paradhomë e diktaturës, e një pushteti autokratik që bëhet pronar jo vetëm i pronës së shtetasve, por edhe i sjelljes së tyre, pra, me fjalë të tjera, edhe i jetës së tyre. Dhuna që forca policore ushtruan sot mbi burra, gra e fëmijë s’mund të likuidohet me koracën “e di vetë shteti se ç’bën, ne atij ja kemi lënë në dorë gjithçka”. Sipas këtij rendi, nesër mund të mblidhet organizata bazë e partisë së Erion Veliajt e të shprehet se nuk i pëlqen se si e çojnë jetën banorët e Laprakës ta zëmë, apo se si i mirëmbajnë kopshtet e tyre banorët e Farkës, prandaj që të dyja lagjet duhet të zhbihen e në vend të tyre të vijë një popullsi e përzier, e cila e pëlqen jetën në kuadrate të organizuara sipas stilit “Komuna e Parisit”.
Por jo veç kaq. Sipas stilit të komisioneve të internim-dëbimeve, nesër mund të ngrihen (siç ishin edhe dikur) komisione për monitorimin e sjelljes së individëve, njëfarësoj policie morali, që mat se sa (jo)entuziastë po tregohen nënshtetasit ndaj partisë që na dha dritën, shkollën, gruan e jetën. Shenjat janë të qarta. Ligjet për kontrollimin e portaleve dhe rrjeteve sociale janë thjesht një banko-provë e monitorimit 360 gradësh që regjimi synon të ketë ndaj shtetasve të vet. Nëse ata sillen keq, dy janë rrugët, dhuna ose dëbimi. Në ditët e sotme të “print-screening”-ut të këtij mekanizmi kontrolli, dëbimi ka marrë trajtën e përzënies me takt për jashtë. Dhe justifikimi gjendet bash në histori: shqiptarët le të ikin, se ashtu kanë bërë gjithmonë e kështu le të bëjnë edhe sot, shyqyr Zotit që ja mbërritëm kësaj dite. Kush është më kryethyer e bën rezistencë, shteti të kërcënon, shteti të heq gruan e familjarët nga puna, shteti të falimenton biznesin e më pas, shteti të shpronëson e të fut në burg, duke të mohuar çfarëdolloj mundësie që të apelosh e të kërkosh të drejtën tënde.
Të gjitha këto hapa po ndodhin në këtë periudhë “print-screening”-u të mekanizmit të dhunës që ka vënë në zbatim qeveria. Tash ka mbetur veç të hiqet edhe maska e shtetit demokratik dhe të vendoset edhe hapur, se shpronësimi po ndodh vetëm ndaj elementëve që konsiderohen kundër shtetit.
Po fuzionohet totalisht termi i pushtetit me atë të shtetit, sepse në fund të fundit, kryeministri synon të jetë shteti duke përjetësuar pushtetin. Banorët e Unazës së Re janë element antishtet, element antiparti, prandaj edhe dhuna e shtetit është e justifikueshme, sepse shteti i di mirë punët e veta dhe e di mirë edhe cila është e mira jonë. Si gjithmonë, në krye të kësaj hurdie legjitimuese janë të njëjtët njerëz në media dhe dy maskat e Edi Ramës në pushtet, Sandër Lleshi dhe Erion Veliaj. Ata janë “hyqymeti” që i del për Zot çdo paudhësie, në emër të Edi Ramës.
Fazat janë djegur me shpejtësi, hyqymeti i Edi Ramës po zbaton në shkallë të gjerë dhunën ndaj atyre që i konsideron “elementë antiparti”, por më vonë ky mekanizëm ka për t’u shtrirë medoemos edhe tek “armiku i brendshëm”. Dhuna është shkalla e fundit para legjitimimit të autokracisë, prandaj edhe zgjidhjet për ta shpëtuar shtetin 107-vjeçar nga bashkimi i pushtetit me shtetin duhen kërkuar tek rezistenca ndaj kësaj fytyre, ndaj fytyrës së shtetit armik me qytetarin. Ish-kryeministri Berisha flet vazhdimisht për 51 format e mosbindjes civile, por me pamjet e sotme, është shtuar droja se ato forma s’mjaftojnë më.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular