Nga Red Varaku
Pa pasur asnjë paragjykim për Arta Vorpsin, mjafton betimi i saj përballë një notereje në vend të betimit tek Presidenti i Republikës, për të bindur këdo që ajo nuk është vetëm një grua e paaftë, por është një pushkë e mbushur në duart e qeverisë, këmbën e së cilës e lëviz vetëm kryeministri.
Shumë këtë idiotësi mund ta shikojnë si dobësi të saj, por në të vërtetë, kjo është arsyeja e vetme për të cilën ajo është përzgjedhur nga kryeministri. Ky është një standart i pakapërcyeshëm i kryeministrit. Idiotësia dhe nënshtrimi i verbër është kthyer në një vlerë të padiskutueshme për të gjithë bashkëpunëtorët e tij.
Ky është prototipi i Ardian Dvoranit, Gent Ibrahimit, Arta Markut , Ulsiut, Lleshit, Elisës, Denarit dhe gjithë sërës së njerëzve që Rama, po i përzgjedh për t’i pasur si garanci për mosndëshkimin e tij pas largimit nga pushteti. Ata janë thjesht ushtarë që nuk kanë të drejtë të mendojnë me trutë e tyre, por thjesht duhet të zbatojnë urdhrat, sado kriminale qofshin ato.
Ashtu siç ka kapur të gjitha pushtetet , Rama njësoj po tenton të kapë edhe Gjykatën Kushtetuese, ndaj nuk duhet gjykuar Arta, ajo është në rregull me standardin e saj. Ajo zbaton vetëm atë që i thonë. Ajo dhe të gjitha Artat vetëm këtë dinë të bëjnë. Të zbatojnë me verbëri urdhrat e shefit. Kjo lloj specie, janë njerëz që e kanë të ndaluar të mendojnë vetë dhe të tentojnë të bëjnë diçka, qoftë dhe pro shefit, pa ia kërkuar ai.
Në këtë pikë, emërimi i Artës si anëtare e Gjykatës Kushtetuese që në hapat e para është jo vetëm një përpjekje për të kapur Gjykatën Kushtetuese, por është edhe një taktikë e Ramës për të dekurajuar opozitën dhe për të krijuar një klimë pesimizmi në mungesë të zgjedhjeve të parakohshme .
Me ushtarë të verbër pa dinjitet si Ardiani, Genti, Denari, Arta Marku dhe së fundmi Arta Vorbsi, që janë aty jo për të menduar dhe drejtuar, por për të zbatuar atë që i thonë, pikë për pikë, kryeministri kërkon që të zgjasë sa më shumë rikthimin e demokracisë shqiptare në shina e normalitetit. Dhe në terma të interesit personal mirë bën, sepse rikthimi i Shqipërisë në normalitet do të sillte edhe fundin e tij.