BallinaKryesoreDialogu pan-shqiptar e ka jetik përjashtimin nga tryeza të Edi Ramës

Dialogu pan-shqiptar e ka jetik përjashtimin nga tryeza të Edi Ramës

Nga Ilir Nikolla

Vëzhgues të jetës politike në Tiranë do ta kenë vënë re se Edi Rama e ka grisur himenin e dialogut për kapërcimin e krizës politike në vend (ai e quan dendur “ndërç artificial”) dhe ka shtuar propagandën e kryerjes së reformave “sup më sup” me opozitën e re dhe me mbështetjen e atyre që janë “në anën e duhur të historisë”. Turravrapi i tij synon të ndalet veç kur të përmbyllet kapja totale e të gjitha institucioneve e kur të jetë realizuar i ashtuquajturi “rreth i qetësisë”, pra kur askush s’pipëtin më, sepse ose të gjithë janë konformuar me regjimin e tij, ose ata që s’janë konformuar janë larguar ose janë izoluar. Mjetet e izolimit dihen, janë burgu, mbyllja e portaleve si dhe linçimi publik me fletërrufetë me pagesë që shiten për media.

Kur Edi Rama ka vendosur të ecë i vetëm drejt provës finale të forcës, që synon instalimin edhe formal të “regjimit të ndritur” të tij, çfarë dialogu po promovojnë opozita dhe presidenti i republikës dhe çfarë dialogu i nevojitet aktualisht vendit? Tashmë është e qartë se ftesa për dialog nuk përfshin më Edi Ramën dhe klikën e tij, për shkak se asnjë zgjidhje s’mund të vijë më nga bashkë-nënshkrimi me të. Ligjërimi kryeministror i këtyre ditëve me togfjalëshin “në anën e duhur të historisë” s’i lë asgjë mangut propagandës së ISIS-it kundër Perëndimit dhe synon t’i japë Ramës monopolin hyjnor të së vërtetës, të atij që dallon të mirën nga e keqja si dhe mëshirën fuqiplotë që ai ka ndërmend ta vërë në zbatim veç me disa prej “armiqve” të tij të zhytur në llucë, me të cilët do të nënshkruajë traktin e paqes dhe të “Rilindjes” së pasosur. Ky ligjërim veç sa ekstremizon klimën politike në vend, edhe ashtu mjaft të nxehtë dhe rrezikon të hapë një gjueti shtrigash në shoqëri, një gjueti që rrezik s’ndalet veç në linçime publike (politike), por që druaj se rrezikon të grishë edhe aspektin tjetër të linçimit, nga strukturat e krimit të organizuar që mendojnë se në këtë situatë, ka ardhur rasti të lajnë edhe ato ca hesape me hapësirën publike që s’është krejt e zbrazët për ta.

Prandaj, në rendin e ditës është edhe identifikimi i dialogut që i duhet aktualisht shoqërisë shqiptare. Ka një konsensus kombëtar se liritë po rrezikohen dhe se standardet e fituara me Lëvizjen Antikomuniste “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa” janë rrëgjuar 6-7 vitet e fundit. Statistikat e “Transparency…” e “Doing Business” flasin qartë se jemi në një emergjencë demokratike. Pikërisht, mbi këtë konsensus duhet thirrur dialogu, duke përfshirë jo veç grupime politike, por edhe intelektualët dhe komunitetet fetare.

Merret vesh se ky dialog i madh ka probleme të mëdha institucionalizimi, prandaj suksesi s’ka pse të mos kërkohet edhe në mënyrë sektoriale. Nismat e presidentit të republikës dhe ato të kryetarit të opozitës, parë në këtë këndvështrim, janë sektoriale, por s’ka pse të mos përkrahen. Institucionalizimi i dialogut mund të kërkojë kohë, por është e vetmja lëvizje që jep shpresë se instalimi i regjimit do të ndalet. Këtë herë, instalimi i regjimit ka një eko lindore, prandaj edhe kundërshtarët e tij mund ta kenë të vështirë që gjejnë hëpërhë aleatë të gatshëm për t’i ndihmuar në botën perëndimore. Duke e parë këtë lëvizje si inkluzive, si urgjencë që vjen nga brenda botës shqiptare (në të gjithë hapësirën e Evropës Juglindore), është fat i madh që qysh tani është arritur konsensusi i parë, se botës shqiptare i duhet një dialog mbarëkombëtar, i cili përjashton Edi Ramën, faktorin kryesor që po e kërkon mbrothësinë e vet në politikë, mbi përçarjen, përjashtimin dhe linçimin.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular