Drejtoresha e tatimeve, Delina Ibrahimaj ka shpjeguar dje në një dalje për mediat, arsyen se pse u vendos që individët që kanë më shumë sesa një pagë, në fillim të vitit pasardhës do të duhet të deklarojnë të ardhurat dhe të llogarisin tatimin si mbi një pagë të vetme për vitin paraardhës, edhe nëse kanë të ardhura nën 2 mln lekë në vit.
Dypunësimi ishte një burim shmangie, tha ajo dhe kjo nuk është e drejtë, shkruan Monitor.. Janë 24 mijë individë, ndër të cilët inxhinierë arkitektë, shefa guzhine, etj të cilët kanë bërë shmangie fiskale me qëllim që të deklaronin më pak tatim mbi të ardhurat. Pjesa më e madhe e këtyre individëve janë me paga të larta dhe si rrjedhojë ata i kap tatimi prej 23% për pagat e bashkuara) mbi 150 mijë lekë.
Deklarata e tyre do të jetë më e thjeshtuar tha Ibrahimaj. Ajo shtoi se ky është një rregullim politike dhe jo një politikë e re, ndërsa nuk ka një efekt fiskal të parashikuar.
“Nga verifikimet e bëra në sistem rezulton se aktualisht janë rreth 24 mijë individë qe janë te dy apo trepunesuar ne punedhenes te ndryshem. Keto individe jane te profesioneve te cilet realisht mirepaguhen ne tregun e punes, si inxhinier, arkitekte, ekonomiste, mesues, pedagoge, konsulente, guzhiniere. Ne shume raste ata jane individe te cilet kane pozicione drejtuese ne kompanite ku jane te punesuar, si drejtore ekzekutive, drejtore shitjesh, administratore te kompanive, etj”, tha Ibrahimaj.
Si rritet automatikisht tatimi për të dypunësuarit
Një individ që ka dy paga mujore nga 50 mijë lekë, aktualisht paguan në vit si tatim mbi të ardhurat 62,400 lekë në total (për të dy pagat, llogaritet vetëm 13% e shumës mbi 30 mijë lekë). Në fillim të vitit të ardhshëm të vitit, kur të bëhet deklarimi i të ardhurave dhe rillogaritja, ai do të duhet të paguajë shtesë në total edhe 46,800 lekë (pasi tatimi do të llogaritet mbi një pagë të vetme prej 100 mijë lekësh dhe do të rezultonte në total 109,200 lekë për gjithë vitin). Shuma e paguar do të rritet në këtë rast me 42% (shiko tabelën 1).
Në rast se individi ka dy paga që i kalojnë 150 mijë lekë në muaj, tatimi që ata do të paguajnë do të jetë edhe më i lartë, pasi pjesa mbi 150 mijë lekë do të tatohet me 23%. Psh, një individ me dy paga nga 90 dhe 80 mijë lekë në muaj (170 mijë lekë në total), aktualisht paguan 171.6 mijë lekë tatim në vit. Me deklarimin e të ardhurave, tatimi total do të rezultojë 242.4 mijë lekë, ose 78,800 lekë më shumë. Shuma totale që duhet paguar është 30% më e lartë, sesa kur deklaronte dy rroga veç e veç (shiko tabelën 2)./Monitor