Në një kohë kur dje Gjykata Kushtetuese njohu zyrtarisht si anëtare të saj Marsida Xhaferllari dhe jo Arta Vorpsin, maxhoranca ka bërë hapin e radhës.
Në një dalje publike nga Kryesia e Kuvendit, kreu i grupit të PS-së Taulant Balla tha se maxhoranca do të vazhdojë veprimet për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, duke i dërguar Komisionit Hetimor materiale të reja shtesë për veprimet apo mosveprimet në rastin e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.
“Do të nisim veprimet për shkarkimin e presidenti Meta pasi me veprimet dhe mosveprimet e tij ka shkelur Kushtetutën. Me vendimin është marrë kërkesa për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e presidenti për zgjedhjen e organeve për qeverisjen vendore. Presidenti i Republikës, me një kurs të përplasjes me Kuvendin ka vijuar të shkelë Kushtetutën. Vlerësojmë të domosdoshëm që këto vlerësime të bëhen nga Kuvendi i Republikës për shkarkimin e presidentit. Kushtetuta jonë, rregullorja, nuk ndalojnë komisionin Hetimor në punën e tij dhe Kuvendi nuk mund të vendosë kufizime për këtë çështje. Nëse kjo kërkesë nuk vlerësohet si në shkelje të Kushtetues, atëherë shkresa është detyrim dhe jo diskrecion i Kuvendit. Një palë që ka dorëzuar një kërkesë mund të ndryshojë dhe të shtojë atë. Dekreti i presidentit për Xhaferllarin është nxjerrë në shkelje të Kushtetutës. Njësoj siç veproi me dekretin për zgjedhjet, veproi njësoj si me Xhaferllarin”, tha Balla.