BallinaAktualitet“Zëri i Amerikës”: Paketa e Ramës “anti-KÇK” bie ndesh me kompetencat e...

“Zëri i Amerikës”: Paketa e Ramës “anti-KÇK” bie ndesh me kompetencat e prokurorisë

spot_img
spot_img

Në Shqipëri Kryeministri Edi Rama prezantoi pikat kryesore të një pakete të re ligjore që sips tij synon të godasë më fort krimin e organizuar. Paketa duket të jetë e ngjashme me atë antimafia, në fuqi prej shumë vitesh, duke e shtrirë dhe më tej rrezen e veprimit të saj, ndërsa i jep policisë, sipas një projekti që qarkullon në media, shumë kompetenca që rrezikojnë të bien ndesh me ato të Prokurorisë.

Kryeministri Rama e prezantoi nismën e paralajmëruar në një takim me drejtues të institucioneve dhe grupin e deputetëve të partisë socialiste. Në gati dy orë të fjalës së tij, në një skenë teatri, ku ai ishte folësi i vetëm, pjesa më e gjatë ishte më tepër e natyrës elektorale, një bilanc i qeverisë së tij në disa fusha, gjatë këtyre 6 viteve në pushtet.

Ndërsa 30 minutat e fundit, ju dedikuan asaj për të cilën ishte njoftuar takimi i sotëm, masave të reja kundër krimit të organizuar, në një kohë kur sipas tij, prokurorë e gjykatës, të cilët i ka cilësuar prej kohësh, pjesë të organizatës kriminale, “Kap Çfarë të Kapësh”, ose KÇK, po shfrytëzojnë periudhën para nënshtrimit ndaj vettingut duke u kthyer siç u shpreh më tej ai, në shërbëtorë, apo deri dhe tutorë të krimit të organizuar.

“Ne duhet të ndërhyjmë me një Ligj special kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit dhe të gjithë normën e ligjit antimafia ta kalojmë në kurriz të subjekteve të këtij ligji, të tyre dhe familjarëve të tyre. Dhe gjithkush nga këta duhet të provojë përpara gjykatës që shtëpinë, makinën, biznesin i ka si rezultat i punës”, u shpreh kryeministri,

Masat e parashikuara do të jenë të tre kategorive, personale, që nga ndalimi i daljes nga vendi deri te kufizimi i lëvizjes në një territor të caktuar, masa pasurore, ato që lidhen me sekuestron preventive ndërsa barra e provës i takon të dyshuarit apo akuzuarit, dhe ato me karakter ekonomik, duke i përjashtuar nga e drejta për licencime apo përfitime nga fondet publike përmes kontratave apo koncesioneve.

Kryeministri kërkoi gjithashtu që të sqarohet me ligj dhe ndërhyrja e Këshillit të Prokurorisë apo të atij Gjyqësor për prokurorët apo gjyqtarët që kryejnë shkelje:

“Duhet sqaruar ligjërisht që Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe ai I Gjyqësorit, të marrin masë për pezullimin dhe inspektimin, lidhur me anëtarin përkatës të kësaj organizate kriminale, ndërkohë që deri në krijimin e institucionit dhe funksionimin e plotë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, nëse ne nuk e bëjmë këtë, do të bëhet name në Shqipëri”.

Mbetet për t’u parë se si këto ndërhyrje janë përkthyer në formën e ligjit. Një projekt që po qarkullon në media tregon se nisma është e ngjashme me ligjin antimafia, madje e tejkalon atë në rrezen e veprimit. Policisë duket se i njihen kompetenca të gjëra edhe për aspekte delikate që lidhen me kufizimin e lirive të personave, e që duket se rrezikojnë të bien ndesh me ato të prokurorisë, apo të krijojnë struktura paralele dhe me institucionet që janë në ngritje e sipër.

Pikërisht sot, u emëruan 8 anëtarët e parë të Prokurorisë speciale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, SPAK, e parë si shpresa e madhe në luftën ndaj këtyre dy fenomeneve që po e gërryejnë shoqërinë prej shumë vitesh. Ata pritet të nisin detyrën më datë 19 dhjetor kur është parashikuar të bëjnë dhe betimin tek Presidenti i Republikës.

Në emër të emergjencës, kryeministri njoftoi se nisma e tij do të miratohet si akt normative, gjë që do të thotë se do të hyjë menjëherë në fuqi, dhe më pas do t’i nënshtrohet vlerësimit nga ana e parlamentit, ndërsa shmanget një diskutim më i gjerë që do të përfshinte dhe aktorë të tjerë. Madje deputetët socialistë u paralajmëruan së në rast se nuk votojnë për këtë nismë do të përjashtohen nga grupi parlamentar.

Reagimet politike

Partia Demokratike foli për “një shfaqje qesharake propagandistike”, përmes së cilës sipas Sekretarit të Përgjithshëm Gazmend Bardhi, Kryeministri Edi Rama, “njoftoi dublimin me ligj të SPAK-ut dhe BKH-së, duke i dhënë policisë kompetenca që Gjykata Kushtetuese ia rrëzoi 4 vjet më pare. Në thelb, ligji RKÇK – Rama Kap ÇA T’KAPËSH – nuk ka asnjë masë të re domethënëse nga ligjet ekzistuese kundër krimit të organizuar dhe mafias. Masat e prezantuara janë sot ose në Kodin Penal, ose në ligjin antimafia. E reja e vetme e ligjit “Rama Kap Ça t’Kapësh” është marrja e kompetencave të SPAK-ut dhe BKH-së, duke ia dhënë ato një grupi nën kontrollin e Kryeministrit”, u shpreh zoti Bardhi.

Kundër nismës së prezantuar sot nga Kryeministri është edhe LSI-ja.

“Sot që ngrihet SPAK dhe Byroja e Hetimit, që për më shumë se 2 vitesh është mbajtur peng nga Edi Rama dhe grupi i tij, sot ai na lançon KÇK e famshme, policinë politike të tij. Një polici e tillë e një ligj i tillë vendoset në mënyrë paralele për të shkatërruar provat për byronë e hetimit dhe SPAK-un, një polici e tillë dhe një strukturë e tillë që vendoset në mënyrë paralele për të penguar hetimin e veprave korruptive të Edi Ramës, të cilat i dalin jo vetëm në ëndërr, por nuk e lënë të flejë. Duke filluar që me koncensionarët e famshëm dhe më pas në të gjitha projektet e tij korruptive të cilat kanë kaluar në një Parlament ilegjitim”. /voa

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular