Tërmeti shkatërrimtar ka lënë pas, përveç 49 jetëve të marra, edhe pasoja dramatike, teksa ka shembur e nxjerrë jashtë funksionit me qindra banesa.
“BalkanËeb” sjell pamjet dramatike të shkatërrimit nga Thumana, që ishte një ndër zonat më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.
Siç shihet dhe në video, pallati është shkatërruar, por fatmirësisht banorët kanë arritur të shpëtojnë jetën e tyre. Dy prej banorëve tregojnë momentet e tmerrit, dhe si mundën të shpëtojnë, duke iu dhënë ndihmë edhe komshinjve të tyre.
Agim Dule: “Jemi pesë pjesëtarë në familje, gruaja, dy fëmijët dhe nëna. Kur ra tërmeti i dytë dolëm jashtë. Shtëpinë kishim vendosur ta shisnim, pasi do të iknim për një jetë më të mirë në Tiranë. E kam blerë 20 mijë euro, doja ta shisja 25 mijë. Kam një dyqan me këpucë të vjetra në Tiranë, shkoj e vij çdo ditë bashkë me gruan. Tashmë po rrimë në çadër, ndihma na kanë sjellë plot, por nga banesa nuk nxorëm dot asgjë.
Janë bërë 25 mijë euro dëm, sepse kam pas tre hyrja në katin e tretë, edhe dy të vëllait. Pas tërmetit të 21 shtatorit patëm shumë dëme, erdhën bënë ca matje, por nuk na thanë të iknim. Shpresojmë të na shpërblehet shtëpia, pyeta një polic dhe më tha që do shpërblehet, pasi e kam me letra”.
Aurel Xheka: “Jetoj prej 4-5 vitesh këtu. Punoja gjithë jetën në beton dhe bleva këtë shtëpi, që u shemb. Arrita të marr vetëm dokumentet italiane, asgjë tjetër. Policia më tha që mund të marrë vetëm dokumentet, pasi nuk mund të merret asgjë tjetër, pasi rrezikohet i gjithë pallati. Arrita të dal pas tërmetit, isha një nga të parët që dola. Shpëtova edhe dy komshinjtë e mija, me mbiemër Lala.
Momentalisht po jetojmë në çadër, autoritetet na thanë të dalim nga çadra dhe të shkojmë në Lezhë. Po unë kam frikë të shkoj në Lezhë, se edhe aty ka rrezik nga tërmeti. Të gjithë po ikin nga zonat malore. Kjo fatkeqësi ka ndodhur edhe para dy vitesh, por nuk na tha askush asgjë për të ikur, se nuk do të isha aq i paaftë të hipja në kat të pestë me fëmijët dhe gruan. Kur i shoh sot fëmijët e nusen, qaj dhe i puth”.