Sot, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo theksoi se Shtetet e Bashkuara do t’i shtojnë përpjekjet për të luftuar korrupsionin në mbarë botën.
Sekretari Pompeo njoftoi se gjatë vitit 2019, për shkak të përfshirjes në korrupsion madhor, rreth 40 zyrtarë të huaj dhe anëtarët e familjeve të tyre janë përfshirë nga Departamenti i Shtetit në listën e atyre që u ndalohet hyrja së bashku me familjet në ShBA. Uashingtoni, tha ai, do ta vazhdojë më tej këtë praktikë.
Nga Shqipëria në këtë listë, janë 3 ish-zyrtarë dhe familjet e tyre, që e çojnë në 14 numrin e përgjithshëm të individëve që u ndalohet hyrja në Amerikë.
Zyrtari i fundit nga Shqipëria i përfshirë në këtë listë ishte ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. E njëjta masë është marrë më parë për ish-Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe ish-deputetin socialist Tom Doshi. /VOA/