Tre prokurorë të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion kanë shprehur interes për të drejtuar këtë strukturë të krijuar së fundmi.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë bën me dije se prokurorët Arben Kraja, Edvin Kondili dhe Altin Dumani kanë dorëzuar pranë Këshillit letrën e motivimit në të cilët shprehet interesi për pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, letrën mbështetëse (shpjeguese) dhe vizionin ose planin e besueshëm ndërtimin e Prokurorisë së Posaçme si një institucion funksional dhe efektiv.
Sot ishte afati i fundit për aplikimin për pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
“Bazuar në njoftimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të shpallur në faqen zyrtare të Këshillit me datë 26 nëntor 2019 janë njoftuar të gjithë prokurorët e emëruar në Prokurorinë e Posaçme të shprehin interesin për pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme. Afati i aplikimit është data 10 dhjetor 2019.
Dorëzimi i kërkesës dhe dokumentacionit bëhet pranë zyrës së Protokollit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në adresën: Rruga “Qemal Stafa”, nr.1, pranë mjediseve të Prokurorisë së Përgjithshme, Tiranë”, thuhet në njoftim.