Nën drejtimin e këshilltares së kryeministrit Edi Rama dhe në paqartësi e kontradikta, deputetët socialistë në Komisionin e Medias miratuan projektligjet e kundërshtuara për mediat online, duke i dhënë Këshillit të Ankesave brenda AMA-s fuqinë e gjykatës. Drafti final i publikuar nga kryeministri rëndon sërish gjobat.
Deputetët socialistë të Kuvendit të Shqipërisë ngritën duart lart me dhjetra herë përgjatë 12 orëve të martën në favor të dy projektligjeve të kryeministrit Edi Rama, të cilat imponojnë një regjim gjobash dhe kontrolli administrativ deri në mbyllje të mediave online- pa një vendim gjykate.
Dy projektligjet e prezantuara si “paketa antishpifje” u miratuan me urgjencë dhe me ndryshime të vogla formale, fillimisht në Komisionin e Ligjeve, më pas në atë të Veprimtarisë Prodhuese dhe në orët e vona të natës, në komisionin përgjegjës të Medias.
Projektligjet kundërshtohen gjerësisht nga institucionet ndërkombëtare si dhe nga komuniteti vendas dhe ai ndërkombëtar i gazetarëve si drafte që nxisin censurë dhe cënojnë lirinë e shprehjes dhe atë të medias në Shqipëri. Megjithatë, mazhoranca vendosi t’i shtyjë ato drejt votimit final në seancë plenare të mërkurën, duke mbyllur veshët ndaj një seti të gjerë rekomandimesh të Bashkimit Europian, Këshillit të Europës, OSBE-së dhe Kombeve të Bashkuara si dhe një injorim të thirrjeve për t’i tërhequr ato mbrapsht.
Standardet ndërkombëtare të lirisë së medias sugjerojnë mekanizmin vetërregullues për adresimin e çështjeve etike si dhe zgjidhjen e pretendimeve për shpifje në gjykatë. Në kundërshtim të tyre, draftet e miratuara të martën në Kuvend i japin fuqi një institucioni të quajtur Këshilli i Ankesave brenda Autoritetit të Medias Audiovizive, AMA që të gjykojë mbi përmbajtjen e mediave online, të vendosë gjoba menjëherë të ekzekutueshme dhe t’i mbyllë ato në mungesë të një vendimi gjykate.
Deputetët socialistë në dy komisione parlamentare u shfaqën në shumicë të paqartë, të painformuar dhe kontradiktorë mbi ndryshimet ligjore që po miratonin të martën. Pak zëra të ndrojtur që kërkuan pezullimin e gjobave deri në një vendimi final të gjykatave, u mbytën nga insistimi i përfaqësuesve të qeverisë se “kjo ishte një masë parandaluese”.
“Në gjykatë, pas falimentit”
Paketa e projektligjeve për median online ndryshon 30 nene të ligjit “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” dhe 5 nene të ligjit “Për Komunikimet Elektronike”. Të dyja draftet u miratuan fillimisht në Komisionin e Ligjeve dhe në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese-ku deputetët ngritën fillimisht shqetësimin se ishin edhe vetë të painformuar mbi kontestimet.
Në orën 5 pasdite, draftet u pritën me protestë nga kryetarja e Komisionit të Medias, Fatjona Dhimitri dhe deputeti demokrat Erion Piciri, të cilën bojkotuan seancën.
“Shpresuam që orët e gjata të pritjes do të shërbenin për të reflektuar, por pjesa e mazhorancës e shoh që do ta kalojë me forcën e kartonave. Në pamundësi për t’a ndalur këtë, shpall bojkotin deri në tërheqjen e projektligjeve dhe i bashkohem protestës së gazetarëve,” tha Dhimitri para se të largohej nga salla.
Edhe Erion Piciri, i zgjedhur nga listat e PD i konsideroi projektligjet përpjekje për censurë dhe kapje të medias.
“Ne jemi ende një vend pjesërisht i lirë. Partia Socialiste, si trashëgimtare e Partisë së Punës nuk duhet t’i rikthehet mendësisë bolshevike. Media ka problemet e veta, por këtë operacion duhet ta bëjë drejtësia e re dhe jo një nga tre qeveritë më të korruptuara të Europës,” tha Piciri dhe u largua nga salla.
Nënkryetarja Milva Ikonomi zuri tavolinën e kryetarit dhe socialistët në komision, të përforcuar edhe nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjoni, këshilltarja e kryeministrit Rama, Elira Kokona si dhe relatoret e komisionit të Ligjeve, Vasilika Hysi dhe Klotilda Ferhati vazhduan të pashqetësuar punën.
Në të njëjtën linjë me përfaqësuesit e tjerë të qeverisë, edhe ministrja Gjonaj tha se për hartimin e legjislacionit ishin studiuar praktikat e 28 vendeve të BE-së dhe se ishin reflektuar të gjitha rekomandimet e OSBE. Gjonaj i mëshoi gjithashtu faktit se Franca kishte miratuar në nëntor ligjin ‘anti fake neës’ dhe se Gjermania kishte miratuar një ligj për mediat sociale.
Ndryshe nga sa pretendoi Gjonaj, ligji francez targeton mesazhet politike anonime dhe transparencën e reklamave, ndërsa ai gjerman e ngushtëson fokusin vetëm në gjuhën e urrejtjes dhe atë që konsiderohet përmbajtje kriminale në rrjetet sociale.
Deputeti Musa Ulqini e konsideroi OSBE-në “violinë të parë” në këtë proces dhe Bashkimin Europian, Këshillin e Europës dhe OKB-në si ndjekëse të rekomandimeve të saj. Ulqini u ankua edhe për dëgjesat më përfaqësues të medias që e kishin quajtur ligjin “fashist” sipas tij në mënyrë të padenjë. Në mbështetje të Ulqinit, deputetë të tjerë në Komisionin e Medias kontestuan rrëmujshëm edhe emrin e profesorit Mark Marku dhe kërkuan largimin e tij nga bordi i AMA-s; krejt në padijeni të faktit se Marku nuk është një anëtar i Bodit të AMA-s.
Deputetët në Komisionin e Medias vendosën që Këshilli i Ankesave të kishte edhe juristë përveçse gazetarë dhe ngritën duart pa vështirësi deri në nenin 28. Më pas, e gjithë fushata e qeverisë u shkërmoq për disa orë në komision përballë dy shqetësimeve thelbësore; ekzekutimin e menjëhershëm të gjobave pa një vendim gjykate dhe anashkalimin e bordit të AMA-s nga një Këshill që emërohet nga vetë AMA.
Deputeti Fidel Ylli pyeti se ç’kuptim kishte ankimi për gjobën në gjykatë “pasi ke falimentuar”, ndërsa Ulqini shtoi se mos kjo do t’i vendoste në vështirësi përballë Strasburgut. Përgjigja e deputetes Vasilika Hysi nga Komisioni i Ligjeve duket se i la të dy të pakënaqur.
“U diskutua kjo çështje në Komisionin e Ligjeve dhe ne vendosëm të rrijë siç është, pasi i bie të përfitojnë edhe ato televizione, që opozita thotë se janë të oligarkëve,” tha Hysi.
“E shoh të pavend që në momentin që vendos AMA, gjoba shkon për titull ekzekutiv në gjykatë, sepse më falimenton. Çfarë kuptimi ka që e fitova gjyqin pasi kam falimentuar,” tha Ylli, duke sjellë ndërprerjen e parë të mbledhjes në Komisionin e Medias.
Këshilltarja e Ramës ‘merr frenat’
Në konsultimin me dyer të mbyllura brenda Komisionit të Medias, këshilltarja e kryeministrit, Elira Kokona zuri karrigen e kryetarit dhe nisi të bindte deputetët se pse gjobat duhej të ishin titull ekzekutiv përpara një ankimi të mundshëm në gjykatë. Kokona e krahasoi penalizimin e medias me rastet kur një polic të bllokon makinën në rrugë dhe e konsideroi këtë si ‘masë parandaluese’.
E pyetur nga një deputet nëse gjykata kishte të drejtë të pezullonte gjobën, Kokona u përgjigj gjithashtu negativisht.
“Ekziston si mundësi në praktikë [pezullimi], përveç rasteve kur ligji e parashikon ndryshe. Në këtë ligj parashikohet ndryshe,” tha ajo.
Lëkundjes së deputetëve iu shtuan pikëpyetje të tjera nga përfaqësuesit e AMA-s dhe AKEP-it në Komision.
Kryetari i AMA-s, Gentian Sala ngriti pyetjen se çfarë ndodh kur bordi i AMA-s rrëzon vendimin e Këshillit të Ankesave. Ndërsa përfaqësuesi i AKEP u ankua se institucioni nuk kishte mundësi teknike për të vendosur pop-up dhe se ky detyrim do t’u kalonte kompanive që shpërndajnë internet.
“Nuk po flasim për gjoba makinash këtu, por për lirinë e medias. Pse nuk ia lini bordit, sepse ne kemi një procedurë të konsoliduar dhe nuk kemi asnjë gjobë të rrëzuar në gjykatë,” tha Sala.
“Duhet të jetë e qartë që AKEP nuk kontrollon internetin e Shqipërisë. Ne nuk mund të vendosim pop-up, sepse ne nuk kemi një server të gjithë internetit të Shqipërisë diku. Në ligj duhet thënë që AKEP urdhëron ISP-të,’ shtoi ai.
Shqetësimeve të ngritura, Kokona iu përgjigj me argumente gjysmake dhe i këshilloi deputetët që për parashikimet ligjore të shihnin variantin e qeverisë dhe jo atë të rishikuarin në Komision. Pyetjeve se çfarë mendojnë ndërkombëtarët për këto pika, ajo iu përgjigj: Të gjithë janë dakord –pavarësisht se në Komisionin e Medias, përfaqësues të 4 organizatave ndërkombëtare u shprehën qartësisht kundër fuqizimit të AMA-s me kompetenca të gjykatave.
Nga ana e saj, nënkryetarja e komisionit, Milva Ikonomi kërkoi ndihmë nga këshilltarja e Ramës për të hartuar listën e shkeljeve që parashikon ligji dhe penalizimet përkatëse. Kokona tha se ato ndaheshin në shkelje të karakterit madhor [në rastet e pornografisë, terrorizmit apo sigurisë kombëtare] me karakter procedurial dhe për të drejtën e përgjigjes.
Një riformulim i nenit 29 u shty sërish për diskutim, ndërkohë që Ikonomi dhe Ulqini propozuan një lehtësim të gjobës për portalet në krahasim me mediat televizive, siç thanë ata në respekt të rekomandimeve për propocionalitet. Për shkeljet që lidhen me gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin apo të drejtën e përgjigjes, gjobat u vendosën të jenë nga 100-400 mijë lekë, propozim të cilit iu bashkua edhe Kumbaro.
Komisioni mori sërish pushim për të rishikuar nenin 29 dhe pas largimit të Kokonës, për ndihmë u shfaq deputetja Klotilda Ferhati. Pas më shumë se dy orësh, deputetët i rihapën dyert me një formulim të ri në formë, por të njëjtë në përmbajtje.
“Subjekti i ndëshkuar mund të bëjë ankim në Bordin e AMA-s për shkelje sipas nenit 33/1, 53/1 të këtij ligji. Ankimimi i vendimit të Këshillit të Ankesave nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit. Bordi i AMA shqyrton ankesën dhe shpall vendimin jo më vonë se 10 ditë. Kundër vendimit të Bordit të AMA-s mund të bëhet ankim në Gjykatën Administrative të Tiranës,” lexoi Ikonomi.
Deputetët ngritën duart, thanë “dakord, dakord” dhe u larguan nga salla.
Dredhi në minutë të fundit
Masat e gjobave kanë qenë gjithashtu një ndër pikat më të debatuara gjatë hartimit të projektligjeve, dëgjesave publike dhe diskutimeve në komisionet parlamentare. Përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare i konsideruan ato joproporcionale dhe ‘falimentuese’ për median online.
Si shumë parashikime të tjera ligjore, edhe masat e gjobave ndryshuan shpesh gjatë procedurave për miratimin e dy projektligjeve. Nga krahasimi i variantit përfundimtar të miratuar në Komisionin e Medias mbrëmjen e së martës dhe variantit të publikuar nga kryeministri Rama në Twitter, gjobat janë ashpërsuar sërish.
Dy relatorët Milva Ikonomi dhe Musa Ulqini propozuan në komision lehtësimin e gjobave për shkeljet e sanksionuara në nenin 33/1 nga nga 1 milion që ishte tavani i sipërm në 400 mijë lekë për mediat online, në respekt siç thanë ata të shqetësimeve të ngritura para tyre. Propozimit iu bashkua dhe Mirela Kumbaro dhe deputetët i miratuan në Komision.
Në draftin e publikuar në Twitter nga Rama, gjoba maksimale për portalet është rritur sërish në 600 mijë lekë si kufi maksimal.
Kur nuk respektohet vendimi i Këshillit të Ankesave, gjoba për portalet do të jetë nga 40 mijë në 800 mijë lekë.
Megjithatë, mediat online mund të ekspozohen nga penalizime disafish më të larta deri në 2 milionë lekë nëse ato refuzojnë të zbatojnë vendimet e bordit të AMA-s për të drejtën e përgjigjes dhe korrigjimin. Birn