Personi që shihni në foto është 45-vjeçari Flamur Duci, i cili u gjet i vrarë sot pranë lokalit të tij. Ngjarja ndodhi në fshatin Mborje të Korçës. Gazetarja Lorena Kodra bënë me dije për ‘BalkanWeb’ se Duci, i divorcuar dhe baba i dy fëmijëve, jetonte i vetëm prej disa kohësh.
Ndërkohë ai u gjet i pajetë jashtë lokalit, ndërsa kishte një plagë në kraharor, të shkaktuar nga një mjet prerës si dhe të djegura në pjesën e kokës, pasi ishte tentuar që të digjej nga autorët.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se mendohet që të kenë qenë më shumë sesa një person në vendin e ngjarjes. Si fillim, mendohet që autorët kanë shkuar në banakun e lokalit që ishte dhe dyqan, ndërsa kanë goditur me thikë 45-vjeçarin. Më pas për të humbur gjurmët, e kanë spërkatur atë me benzinë dhe kanë tentuar që ta djegin.
Këta të fundit ende nuk janë identifikuar nga policia, ndërsa kjo e fundit po vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes.