Nga Red Varaku
Ëndrra për të kontrolluar Ballkanin është ëndrra më e madhe e serbëve. Për të realizuar këtë ëndërr ata kanë kryer krime dhe luftëra të përgjakshme gjatë gjithë historisë. Jugosllavia nuk ishte gjë tjetër vetëm se realizim i kësaj aspirate.
Sigurisht, frymëzuesja dhe mbështetja e realizimit të kësaj aspirate ka qenë gjithmonë Moska, e cila nëpërmjet një Beogradi të fortë , merr një rol të rëndësishëm në ‘tavolinën’ ku ndahen interesa të rëndësishme ndërkombëtare.
Projekti i mini Jugosllavisë nuk është tjetër, vetëm se një përpjekje për të realizuar këtë ëndërr, por në një version të maskuar me terma perëndimorë siç është termi ‘mini schengen’, duke iu mbivendosur dhe rivalizuar nismën CEFTA, që është një projekt që mbështetet plotësisht nga Perëndimi, presidencën e të cilës ironikisht këtë vit e ka Shqipëria.
Ndërkohë, fakti që kjo nisëm u aktivizua menjëherë pas vendimit të prerë të BE për bllokimin e integrimit me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, sigurisht që synon krijimin e një blloku të ri ekonomik dhe politik si sfidë të Moskës ndaj Bashkimit Europian dhe Perëndimit .
Pra, për shqiptarët nuk është dhe nuk duhet të jetë tjetër vetëm se ‘kolonizim i ri’ i Shqipërisë dhe shqiptarëve nga Serbët, duke izoluar dhe futur kështu një thikë pas shpine interesave të Kosovës.
Atë që Serbia rreth 100 vjet më parë duhet ta merrte me armë , tani po e merr pa derdhur asnjë pikë gjak dhe pa shkrepur asnjë fishek. ‘Tradhtari’ Rama u vetëofrua për ta shitur ‘shqiptarinë’ vetëm për ca kohë më shumë në pushtet. Pra, është e qartë që mini Jugosllavia nuk është as më pak dhe as më shumë vetëm se rikthimi i Serbisë në krye të Ballkanit, realizimi i ëndrrës së Serbisë së Madhe nëpërmjet kolonizimit ekonomik fillimisht, si faza e parë e ‘pushtimit’.
Ky projekt që po merr formë e kthen Ballkanin Perëndimor në një hapësirë krejtësisht të dominuar ekonomikisht nga vëllai i vogël i Moskës, Beogradi. Sigurisht, që kjo marrëveshje më pas do të sjellë dhe ‘humbje’ të sovranitetit’ për Shqipërinë dhe Maqedoninë, duke e kthyer Beogradin në kryeqytet të mini Jugosllavisë.
Kjo nuk do të ishte vetëm një thikë pas shpine për Kosovën , një tradhti e gjakut të derdhur për pavarësi , por do të ishte edhe një tradhti e interesave kombëtare shqiptare, popullit më të vjetër në Ballkan mbi të cilin përgjatë këtyre shekujve është kryer spastrim etnik dhe genocid . Gjëja e fundit që do të donin shqiptarët, do të ishte kthimi në ‘hyzmetqarë’ të hasmit të tyre shekullor, Beogradit dhe Moskës.
Me Vuçiçin, Serbia ka fituar një qetësi dhe vetëkontroll të habitshëm. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij as që e ndjejnë më nevojën për të kërkuar falje për krimet e kryera në Ballkan, aq më tepër kur dihet që vetë Vuçiç është trashëgimtar i drejtpërdrejtë i Millosheviçit.
Ndërkohë, në sajë të aftësisë së tij, ‘kasapët’ e Ballkanit çuditërisht janë edhe përfituesit më të mëdhenj ekonomikë në rajon. Sigurisht, çelësi i këtij suksesi është Moska , për të cilën Beogradi ka qenë gjithmonë kryeqytet.
Në rastin konkret Beogradi është shndërruar në nyjën kryesore ku ndërlidhen interesat e Moskës, Pekinit, Stambollit, Berlinit dhe Parisit, duke rifituar lavdinë e tij të dikurshme.
Sigurisht, që forcimi i ‘armiqve’ tanë shekullorë nuk është një lajm i mirë për shqiptarët, sepse është e qartë që Serbia jo vetëm nuk e ka harruar të shkuarën, por është bërë edhe më agresive në realizimin e projektit të saj për të dominuar Ballkanin, por kësaj here nuk ka zgjedhur forcën ushtarake për të nënshtruar Ballkanin, por ka zgjedhur ‘kolonizimin’ ekonomik.
Kjo do të thotë, jo vetëm mohim i vuajtjeve dhe gjakut të derdhur nga shqiptarët për shekuj me rradhë, por edhe humbje e rolit dominues të shqiptarëve në rajon, pra asgjësim të investimit më të madh amerikan në Ballkan dhe kthim i tyre në ‘skllevër’ të armiqve të tyre historikë.
Kthimi në ‘hyzmetqarë’ të xhelatit tonë historik , pasi vetë ne e hodhëm në erë mundësinë e artë që na dha Perëndimi për të udhëhequr Ballkanin, është dështimi ynë më i madh kombëtar.
Vetëm një uragan i madh popullor mbarëkombëtar, kundër Edi Ramës njeriut që me këtë akt ka kryer tradhëti të pastër kombëtare, mund ta ndalojë këtë marrëzi dhe ta shpëtojë kombin shqiptar nga ky projekt antishqiptar. Nëse nuk reagojmë sot për ta ndalur këtë tradhëti duke e hequr zvarrë këtë kryeministër, nesër do të jetë shumë vonë, sepse ‘ai popull që tregohet i butë me tradhtarët, është i destinuar të shkatërrohet’.