BallinaSocialeAplikimet për Green Card dhe martesat në distancë në SHBA, flet avokati...

Aplikimet për Green Card dhe martesat në distancë në SHBA, flet avokati amerikan

Për çështje të emigracionit në SHBA sqaron avokati Kieran Both:

Kam një djalë 19 vjeçar që ka lindur këtu në SHBA. Është e mundur që ai të bëjë menjëherë lutje për bashkim familjar me mua apo duhet të presim derisa të mbushë 21 vjeç? Ish-gruaja ime paraqiti një lutje për bashkim familjar para shumë vitesh, por u ndamë përpara se të shkonim për intervistë dhe lutja nuk u aprovua nga shërbimi i emigracionit. Vajza sapo ka filluar studimet e larta në New York. Kam 20 vjet që pres të kem një status të ligjshëm nga emigracioni./PV/ Yonkers, New York.

Fatkeqësisht do t’ju duhet të prisni edhe pak. Vetëm nënshtetasit amerikanë 21 vjeç e lart mund të paraqesin formularë për bashkim familjar (I-130) për prindërit. Nënshtetasit amerikanë nuk mund të paraqesin formularë I-130 për gjyshërit, nipat, mbesat, xhaxhallarët, dajat, tezet, hallat, kushërinjtë, vjehërrin apo vjehrrën.

Bashkëshorti im sapo është bërë nënshtetas amerikan. Mund ta bëj intervistën për green card në Amerikë? Para dy vjetësh, kur kishte green card, ai paraqiti një peticion për bashkim familjar me mua. Kam ardhur në SHBA me vizë turistike, por statusi më skadoi pasi u martuam./DD/Camden, NJ

Po. Bashkëshorti juaj mund të kërkojë që në lutjen për bashkim familjar që ka paraqitur, të figuroni tashmë si bashkëshorte e një nënshtetasi amerikan [dhe jo më e një rezidenti të përhershëm]. Kjo nënkupton që do të përfshiheni në kategorinë e “të afërmve të drejtpërdrejtë të një nënshtetasi amerikan”, me të drejtën për t’u intervistuar në SHBA pavarësisht se keni qëndruar përtej afatit të vizës. Gjithashtu nuk ju duhet më të paguani tarifat që kërkon qendra kombëtare e vizave pranë Departamentit të Shtetit (NVC-ja). Nëse ju vijnë letra apo e-mail-ë që kërkojnë këtë gjë, duhet t’u shkruani dhe t’u thoni që keni në plan të bëni kërkesë për green card në SHBA. Gjithashtu duhet të paraqisni formularin për kërkesë për green card I-485, dokumentat në mbështetje të kësaj kërkese së bashku me tarifat përkatëse si dhe njoftimin nga Shërbimi i Emigracionit (USCIS) që lutja për bashkim familjar I-130 ju është aprovuar. Bashkëshorti juaj duhet të paraqesë gjithashtu bashkë me formularin I-485, një kopje të çertifikatës së natyralizimit. Shpresat janë që datën e intervistës do t’jua caktojnë brenda vitit.

Unë dhe gruaja jemi së bashku si çift që prej 5 vjetësh. Për shkak të punëve që bëjmë kemi jetuar të ndarë, por e vizitojmë shpesh njëri tjetrin. Më në fund jemi martuar dhe dua të sponsorizoj kërkesën për green card për të. Ajo ka ardhur në SHBA me vizë. Ku duhet të aplikojmë? Vazhdojmë të jetojmë të ndarë gjatë kohës që punojmë./BD/New York, NY

Gruaja juaj ka të drejtë të aplikojë për green card, sepse ka hyrë në mënyrë të ligjshme në SHBA. Ajo duhet të paraqesë formularin I-485 së bashku me peticionin I-130 të paraqitur prej jush. Këto dokumenta i duhen dërguar USCIS Chicago Lockbox. Për dërgimin nëpërmjet shërbimit postar të SHBA-së (USPS), adresa është: USCIS, P.O. Box 805887, Chicago, IL 60680-4120.  Për dërgim nëpërmjet FedEx-it, UPS-it, dhe DHL-it adresa është: USCIS, FBAS, 131 South Dearborn, 3rd Floor, Chicago, IL 60603-5517.  Në seksionin 4, faqe 8, pyetjet 60 dhe 61 duhet të tregoni qytetin ku jeton gruaja dhe zyrën e USCIS-it ku ajo do të bëjë kërkesë për green card. USCIS do të kërkojë që të jeni bashkë në intervistë. USCIS mund ta aprovojë peticionin I-130 edhe pse bashkëshortët jetojnë veç e veç, sa kohë që çifti mund të vërtetojë që martesa mes tyre është bona fide (domethënë e përmbush parimin e mirëbesimit). Përkufizohet si martesë bona fide ajo martesë që është ligjërisht e vlefshme, domethënë që  bashkëshortëve u është lejuar ligjërisht të martohen, sepse kanë arritur moshën për martesë, sepse mes tyre nuk egzistojnë lidhje të ndaluara dhe të gjitha martesat e mëparshme (nëse kanë patur të tilla) kanë përfunduar ose janë zgjidhur sipas ligjit. Një martesë bona fide është ajo martesë që nuk është sajuar thjesht për t’i siguruar njërit prej bashkëshortëve përfitim për qëllime emigracioni.

Çifti i martuar duhet të tregojë që lidhja e tyre martesore është e vlefshme dhe kjo bëhet duke paraqitur dëshmi dhe prova të dokumentuara përpara oficerit të USCIS-it. Ka shumë lloje provash që vërtetojnë qëllimin tuaj në kohën kur u martuat. Për shembull, mund të paraqisni dokumenta si më poshtë:

Dokumenta që tregojnë pronësi të përbashkët;
Polica sigurimi ku është listuar dhe bashkëshortja;
Formularët e taksave;
Dokumenta që tregojnë përzierje të burimeve tuaja financiare;
Çertifikatë/a lindjeje të fëmijës/ve që keni bërë së bashku;
Prova që dëshmojnë që e vizitoni shpesh njëri tjetrin si p.sh. bileta autobusi apo avioni;
Deklarata të noterizuara nga palë të treta që janë në dijeni që lidhja martesore mes jush është e vërtetë. Deklaratat në fjalë duhet të përmbajnë informacion të plotë dhe hollësira të cilat shpjegojnë për mënyrën se si personat që po i lëshojnë ato deklarata, e kanë marrë informacionin që ka të bëjë me lidhjen mes jush./ Gazeta Illyria

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular