BallinaKryesorePISA 2018 nxori në shesh pisllëkun dhe zhulin e reformave "epokale" në...

PISA 2018 nxori në shesh pisllëkun dhe zhulin e reformave “epokale” në arsim

spot_img
spot_img

Nga Ndriçim Mehmeti

Rezultatet e PISA 2018, kaluan fare pa u ndier, pa ndonjë analizë konkrete, pa kërkesë llogarie pa ndjesë, pa pendesë e sigurisht pa festë. Mos vallë për shkak të tërmetit të 26 nëntorit? Për shkak të punëve të mëdha me të cilat merret qeveria? Unë nuk e besoj një gjë të tillë.

Tre vjet më parë në PISA 2015, Komandanti e mori rrugën revan në këmbë prej ndërtesës së kryeministrisë e fill tek ministrja më e dashur për të në atë kohë, znj. Nikolla.

Thuri lavde e ç’nuk tha për suksesin që ja dedikoi vetes, ndonëse kishte pak më shumë 2vite në pushtete. Ndërsa tani bën kinse sikur nuk e kam marrë haberin për fundin që prekëm me shpejtësi skëterrë në arsimin parauniversitar, për tri vite, nga 2015 në 2018.

Pse hesht Komandanti ynë mendimtar e vizionar? Përse ta ka mbyll gojën PISA 2018?

Sepse pa u menduar dhe siç e ka zakon vetëm ai, na premtoi se në 2018, do të kishim një rritje spektakolare të arritjeve në testimin PISA të radhës, për shkak të reformave të tij epokale dhe të zyshes së tij të urtë e të meçme Lindita, që e bëri ministre të diturisë.

Komandanti na siguroi se në arsim po bëheshin çudira, reforma radikale, të panjohura në 30 vitet e fundit, madje që nga koha e Ismail Qemalit. Kryeministri njëherësh Komandanti ynë, Kalorësi i Legjionit të Nderit, përndryshe Skënderbeu i Kohëve Moderne, siç e quan Liza në botën e çudirave, na premtoi se tani fëmijët mësojnë me testet më të mira të Bashkimit Evropian, pra të Britanisë së Madhe.

Por ja që na dolli se Britania e Madhe iku e i la fotografinë BE-së dhe fjalët e Komandantit për vendin më të fuqishëm në Bashkimin Evropian, duke se e morën mësysh Inglzin duke e bërë lanet Evropin. Pastaj na tha vetë Komandanti se do të sillte në sistem mësuesit më të mirë në vend, përmes portalit ‘Mësues për Shqipërinë’, ose siç njihet gjerësisht nga publiku shqiptar ‘Mësues për Partinë’. Vetë Komandanti lançoi idenë e famshme, që shpejt u quajt reforma më e rëndësishme, ‘nxjerrim nga arsimi mësuesit pa arsim përkatës’.

Shifrat i manipulonte vetë, përqindjet i nxirrte vetë, më pas jepte edhe zgjidhjet që erdhën shumë shpejt. Ishte media që zbuloi se mësuesit pa arsim përkatës pas reformës së Ramës, jo vetëm që ishin aty por edhe u shumëfishuan. Infermierja u bë mësuese e ciklit fillor, mësuesi i historisë jepte muzikë, ai letërsisë matematikë e kështu me radhë. Reforma e drejtimit të arsimit, shkëputi nga skena e ‘Portokallisë’ Xhevrien dhe e dërgoi të drejtojë shkollën 9 vjeçare, bash në zemër të Tiranës.

Magazinierë me përvojë në DRSH, u bënë drejtues të shkollave të mesme, falsifikues të votave, të dënuar si të tillë, specialistë të Zyrave Arsimore. Pastaj shoqja Linditë na ndërmori një reformë tjetër: japim mësim në spitale, madje premtoi edhe dhënien e dëftesave.

Mësim u dha javën e parë e dëftesa asnjë, ashtu sikundër përfundoi edhe nisma e famshme e mësimit në shtëpi për nxënësit e ngujuar nga gjakmarrja Pra u gënjye përsëri e përsëri e përsëri. Komandanti legjendar, më në fund nxori edhe një xhevahir të ri, të padëgjuar si gjithnjë në të gjithë sininë e Ballkanit e në gjithë milet.

Japëm libra falas në përdorim, e na i ktheni prapë e ne prapë i japim dhe ju mësoni më mirë. Vendosi dhe provime në klasë të pestë, pa shoqja Linditë na ngriti edhe një Institut Lidershipi në arsim, që u zhduk pa nam e pa nishan. Por ama të dy Komandanti dhe Lindita, krah për krah e sup më sup, festuan arritjet e PISA 2015, duke harruar se ç’kishin thënë më parë, për arsimin e vitit 2006 e këtij, pra pikërisht nxënësit që korrën rezultate shumë të mira se PISA 2018.

Frutat e ëmbla ja deshën PISA 2015, por sharjet për arsimin para 2013, nuk i kursyen për vite me radhë.

Po Besa zëvendësministrja e arsimit parauniversitar dhe sot ministre përse nuk flet?

Veç faktit që ende nuk e ka marrë veten pas goditjeve të tërmetit, nuk ka çfarë thotë. Mbase ajo nuk di ç’është PISA, nuk e ka dëgjuar, ose edhe kur e ka dëgjuar, ka shumë mundësi që ta ti ngjasë se bëhet fjalë për kullën e qytetit Piza në Itali.

Besa nuk ka asnjë shpjegim për PISA-n ose ndoshta pret që Komandanti të thotë ndonjë fjalë, e më pas ajo ta rithotë pa asnjë ndryshim. Zëvendësministrja e arsimit Shahini, në 2017, e kishte kuptuar ose së paku është shprehur se e dinte ku ishte problemi. ‘Nëse sistemi i arsimit nuk i aftëson nxënësit për ta kuptuar tekstin e shkruar, kemi problem në përgatitjet e fëmijëve. Është një krizë e thellë e arsimit parauniversitar.

Edhe nxënësit e varfër dhe ata të pasur të gjithë kanë dalë keq në testin PISA’, tha Shahini, në një forum në Kosovë. Por a e paralajmëroi, mori masat, bëri matjet e nevojshme në Shqipëri, për të kuptuar se ku do të ishim, në PISA 2018? Besa fajësoi sistemin për PISA 2015, po për PISA 2018, ku ishte faji, nga duhet të fillojë analiza, kush do të mbajë përgjegjësinë, cilat janë ndryshimet që duhet të bëhen etj.

Me siguri Besa as që nuk mendon për to. Komandanti po aq, ndërkaq që Lindita vijon punën e saj në Lezhë, për të çimentuar pozitën e saj, si deputete e përjetshme dhe as që i kris më për arsimin. ‘Tani të hajë kokën Besa- thotë ajo me vete. A më hoqën? Në djall të shkoj PISA, Matura dhe arsimi bashkë me të’.

Çfarë ishte për të marrë Lindita e mori, me privilegje, me shtëpi, me ndryshim pamje tri herë në ditë, me shumëllojshmëri fustanesh e ngjyrash, këpucësh e çantash, vajtje ardhje në Evropë, Amerikë e Azi. Tani po i ‘përkushtohet’ popullit, që aq shumë e don dhe respekton. Topin ja ka lënë pasardhësen së saj, që siç është shprehur Lindita, ‘është mjaft e aftë’.

Besa jo vetëm që është më e paaftë se paraardhësja e vet, por i mungon edhe dinakëria, fjalët adresim, qasje, më shumë punë, dashuri, këmbëngulje, që Lindita i kishte me shumicë, në mungesë të ndonjë pune të hajrit në arsim. Tani as Komandanti, as Lindita, as Besa, pale më poshtë tyre, nuk kanë për të marrë asnjë përgjegjësi.

Thjesht do të vazhdojnë atë që dinë të bëjnë më mirë. Të marrin sa më shumë përfitime, të përmirësojnë sa më shumë jetesën, të ardhurat e privilegjet dhe në fund të ikin të qetë, pa asnjë problem se në fund të fundit Besën veç postit asgjë nuk e lidh me Shqipërinë. Ndërsa Lindita jam i sigurt që do të jetë në parlament, herë me shikim tek veshja e kolegeve të saj, e herë tek celulari, ku i janë rralluar shumë mesazhet plot ledhka e lavde.

Ndërsa Komandanti, as që e ka mendjen tek PISA. Tani po i vjen mendja rrotull dhe nuk di si të dalë. Sa për PISA-n gati e ka zëvendësin e Besës dhe me shumë mundësi në 2019, Besa pa ardhur pranvera, fillon e shtegton dhe të tjera broçkulla do të dëgjojmë për PISA-n, mësuesit, drejtuesit e gjithë me radhë.

Pra PISA 2018, nxori në tërë kuptimin e fjalës, pisllëkun dhe zhulin e reformave ‘epokale’, për të cilat Komandanti na premtoi se do të na bënin çudinë dhe do të sillnin begatinë në arsim. Tani që era e gropës septike të reformave të kontaminuara të arsimit të ‘Rilindjes’ u hap e qelbi tërë Shqipërinë, të gjithë janë strukur e fshehur duke kujtuar se do të harrohen në krimin, më të madh që i bënë këtij vendi, asgjësimin e arsimit, dijes dhe mundësisë për sukses të fëmijëve tanë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular