BallinaKryesore2020-a, 1 mijë vitet e hajdutit apo çasti që kapim hajdutin?

2020-a, 1 mijë vitet e hajdutit apo çasti që kapim hajdutin?

Nga Ilir Nikolla

2019-a u mbyll me ndjesinë e gjithëpërhapur se Shqipëria s’e merr më veten, se ajo s’ka energjitë dhe aleatët e duhur që t’i japë një shkundje realitetit të saj të zymtë dhe të mundësojë kështu ndryshimin aq shumë të kërkuar nga më shumë se gjysma e popullsisë në prag të nivelit zyrtar të varfërisë, si dhe nga rinia dhe inteligjencia, që e masin të ardhmen vetëm me gjasat për ta lënë vendin. Pjesa e dukshme e politikës është kalcifikuar në pozicionet e saj dhe kryeministri s’pushon së përsërituri, se për kundërshtarë që ka, ai rron edhe 1 mijë vjet, e të gjitha këto ditë i ngrys në pushtet. Është finalja e një sjelljeje të turpshme gjithëvjetore, e cila, pati si refren shprehjen: “djegia e mandateve të opozitës i bën keq Shqipërisë, pasi qeverisë time s’ka ç’t’i bëjë”.


Kalërimi i qeverisjes si një entitet që s’ka lidhje me shqiptarët, përveçse për të vjelë taksat e tyre e për t’i pilotuar në xhepat e 4-5 vetave mund të regjistrohet si një stacion final i papërgjegjshmërisë. Pas këtij stacioni s’ka më asgjë, është veç një ndalesë e gjatë vjedhjeje që mund të vijojë pambarimisht e s’do të ketë asnjë ndryshim, nëse s’vjen diçka që ta thyejë këtë vazhdimësi të turpshme. Mund të jenë 1 mijë vitet e hajdutit, por mund të jetë edhe çasti që e thyen hajdutërinë dhe i jep jetë një kurbe të re, së pari një kurbe shpresëkthyese e më pas edhe ndjellëse të mirëqenies. Edhe pse mund të duket katastrofike, në lojë s’është vetëm fati i një poltrone kryeministrore.

Nëse vijohet njësoj, njësoj do të vijojë edhe klima depresive e shoqërisë, rinia dhe inteligjencia do t’ja dalin që të largohen, për shkak se janë të rinj e të shkolluar (e kush s’i merr?) dhe Shqipëria do të zvogëlohet gjithnjë e më shumë para syve të investitorëve ndërkombëtarë, do të jetë e pakërkuar prej tyre e prej mendjeve që tashmë e kanë braktisur dhe mund të bëhet thjesht një tokë pushtimi për emigrantë nga rajone joevropiane. Ata po, mund të jenë një gjueti e mirë për xhagajdurët e mbetur në Tiranë, por s’jam i sigurtë se do të vijojë të garantohet “status-quo”-ja ku xhagajdurët vijojnë të vjedhin e të ardhurit e rinj vijojnë të paguajnë pa bza.


Kësaj llogarie duket se i kanë hyrë paraprakisht kalemxhinjtë e qeverisë, qyshkur kanë nisur të miratojnë ligjet për dhënien e shtetësisë shqiptare pa kufizim për të gjithë emigrantët dhe azilantët që hyjnë në vend, megjithëse, të kapërthyer në darën e nevojës për të mos i ndërprerë fitimet e deritanishme, ka gjasa që 2020-a të jetë më shumë një vit ku krye-xhagajduri do të përzërë nga sofra disa prej xhagajdurëve më të pafuqishëm, për t’ua shpërndarë pjesën e tyre disa prej të mbeturve, më të fuqishëm e më të uritur.
Ngado që ta vërtisësh, është e pamundur që llogaria e 1 mijë viteve në pushtet të zgjasë edhe në 2020-n.

Stacioni i fundit ka mbërritur dhe përtej ka ose lojtarë të rinj, ose prishje të ekuilibrit nga lojtarët e vjetër. Parajsa me skllevër të qeverisë nuk mund të zgjasë. Në një tokë mbijetuesish siç janë trojet tona, koha e 1 mijë viteve vjedhje po mbaron. Ajo zgjati pak si shumë edhe për shkak të njëfarë keqkuptimi në nivel global se demokracia, njëherë që triumfon, s’ka më armiq natyralë, çka në shumë vende po provohet se s’paskësh qenë e vërtetë. Prej kësaj rënieje të vigjilencës, lindën demokraturat dhe oligarkëtn bashkë me pushtetarët që s’pranojnë rotacionet.

Por në trojet mbijetuese të Arbërit, ku demokracia e drejtpërdrejtë është burimore dhe mbi njëmijëvjeçare, bjerrja e demokracisë mund të jetë veç një fenomen i përkohshëm. Jo më kot në Shqipëri është regjistruar legjislacioni i parë në Evropën Juglindore për të drejtën e votës për gratë, legjislacioni i parë për rregullimin e prostitucionit, legjislacioni i parë për abortin si dhe ishte llogorja e parë kundër depërtimit të poligamisë nga Lindja.

Që të gjitha këto “revolucione” janë tregues të forcës së demokracisë burimore që gjallon në këto troje.
Prandaj edhe 2020-a është një vit i pashpresë për ambiciet monarkike të kryeministrit dhe një vit ku do lindë shpresa për ndryshimin e “status-quo”-së.

1 mijë viteve të hajdutit u ka ardhur fundi. Kjo duket. Mbetet veç kërshëria si do të kapet ai.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular