BallinaEkonomiNga rivlerësimi i pasurive te rritja e tatimit për të dypunësuarit; Të...

Nga rivlerësimi i pasurive te rritja e tatimit për të dypunësuarit; Të gjitha ndryshimet e ligjeve e taksave në fuqi nga 1 janari

Nga paketa nxitëse për industrinë automotive, deklarimi i të ardhurave nga të dypunësuarit, te dhurimi i pronave/ndarja e pasurisë brenda familjes deri te rivlerësimi i pasurive të paluajtshme deri më 30 shtator 2020, të gjitha ndryshimet kryesore të paketës fiskale 2020, që hyjnë në fuqi nga 1 janari.

Viti 2020 pritet të sjellë ndryshime të shumta në sistemin fiskal, që në tërësi nuk prekin në mënyrë thelbësore nivelin e taksave, por janë më shumë rregullime ligjore. Një reformë e rëndësishme, ajo e të ashtuquajtur fiskalizimi, është shtyrë disa herë dhe zbatimi i saj pritet të fillojë në janar 2021 dhe jo në janar 2020, siç parashikohej më parë.

Ky artikull lidhet me ligjet e Paketës Fiskale 2020 siç janë miratuar nga parlamenti dhe publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë më datë 26 dhjetor 2019[1] dhe është përgatitur për Monitor nga Xheni Kakariqi, FCCA, Drejtoreshë pranë Departamentit të Taksave dhe Çështjeve Ligjore në Deloitte Albania. Këto ligje pritet të hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, pasi të jenë dekretuar nga presidenti i Republikës.

Një pjesë e shtesave dhe ndryshimeve në ligjet e kësaj Pakete do të fillojnë të zbatohen sipas afateve korresponduese të përcaktuara në Ligjin për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit. Deri atëherë, rregullat për lëshimin dhe përdorimin e faturave; për dorëzimin e librave të blerjeve e shitjeve dhe deklaratës së TVSH-së; për dokumentacionin e përdorur si bazë për justifikimin e shpenzimeve; si dhe të gjitha dënimet administrative përkatëse; do vijojnë të zbatohen sipas përcaktimeve në ligjet përkatëse deri më tani.

Më poshtë kemi paraqitur e komentuar shtesat e ndryshimet më të rëndësishme në ligjet fiskale që pritet t’i shtrijnë efektet nga 1 janari 2020 ose 15 ditë pas botimit në Fletore Zyrtare. Këto shtesa e ndryshime nuk kanë për qëllim të drejtpërdrejtë përputhshmërinë me Ligjin e ri për Faturën dhe Sistemin e Monitorimit të Qarkullimit.

TATIMI MBI FITIMIN

Incentivë për industrinë automotive

Industria automotive parashikohet të nxitet përmes uljes së shkallës së tatimit mbi fitimin nga 15% në 5%. Një vendim i Këshillit të Ministrave pritet të përcaktojë cilat aktivitete konkretisht do të përfitojnë nga kjo incentivë, si dhe çfarë kriteresh duhet të përmbushin e cilat procedura duhet të ndjekin shoqëritë që ushtrojnë këto aktivitete. Sjellim në vëmendje që kjo industri përfshin një gamë të gjerë aktivitetesh, si prodhim, montim, rishitje etj. të produkteve të plota apo të pjesëve përbërëse të tyre. Prandaj, është e nevojshme që vendimi i Këshillit të Ministrave të detajojë sa më qartë aktivitetet e incentivuara.

Edhe pse ky sektor nuk renditet ndër më strategjikët për vendin tonë, mendojmë se ky zhvillim është pozitiv për tërheqjen e investimeve të huaja. Megjithatë, mendojmë do të ishte e përshtatshme një përqasje më e gjerë e më e plotë, përmes ofrimit të lehtësirave administrative e fiskale për këtë industri edhe në lidhje me aspekte të tjera si investimet kapitale, punëmarrja e fuqisë punëtore, “paketa e daljes” nga vendi, si edhe në lidhje me taksa e tatime të tjera.

Incentiva për tatimpagues të caktuar

Për tatimpaguesit që investojnë në projekte biznesi me vlerë mbi 1 miliard lekë parashikohet zgjatje e periudhës së mbartjes së humbjeve tatimore nga 3 në 5 vjet, gjithnjë duke ndjekur parimin e mbulimit të humbjeve më të hershme më përpara. Një udhëzim i Ministrit të Financave dhe Ekonomisë pritet të përcaktojë kriteret dhe procedurat për zbatimin e këtij rregulli. Do të prisnim që, ndër të tjera, udhëzimi të sqarojë edhe nëse ky parashikim do të zbatohet vetëm për tatimpaguesit të cilët fillojnë projekte me vlerë mbi 1 miliard lekë pas 1 janarit 2020 apo edhe nga ata që janë brenda periudhës 5-vjeçare nga fillimi i një projekti biznesi të tillë; si do të matet vlera e investimit në një projekt biznesi; si duhet të realizohet i shtrirë në kohë (ndër vite) investimi prej 1 miliard lekë; etj.

Patjetër që ky ndryshim është pozitiv, megjithatë, në mendimin tonë, do të ishte më e udhës që zgjatja e periudhës së mbartjes së humbjeve të mos ishte e kushtëzuar me vlerën e investimit por me industrinë ku investohet, për ta lidhur më mirë incentivën fiskale me strategjinë e zhvillimit të ekonomisë së vendit.

Një tjetër incentivë parashikohet për shoqëritë që realizojnë fitim të tatueshëm mbi 100 milionë lekë në rastin kur sponsorizojnë veprimtari të ekipeve sportive, pjesë të federatave sportive të njohura nga legjislacioni i fushës. Aktualisht, këto lloj sponsorizimesh njihen si shpenzime të zbritshme deri në masën prej 3% të fitimit para tatimit. Tashmë, për llogaritjen e tatimit mbi fitimin, këto lloj shoqërish do të mund të konsiderojnë si të zbritshëm trefishin e vlerës së sponsorizimeve të kryera e të njohura brenda kufirit të mësipërm. Nëse mbetet ndonjë pjesë e pazbritur, ajo nuk do të lejohet të mbartet e të zbritet në periudhat pasardhëse. Për të përfituar nga kjo lehtësi, këto shoqëri duhet të ndjekin procedura të posaçme për të marrë “autorizimin e sponsorizimit” të lëshuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, procedura këto që pritet të përcaktohen nga një udhëzim i Ministrit të Financave dhe Ekonomisë. Kjo incentivë synon promovimin e sportit me qëllim rritjen e ndikimit pozitiv të tij në shoqëri, edhe pse në mendimin tonë, do të ishte edhe më efektive nëse zbatohej për të gjitha shoqëritë pavarësisht nivelit të fitimit të tyre.

Për eksportuesit të cilët kanë realizuar në 3 vitet e fundit më shumë se 70% të të ardhurave nga eksporti (më përjashtim të prodhuesve me materiale të porositësve), masa e njohjes si të zbritshme të shpenzimeve të përfaqësimit jashtë vendit (për pjesëmarrje, prezantim në panaire apo ekspozita ndërkombëtare) rritet nga 0.3% në 3% të qarkullimit vjetor.

Ndryshimi i pronësisë

Paketa Fiskale 2019 solli disa rregulla të reja lidhur me pagesën e tatimit mbi “fitimin e konsideruar” nga personi juridik subjekt i ndryshimit të pronësisë direkte ose indirekte të kapitalit të tij apo të të drejtave të votës. Këto rregulla ngarkojnë me detyrim tatimor personin juridik subjekt të ndryshimit të pronësisë, kur përmbushen kushte të caktuara, edhe pse ky person nuk është pjesëmarrës në transaksionin e shitblerjes dhe nuk realizon asnjë fitim kapital real. Këto rregulla parashikojnë edhe detyrimin për njoftim ndaj autoriteteve tatimore nga personi juridik subjekt i ndryshimit të pronësisë si dhe dënimet për mosnjoftim.

Paketa Fiskale 2020 sjell një saktësim të shumëkërkuar nga grupet e interesit gjatë vitit të kaluar. Konkretisht, parashikohet që këto rregulla nuk do të zbatohen në rastet kur ndryshimi i pronësisë i nënshtrohet dispozitave të marrëveshjeve të ratifikuara për shmangien e tatimit të dyfishtë në fuqi.

TATIMI MBI TE ARDHURAT PERSONALE

Tatimi i të ardhurave nga paga prej më shumë se një burim

Deri më tani, vetëm individët që realizonin të ardhura bruto vjetore të të gjitha llojeve në një shumë të përgjithshme prej mbi 2 milionë lekë, kishin detyrimin e dorëzimit të deklaratës vjetore të të ardhurave brenda datës 30 prill të vitit pasardhës. Tashmë, do të kenë detyrimin të dorëzojnë deklaratën vjetore të të ardhurave edhe të punësuarit në 2 ose më shumë punëdhënës si dhe të vetëpunësuarit që janë njëkohësisht të punësuar edhe në punëdhënës tjetër, pavarësisht se shuma e përgjithshme e të ardhurave të realizuara gjatë vitit prej tyre nuk do të tejkalojë 2 milionë lekë.

Këta individë do duhet të vetë llogarisin për çdo muaj detyrimin e tatimit mbi të ardhurat personale nga punësimi (sipas skemës progresive 0%-13%-23%), mbi shumën totale të të ardhurave bruto nga të gjithë punëdhënësit për atë muaj, sikur atë shumë ta përftonin nga një punëdhënës/burim i vetëm. Në deklaratën vjetore, këta individë do të deklarojnë në një shumë të vetme të gjitha të ardhurat e siguruara nga punësimi. Në vijim, do të deklarojnë detyrimit tatimor vjetor të vetë llogaritur për të 12 muajt e vitit si më lart, do të zbresin tatimin vjetor të mbajtur nga të gjithë punëdhënësit përkatësisht për të 12 muajt e vitit dhe do të përcaktojnë, si diferencë mes këtyre të dyjave, shumën e detyrimit tatimor vjetor që duhet të vetëpaguajnë brenda datës 30 prill.

Ky parashikim është rëndues për financat personale të individëve që përpiqen të sigurojnë të ardhura shtesë përmes dypunësimit. Megjithatë, nga ana tjetër, ky parashikim siguron trajtim tatimor të njëjtë për të gjithë individët që kanë të ardhura nga paga nga më shumë se një burim, pavarësisht nëse tejkalojnë apo jo kufirin vjetor prej 2 milionë lekë për të gjitha llojet e të ardhurave.

Dhurimi i pronave/ndarja e pasurisë brenda familjes

Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi banesën dhe/ose truallin nëpërmjet dhurimit ose heqjes dorë nga pasuria do të jetë i përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat personale, kur ky kalim ndodh brenda lidhjes gjinore në familje (pra ndaj bashkëshortit/es e fëmijëve) dhe vetëm një herë ndaj një përfituesi. Ky parashikim do të lehtësojë rregullimin e marrëdhënieve të pronësisë brenda familjes, të cilat deri më tani mund të jenë penguar për shkak të masës së konsiderueshme të tatimit prej 15% që duhej paguar nga dhuruesi në rast të kalimit të së drejtës së pronësisë.

PROCEDURAT TATIMORE

Kompensimi i tepricave e detyrimeve tatimore

Në raste të veçanta, do të mund të kompensohen detyrimet tatimore të një tatimpaguesi pranë administratës tatimore me mbipagesat e kryera pranë administratës doganore dhe, e anasjellta, detyrimet tatimore pranë administratës doganore me tatimet e mbipaguara pranë administratës tatimore. Një udhëzim i Ministrit të Financave dhe Ekonomisë pritet të përcaktojë cilat do të jenë këto raste të veçanta, cilët tatimpagues do mund të përfitojnë e çfarë procedurash duhet të ndjekin. Duke marrë parasysh që administrata doganore dhe procedurat doganore nuk i nënshtrohen Ligjit për Procedurat Tatimore, mendojmë se është e nevojshme që ky parashikim të reflektohet edhe në Kodin Doganor.

Rimbursimi i TVSH-së me këste

Administrata tatimore do të ketë mundësinë të paguajë me këste TVSH-në e miratuar për rimbursim prej saj ndaj tatimpaguesve të caktuar, me të cilët do të bjerë dakord paraprakisht mbi planin e pagesave. Këto shuma nuk do t’i nënshtrohen kamatëvonesave që administrata tatimore do duhej të paguante në mungesë të këtij parashikimi. Një vendim i Këshillit të Ministrave pritet të përcaktojë rastet kur do të aplikohet ky parashikim si dhe kriteret e procedurat për zbatimin e tij. Do të prisnim që ky vendim, ndër të tjera, të qartësonte edhe nëse kjo e drejtë e administratës tatimore shtrihet vetëm mbi tepricat kreditore të TVSH-së të miratuara për rimbursim pas datës 1 janar 2020 apo edhe për të gjitha ato të miratuarat e parimbursuara deri më 31 dhjetor 2019.

Gjithashtu nevojitet të parashikohen edhe rastet kur tatimpaguesit e refuzojnë një kërkesë të tillë të administratës tatimore. Kujtojmë këtu se Ligji për Procedurat Tatimore parashikon se në rast të mospagesës së tepricës kreditore të TVSH-së nga administrata tatimore brenda 5 ditësh nga miratimi i saj për rimbursim, tatimpaguesit i lind e drejta e mospagesës së detyrimeve të tjera tatimore në masën e TVSH-së së pretenduar për rimbursim. Prandaj është e nevojshme të adresohen edhe rastet kur tatimpaguesit kanë shfrytëzuar apo dëshirojnë të shfrytëzojnë këtë të drejtë.

Verifikimet në terren pa njoftim paraprak

Për zbulimin në kohë të shkeljeve lidhur me regjistrimin e personave të tatueshëm; përdorimin e pajisjeve fiskale; dokumentimin e mallrave në ruajtje, përdorim dhe transport; dokumentimin e çdo transaksioni shitjeje të mallrave apo të shërbimeve dhe lëshimin e faturave tatimore; regjistrimin e punonjësve; etj., administrata tatimore do të ketë të drejtë të kryejë verifikime në terren, pa njoftimin paraprak të tatimpaguesit. Për këtë, punonjësi i administratës tatimore do të ketë vetëm detyrimin të tregojë dokumentin personal të identifikimit si dhe urdhrin ditor të punës të lëshuar nga drejtori i drejtorisë përgjegjëse për verifikimin në terren.

Mbledhja me forcë e detyrimeve tatimore të papaguara

Mbledhja me forcë e detyrimeve të papaguara do të kryhet nga drejtori të posaçme përgjegjëse që do të jenë në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Në vijim, priten të përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë disa ndryshime lidhur me urdhrin e bllokimit të llogarive bankare të tatimpaguesit sipas kërkesës që administrata tatimore u dërgon bankave të nivelit të dytë si dhe mbi vendosjen e barrëve siguruese e hipotekore mbi pasurinë e tatimpaguesit në favor të administratës tatimore. Është ende e paqartë se të çfarë natyre do të jenë rregullat e reja që do të detajohen në udhëzim.

Gjithashtu, priten të përcaktohen me një udhëzim të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Financave dhe Ekonomisë procedura të reja lidhur me pasuritë e konfiskuara të tatimpaguesve.

Deklarimi i detyrimit tatimor si të pambledhshëm

Drejtoritë Rajonale Tatimore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të ngrenë komisione të posaçme për vlerësimin e detyrimeve tatimore si të pambledhshme. Një udhëzim i Ministrit të Financave dhe Ekonomisë pritet të përcaktojë mënyrën e funksionimit të këtyre komisioneve. Bazuar në vendimet e marra nga këto komisione, deklarimi i detyrimeve tatimore si të pambledhshme do të bëhet përkatësisht me urdhër të:

  • Drejtorit të Drejtorisë Rajonale Tatimore për shuma deri në 1 milion lekë,
  • Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve për shuma midis 1 dhe 5 milionë lekë,
  • Ministrit të Financave dhe Ekonomisë për shuma mbi 5 milionë lekë.

Personat fizikë të vetëpunësuar

Deri më tani, nëse konstatoheshin persona mbi 16 vjeç nga kontrolli në vendndodhjen e aktivitetit të një personi fizik të vetëpunësuar, ky i fundit duhej të vërtetonte brenda 5 ditësh kalendarike që këta ishin persona të papaguar të familjes ose që bashkëjetonin ligjërisht me të vetëpunësuarin, sipas kuptimit në Kodin Civil. Kështu shmangej zbatimi i gjobave për mosdeklarimin e punonjësve. Tashmë, do t’i takojë administratës tatimore që të vërtetojë në portalin e-Albania, nëpërmjet certifikatës familjare të të vetëpunësuarit, nëse personi i evidentuar në vendin e aktivitetit plotëson ose jo kushtet për t’u konsideruar si person i papaguar i familjes apo si bashkëjetues, sipas kuptimit të Kodit Civil.

Taksat kombëtare

Detyrimi për pagesën e taksës vjetore të mjeteve të përdorura nuk do të zbatohet për autoveturat tip deri në 4+1 vende dhe me cilindratë jo më shumë se 2 500 kubikë, kur këto mjete kalojnë në zotërim të personave me aftësi të kufizuara dhe përdoren prej tyre vetëm për nevoja personale.

Gjoba për pagesë të vonuar të taksës vjetore të mjeteve të përdorura do të jetë 0.06% e detyrimit të papaguar për çdo ditë vonesë deri në një periudhë maksimale prej 365 ditë kalendarike, siç parashikohet në përgjithësi në Ligjin për Procedurat Tatimore. Deri më tani, gjoba llogaritej si 5% e detyrimit të papaguar për çdo muaj vonesë, por jo më shumë se 25% për çdo vit.

Vlera e automjeteve që klasifikohen si “luksoze” do të konsiderohet se reduktohet çdo vit me 10% të vlerës së mbetur. Rrjedhimisht, në rast shitje të një automjeti të tillë, vlera e shitjes nuk mund të jetë më e vogël se vlera e reduktuar si më lart.

 TVSH

Norma të reduktuara dhe përjashtime nga TVSH-ja

Për shkak të situatës së krijuar si pasojë e tërmeteve në vendin tonë, disa lehtësi të reja tatimore janë shtuar në Ligjin për TVSH-në, krahas lehtësive të miratuara e hyra në fuqi gjatë dhjetorit 2019 për të njëjtën arsye. Konkretisht, furnizimet e mëposhtme do të trajtohen si të përjashtuara nga TVSH:

  • shërbimet e ndërtimit të furnizuara nga ndërtuesit e autorizuar posaçërisht nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, brenda programit të rindërtimit për rastet e shpalljes së “gjendjes së fatkeqësisë natyrore” dhe përgjatë periudhës së rindërtimit, sipas përcaktimeve të legjislacionit përkatës;
  • shërbimet dhe mallrat e furnizuara ndaj ndërtuesve të autorizuar e të përdorura prej tyre për qëllime të proceseve të ndërtimit të përcaktuara si më lart;
  • materialet, pajisjet, ndërtesat e parafabrikuara, të importuara për këtë qëllim nga organe shtetërore, organizatat bamirëse dhe filantropike për rastet e shpalljes së “gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, brenda programit të rindërtimit.

Me vendim të Këshillit të Ministrave pritet të përcaktohen procedurat për lëshimin e autorizimeve ndaj ndërtuesve subjekte të rindërtimit, si dhe mënyrat e zbatimit të parashikimeve të mësipërme.

Paketa Fiskale 2019 solli normën e reduktuar të TVSH-së prej 6% për furnizimin e autobuzave me motor elektrik me 9+1 ose më shumë vende, si mjete të transportit publik të udhëtarëve. Kjo normë parashikohej të rritej në 10% nga 1 janari 2022. Paketa Fiskale 2020 e fikson normën e reduktuar në 6%, pa parashikuar rritje të mëtejshme. Ndërsa, furnizimi i automjeteve vetëm me motor elektrik, të reja, me zero km e që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, përjashtohet tërësisht nga TVSH. Këto lehtësira fiskale vijnë në kuadër të nismave për mbrojtjen e mjedisit.

 

Afati për lëshimin e auto-faturës për ngarkesën e kundërt të TVSH-së (reverse-charge)

Në rastin e marrjes së një shërbimi nga një furnizues i huaj, shërbim për të cilin “vendi i furnizimit” konsiderohet të jetë në Shqipëri, marrësi i shërbimit do duhet të lëshojë auto-faturën për ngarkesën e kundërt të TVSH-së (“reverse-charge”) brenda datës 10 të muajit pasardhës. Deri më tani, afati për këtë qëllim ishte data 14 e muajit pasardhës.

 

Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme deri më 30 shtator 2020

Një ligj i ri për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme do t’i japë mundësinë individëve e subjekteve juridike që të rivlerësojnë pasuritë e tyre të paluajtshme deri më 30 shtator 2020.

Për individët e interesuar, rivlerësimi mund të bëhet me vlerën e tregut të pasurisë bazuar në një akt ekspertimi lëshuar nga një ekspert i licencuar. Vlera e tregut në këtë rast gjithsesi nuk mund të jetë më e vogël se çmimet minimale fiskale. Në të kundërt, rivlerësimi do të kryhet përmes llogaritjeve nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës me çmimet minimale fiskale. Tatimi që individët do duhet të paguajnë për regjistrimin e këtij rivlerësimi është 3% e diferencës mes vlerës së rivlerësuar si më lart dhe vlerës së pasurisë të aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar më parë (për të cilën është paguar tatimi më herët). Vlera e rivlerësuar në këtë mënyrë do të shërbejë më vonë si bazë për llogaritjen e fitimit kapital të realizuar në rast kalimi të së drejtës së pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme, fitim ky që do të jetë i tatueshëm në momentin e transferimit me 15%.

Edhe personat juridikë do të kenë të drejtën e rivlerësimit me vlerën e tregut të pasurive të paluajtshme që kanë të regjistruara në pasqyrat e tyre financiare, përmes një akt ekspertimi lëshuar nga një ekspert i pavarur i licencuar. Tatimi që personat juridikë do duhet të paguajnë në këtë rast është 5% e diferencës mes vlerës së rivlerësuar dhe vlerës kontabël të regjistruar për pasuritë e paluajtshme. Në një linjë me parashikimet e Ligjit për Tatimin mbi të Ardhurat për këto raste, përcaktohet se diferenca ndërmjet vlerës së rivlerësuar dhe vlerës kontabël të regjistruar nuk do të jetë objekt amortizimi për qëllime tatimore.

Procedurat e rivlerësimit dhe tarifa e pagueshme ndaj Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për kryerjen e këtij shërbimi pritet të përcaktohen nga një udhëzim i përbashkët i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Ligji më i fundit për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, i ngjashëm me të tanishmin, ka qenë në fuqi për një periudhë të kufizuar nga 20 gushti 2016 deri më 31 maj 2017 (afati fillestar ishte 28 shkurt 2017). Në ndryshim nga ligji i ri i tanishëm, në bazë të ligjit të mëparshëm, tatimi i pagueshëm nga individët ishte 2%, ndërsa nga personat juridikë 3%. Në ligjin e mëparshëm gjithashtu nuk kishte asnjë parashikim lidhur me trajtimin e plus-vlerës për efekte të amortizimit tatimor nga personat juridikë.

 

[1]Përmbledhjet dhe komentet bazohen në variantet e ligjeve të miratuara dhe të publikuar në datë 26 dhjetor në website të parlamentit si më poshtë:

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular