Policia shqiptare bëri të ditur se kreu procedurat për të larguar nga Shqipëria shtetasin turk Harun Çelik sapo përfundoi një dënim, që mori në Tiranë.
Zëdhënësi i policisë, Gent Mullaj, tha për “Zërin e Amerikës” se “ky shtetas ishte i dënuar dhe dje doli nga burgu. Ai është kapur me dokumenta false në dalje në Rinas dhe për këtë u dënua. Në bazë të ligjit për të huaj, janë bërë procedurat ligjore për largim nga Shqipëria”.
Pyetjes së “Zërit të Amerikës” nëse Harun Çelik kishte kërkuar strehim e mbrojtje nga Shqipëria si një veprimtar politik i rrezikuar në atdheun e tij në Turqi zëdhënësi iu përgjigj se “nuk kishte info tjetër”.
Harun Çelik, 42 vjeç, mësohet se ishte një mësues, pjesëtar i lëvizjes Gulen në Turqi, i cili në përpjekje për t’u larguar kërcënimeve nga atdheu i tij, u kap në aeroportin e Rinasit me dokumente false duke udhëtuar drejt Kanadasë.
Avokati i tij, Alban Bengasi, thotë për Zërin e Amerikës se në rastin e Harun Çelik janë shkelur procedurat e legjislacionit kombëtar të brendshëm dhe prokuroria ka tagrin për të hetuar këto akte dhe veprime të paligjshme.
“Harun Çelik tashmë është deportuar në mënyrë të paligjshme, jashtë procedurave dhe legjislacionit të brendshëm kombëtar. Edhe për një akt dëbimi, që merret ndaj një shtetasi të huaj, jepet një akt administrativ, pra një urdhër dëbimi. Ky urdhër shoqërohet me një afat kohor për t’u larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë. Më pas personi mund ta kundërshtojë këtë akt në gjykatën administrative, ndaj është gjykata që e vendos nëse urdhëri është i ligjshëm apo i paligjshëm” – tha avokati Bengasi.
Sipas tij, kjo nisi si një çështje e rëndomtë penale për falsifikim dokumentash. Harun Çelik shleu disa muaj dënim me kohën e paraburgimit. Gjatë kohës së paraburgimit dhe gjatë përfaqësimit në gjykatë ka patur disa përkthyes.
“Në prani të përkthyesit që e ka shoqëruar në paraburgim kam dijeni se Çelik u ka kërkuar zyrtarëve azil politik në ato ambjente, por ky azil i është refuzuar nga autoritetet e policisë së burgjeve, me idenë që kur të dilte jashtë mund ta kërkonte në vendin përkatës. Nuk është vendi që e detyron personin të kërkojë azilin, por momenti dhe rreziku real që ai vlerëson se duhet ta kërkojë këtë azil. Çelik e ka paraqitur verbalisht kërkesën për azil politik dhe mesa jam në dijeni, por ata nuk i kanë sjellë zyrtarë të policisë kufitare dhe emigracionit, që ai të plotësonte deklaratën konform procedurës në ambjentin ku ai ishte. Ata duhet të sillnin zyrtarë dhe sekretarë, që të bënte zyrtarisht deklaratën” – tha avokati Bengasi.
Ai ishte me të në seancën e parë të vlerësimit të masës së sigurimit dhe në gjykimin e saj në Apel; të dyja ishin me arrest me burg. “Në kundërshtim me praktikën hetimore të prokurorisë shqiptare, që në të gjitha raste të tilla për falsifikim dokumentash jepet masa e sigurimit “detyrim për t’u paraqitur para policisë gjyqësore” ose më e shumta “arrest në shtëpi”, si rrallë ndonjëherë u procedua me “arrest me burg”, tha avokati Bengasi./VOA