Me sa duket, Albin Kurti dhe Isa Mustafa, tentativën e fundit për të arritur marrëveshje, do ta bëjnë larg syrit të mediave.
Dy liderët politikë, duket se do t’i zbatojnë këshillat e gjermanëve për të folur më pak para mediave, e më shumë me njëri – tjetrin.
Gjatë 7 takimeve në nivel të grupeve punuese të VV-së dhe LDK-së, u bë transparencë, ku edhe mediat njoftoheshin për to, e nga dy partitë dikush fliste për atë se ç’ka merreshin vesh.
Edhe takimet e para të dy liderëve, Albin Kurtit e Isa Mustafës u zhvilluan me transparencë.
Kjo gjë ndodhi deri kur në publik doli një kusht që tash e sa muaj do të ishte arsyeja kryesore se pse Mustafa dhe Kurti assesi nuk po arrijnë që të merren vesh.
Takimet e fundit që u mbajtën mes tyre nuk patën asnjë rezultat, vetëm sollën në tavolinën e diskutimeve, kushtet që kishin VV e LDK.
Në takimin e fundit për të cilit u raportua në media, nuk doli askush të fliste para gazetarëve, lideri i VV-së theu akullin dhe doli me një video mesazh, ku shpjegoi edhe të gjitha arsyet se pse nuk u arrit marrëveshja për koalicion.
Në këtë mënyrë, dy partitë më të mëdha, shkuan në seancën e 26 dhjetorit pa pasur marrëveshje për bashkëpunim.
Sido që të jetë, edhe pse kryesia e Kuvendit është zgjedhur, jo ashtu siç thoshte në parim marrëveshja VV – LDK, Kurti dhe Mustafa do t’i vazhdojnë përpjekjet duke mbajtur takime kokë më kokë.
Nga e hëna, dy liderëve iu mbeten edhe 15 ditë afat për të vendosur përfundimisht sesi do procedohet më tej, por sipas Express, takimet e Mustafës dhe Kurtit do të mbahen larg syrit të mediave.
Dy partitë nuk kanë konfirmuar nëse ka pasur ndonjë takim pas seancës konstituive, mes të Kurtit dhe Mustafës.
Por në ofertën e fundit që VV-ja kishte bërë për Mustafën, e të cilën e bëri publike në Facebook edhe Albin Kurti, u bë e ditur se liderët ishin takuar në shtëpinë e Isa Mustafës, aty ku edhe u dha afati kohor se deri kur kishin kohë që t’i përgjigjeshin të njëjtës pozitivisht apo negativisht.
Pas seancës konstituive, vetë Mustafa tha se me Kurtin ishin takuar kudo.
Albin Kurti dhe Isa Mustafa me gjasë janë duke i marrë më seriozisht porositë që i sjellën në Kosovë dy deputetët gjermanë, e për të cilat u informua edhe kancelarja gjermane.
Një nga to, me theks të veçantë ishte që dy partitë të bënin biseda në telefon, e jo në mikrofon dhe në publik.
Së fundmi, ambasadat në vend kanë shtuar thirrjet për krijim sa më të shpejtë të institucioneve. Si rrjedhojë e saj, pak ditë më parë ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett takoi ndaras njerëzit kryesorë të të dy partive. Aty u bë vetëm një thirrje, që të merren vesh, në mënyrë që qeveria të bëhet sa më shpejtë.
Pas takimit të Kurtit dhe presidentit Hashim Thaçi, që është të hënën në ora 15:00, mbeten edhe 15 ditë kohë për të formuar qeverinë e re.
Deri tani, me zgjedhjen e Glauk Konjufcës kryetar të Kuvendit, janë prishur gjitha matematikat disa mujore për koalicionin.