Këto janë pamjet që vijnë nga banesa e efektivit të Policisë në Shkodër, e cila mbrëmjen e djeshme ishte pre e një sulmi me eksploziv. Ngjarja ndodhi rreth orës 23:50 të mbrëmjes.
Nga ky shpërthim nuk ka të lënduar ndërsa polici Prelë Milani, me detyrë komandant poste në Theth, sapo kishte dalë nga shtëpia pasi ishte në shërbim, ndërsa në banesë ishte gruaja dhe vajza.
Sasia e lëndës plasëse e dyshuar si tritol është vendosur në pjesën e pasme të banesës së policit në zonën e Zooteknikës në një shtëpi private.
Familjarët pasi është larguar i kanë bërë të ditur se tritoli ka shpërthyer në shtëpinë e tyre ndërsa më pas kanë ardhur ekspertët e policisë duke nisur hetimet për këtë ngjarje të ndodhur në banesën e kolegut të tyre.
Vetë polici Milani ka dyshime se kjo ngjarje ka ardhur për shkak të detyrës si polici dhe komandant poste në Theth.
Çështja e kultivimit të drogës në Dukagjin vazhdon të jetë problem dhe efektivi Milani është përballur shpesh herë me asgjësim të lëndëve narkotike si pjesë e policisë.
Ndaj dyshimet e para janë se ky është një sinjal për policin Milani. Një tjetër shpërthim me tritol gjatë mbrëmjes që lamë u regjistrua në fshatin Grudë e Re, në banesën e shtetasit Kolë Bungaja. Ndërkohë, policia po heton në lidhje me ngjarjet.