BallinaKryesoreTërhiqet kandidati Kërtusha: Manipulime në zgjedhje, krerët e PS në rrethe të...

Tërhiqet kandidati Kërtusha: Manipulime në zgjedhje, krerët e PS në rrethe të paracaktuar

Ardit Kërtusha, kandidat për kryetar të PS-së në Durrës ka hedhur akuza të rënda për manipulime që po bëhen në procesin e zgjedhjeve të drejtuesve të rinj politikë në rrethe.

Në një letër publike, Kërtusha akuzon se po bëhen manipulime me procesin zgjedhor.

‘I ndodhur në këto kushte unë zgjedh për të mos kandiduar ditën e shtunë, pasi kandidimi im do të ishte në të keq të Partisë Socialiste duke zhvilluar një garë të paracaktuar’, shkruan Ardit Këtusha.

Letra e plotë e Ardit Kërtushës:

Të nderuar qytetarë të Durrësit anëtarë të Partisë Socialiste, simpatizantë dhe mbështetës!

Duke ju falënderuar për mbështetjen tuaj gjatë gjithë kësaj kohe dhe për mesazhet e shumta motivuese, jam i detyruar t’ju informojë për klimën e zgjedhjeve brenda Degës së Partisë Socialiste Durrës, ku mbizotëron vullneti për të ndërhyrë me çdo kusht në këtë proces kaq të rëndësishëm për partinë tonë dhe jo vetëm.

Problemi fillon që në kryefjalë të këtyre zgjedhjeve ku nuk zbatohet statuti i Partisë, më saktë parimi (një anëtar një votë) kur edhe në rastet hipotetikë kur nuk zbatohet ky parim mënyra e zëvendësimit ka qenë zgjedhja me asamble. Por na doli që as kjo metodë nuk do të aplikohet në zgjedhjet tek ne, pasi drejtuesit e tanishëm politikë në Durrës brenda natës hartuan një metodë të re dhe normalisht i vendosën edhe një emër.

Më thanë Ardit do të votohesh nga Asambleja e zgjeruar. U habita dhe menjëherë kërkova të më vihej në dispozicion kjo listë. Por më kot. Pas shumë komunikimeve të mia me drejtuesit politikë këtu m’u vendosën në dispozicion disa lista gjysmake pa asnjë të dhënë me anëtarë të huazuar nga partitë e tjera që lidhjen e vetme me partinë tonë kanë vendet e punës që u janë dhënë si favore personale këtyre individëve.

M’u dhanë elektronikisht 5 lloj listash pasi zyrat e selisë janë bosh inekzistente dhe sikur të mos mjaftojë kjo listat m’i dhanë më datën 8 janar duke më komunikuar që zgjedhjet do mbahen më datën 11 janar.

Shtroj një pyetje: Si mundet një person normal të takojë 600 persona për 3 ditë kalendarike dhe jo vetëm t’u paraqes programin, por edhe t’i bindë ta votojnë?! Është krejtësisht e pamundur.

Asambleja përbëhet nga 300 anëtarë (të dhëna të marra nga PS Durrës) se dhe kjo e fundit nuk i ka as vetë të sakta, ndërsa shpikja e tyre na bëri një listë me 600 vetë, të cilët janë futur aty vetëm për një votë, madje në shumicën e rasteve ato vetë nuk janë të informuar që janë votues.

Pra që të mos zgjatem: Ka shumë ndërhyrje nga më të paimagjinueshmet që zgjedhjet në Durrës të mos zhvillohen, por të emërojnë edhe një herë në krye të degës marionetën e preferuar të Vangjushit.

Fushata ime në kryefjalë të saj kishte përfaqësimin e të gjithë socialistëve durrsakë dhe kush më mirë se një anëtar një votë mund ta mundësojë këtë përfaqësim? Lobuam shumë që ta bënim të mundur, por e kotë. Sot ndodhemi përballë këtij fakti, ku kryetarin e PS Durrës do duhet ta votojnë njerëz jashtë strukturave tona, duke demostruar edhe një herë se si e kanë katandisur Partinë Socialiste në Durrës.

I ndodhur në këto kushte unë zgjedh për të mos kandiduar ditën e shtunë, pasi kandidimi im do të ishte në të keq të Partisë Socialiste duke zhvilluar një garë të paracaktuar. Zgjedh që kontributin tim ta jap brenda Partisë Socialiste duke qenë një zë brenda saj dhe jo një fraksion siç kanë qejfin ta etiketojnë rrëmbyesit e kësaj partie.

Me bindje të plotë ju them që nuk do të bëhem pjesë e kësaj farse të turpshme politike. Duke ju falënderuar të gjithëve uroj një vit të mbarë dhe kthimin sa më shpejt në identitet të Partisë Socialiste.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular