BallinaKryesoreKoncesionet malinje fundosin buxhetin e shëndetësisë

Koncesionet malinje fundosin buxhetin e shëndetësisë

Pagesat për katër koncesionet me PPP të shëndetësisë dolën jashtë parashikimeve dy vitet e fundit. Më 2018, Fondi i Sigurimeve akumuloi 5 milionë euro detyrime ndaj koncesionit të sterilizimit, e njëjta situatë është edhe këtë vit. Më 2020, pagesat për PPP do të zënë 20 % të fondeve në dispozicion për shërbimin spitalor, nga më pak se 1 % që ishin në vitin 2014. Kontratat pa studime të qarta fizibiliteti lënë të hapura shtigjet për financime shtesë. Kjo ka ndodhur me shërbimin laboratorik në vitin e parë të nisjes së punës. PPP po thithin me shpejtësi fondet për shëndetësinë, duke lënë spitalet pa investime dhe mjekët pa rritje pagash. KLSH zbulon absurditetin se PPP-ve u faturohet TVSH-ja në një kohë që shërbimet në shëndetësi përjashtohen nga ky tatim

 

Blerina Hoxha

Pagesat buxhetore për koncesionet në shëndetësi, ato për Check Up, sterilizimin, shërbimin laboratorik në spitale dhe dializën do të arrijnë në vitin që vjen në 4.5 miliardë lekë. Kjo shumë është sa 20 % e fondit që iu akordua shërbimit spitalor këtë vit, ose 36 % e të ardhurave që pritet të mblidhen nga kontributet e sigurimeve shëndetësorë vitin që vjen. Pagesat për PPP në shëndetësi do të zënë në vitin që vjen 10% të totalit të fondeve publike që janë planifikuar për sektorin e shëndetësisë më 2020. Gazmend Koduzi, i cili punoi në pozicione të larta drejtuese në Fondin e Detyrueshëm të Sigurimeve Shëndetësore, një institucion që menaxhon buxhetin në sektorin e shëndetësisë, tha se deri në vitin 2014, kostoja buxhetore për shërbimet që ofrojnë koncesionet sot ishte e papërfillshme.

Situata do të rëndohet më tej, për shkak se kontratat koncesionare janë lidhur pa studime të qarta fizibiliteti dhe në këtë mënyrë, lënë shtigje të hapura për rritjen e financimeve në periudhat e mëvonshme. Për shembull, kur u lidh kontrata për koncesionin e sterilizimit, u mor në konsideratë numri i operacioneve të zhvilluara para vitit 2014. Me plakjen e popullsisë dhe rritjen e sëmundshmërisë, nevoja për shërbime kirurgjikale është rritur. Vitin e kaluar, në të gjithë vendin, u kryen rreth 90 mijë ndërhyrje kirurgjikale në qendrat spitalore. INSTAT raportoi se në vitin 2018 u bënë rreth 8 mijë operacione më shumë se në vitin 2017. Për pasojë, pagesat ndaj kompanisë koncesionare, Sani Servise vitin e kaluar arritën mbi 2 miliardë lekë, ose rreth 4 milionë euro më shumë se parashikimi vjetor 1.5 miliardë lekë. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka pohuar se janë akumuluar mbi 5 milionë euro detyrime ndaj kompanisë që ofron sterilizimin me PPP. Zoti Koduzi thotë se e njëjta situatë pritet të përsëritet edhe në koncesionin e laboratorit, pasi projeksionet për analizat dhe financimet janë të gabuara.

Ministria e Financave raportoi në buxhetin e vitit 2020 një vlerë 32 për qind më të lartë për financimin total të katër kontratave koncensionare në shëndetësi se dy vite më parë. Vlera e tyre raportua 34.2 miliardë lekë në buxhetin e vitit 2018, ndërsa në projektbuxhetin e vitit 2020  për të njëjtat PPP u raportuan 45.4 miliardë lekë ose 11.2 miliardë lekë më shumë (rritje 25%).

E gjendur në këtë situatë, pa mundur të zhbëjë kontratat PPP, të cilat i ka lidhur me shpejtësi dha pa treguar përgjegjësinë e duhur, qeveria po përdor disa instrumente që bien në kurriz të shëndetit të popullatës. Vitin e kaluar, FDSKSH shkurtoi shpenzimet kapitale, nuk dha bonusin për mjekët specializantë dhe fondet e kursyera i kanalizoi si pagesa për koncesionin e sterilizimit. Rritja e shpenzimeve përtej çdo parashikimi e vuri Ministrinë e Shëndetësisë në pozita të vështira e cila vitin e kaluar pezulloi disa operacione të lehta jo të domosdoshme në QSUT. Por, edhe me këtë kufizim, rritja e operacioneve ka vijuar me ritme të larta edhe në vitin 2019. Fondi dhe Ministria e Shëndetësisë kanë urdhëruar të gjitha qendrat spitalore rajonale që të shkurtojnë me të paktën 20 % operacionet, duke orientuar vetëm në operacionet e emergjencave. Shpenzimet për koncesionin e sterilizimit zunë mbi 5 % të buxhetit në sektorin e shëndetësisë gjatë vitit të kaluar. Ritme të ngjashme, edhe më të larta, priten edhe këtë vit pasi i gjithë fondi vjetor i planifikuar për koncesionin e sterilizimit është konsumuar që në muajin shtator.

Ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigj interesimit të “Monitor” për tejkalimin e kostove dhe për faturimin me TVSH të koncesioneve, ndërkohë që mallrat dhe shërbimet e lidhura me shëndetësinë janë të përjashtuar me ligj nga TVSH.

Shpenzimet e paplanifikuara të koncesionit të sterilizimit dhe nisja e financimit për shërbimin laboratorik do të vënë para një presioni edhe më të fortë financat e shëndetësisë. Në vitin 2020, për herë të parë, asnjë funksion në sektorin e shëndetësisë nuk do të ketë rritje pagash, edhe pse vendi është në presionin e largimit të masiv të stafit mjekësor nga vendi edhe për këtë shkak.

Por situata me koncesionet në shëndetësi është disi më e ndërlikuar në drejtim të kostos, pasi qeveria i faturon shërbimet e tyre me gjithë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, teksa ligji i TVSH i përjashton furnizimet e mallrave dhe shërbimeve në shëndetësi nga fatura e TVSH-së. P.sh., çmimi i një vizite në spitalet private nuk faturohet me TVSH, por buxheti i shtetit i paguan faturat e katër koncesionarëve me TVSH. Eksperti ligjor, Artan Kodheli, komentoi se ky është një absurditet tjetër që shoqëron kontratat koncesionare. Njohës i legjislacionit, në veçanti atij shëndetësor, ai tha se, koncesionet në sektorin e shëndetësisë janë përtej çdo logjike ekonomike dhe ligjore.

 

Pasojat

Shpenzimet e paplanifikuara të koncesionit të sterilizimit dhe nisja e financimit për shërbimin laboratorik do të vënë para një presioni edhe më të fortë financat e shëndetësisë. Në vitin 2020, për herë të parë, asnjë funksion në sektorin e shëndetësisë nuk do të ketë rritje pagash, edhe pse vendi është në presionin e largimit të masiv të stafit mjekësor nga vendi edhe për këtë shkak.

 

 

Kontratat defektoze që në ide

Ministria e Shëndetësisë ka argumentuar se po zgjedh koncesionin PPP për ofrimin e shërbimit laboratorik në spitalet rajonale, pasi me këtë formë kursehen 17 mijë euro, duke e krahasuar me procedurën e prokurimit publik. Diferenca qesharake në favor të PPP-së nuk u argumentua me studim të detajuar.

Pas një zvarritje prej gati tre vitesh, qeveria e miratoi koncesionin e shërbimeve laboratorike në fillim të 2019. Ministria e Financave raportoi në relacionin e projektbuxhetit 2020 se vlera e kontratës 10-vjeçare 2019-2029 është 13 miliardë lekë, me një financim vjetor 1,2 miliardë lekë, ose 10 milionë euro. Gazmend Koduzi ish-zëvendësdrejtor i Fondit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, tha se para vitit 2015, shërbimi i laboratorik, duke mos marrë në konsideratë pagat e stafit kushtonte jo më shumë se 700-800 mijë euro. Me kontratën PPP, qeveria do të paguajë koncesionarin me rreth 10 milionë euro në vit.

Ndikimi buxhetor i koncesioneve në shëndetësi bëhet më i vështirë për faktin se raportimet nga Ministria Financave nga viti në vit ndryshojnë si për vlerën e plotë kontratave apo edhe për pagesat vjetore. Të tjera vlera ka kontrata e shpallur në APP, të tjera në regjistrin e koncesioneve që raporton Ministria e Financave për efektet të pagesave që ajo kryen.

Në llogari më të hollësishme ka shumë gabime njerëzore që kushtojnë miliona euro. Për shembull, sipas studimit të fizibilitetit shpenzimi i buxhetit për PPP-në e laboratorit, që përfaqëson të ardhura të siguruara të projektit në vitin e parë 8.7 milionë euro ose rreth 1.757 euro/analizë, raportuar në faqen 6 të studimit. Në momentin që janë projektuar 6.06 milionë analiza në vitin e parë, referuar një mesatareje prej 1.757 euro për analizë, të ardhurat e përllogaritura vlerësohen rreth 10.65 milionë euro dhe jo 8.7 milion euro, sikurse janë raportuar në faqen 60 të studimit të fizibilitetit, raporton Kontrolli i Lartë i Shtetit. Kjo, sipas KLSH-së, sjell një diferencë prej 1.95 milionë eurosh me nënvlerësim të ardhurash potenciale të projektit sipas supozimeve mbi numrin e analizave të ofruara, duke rënduar në mënyrë të pajustifikuar fluksin real dalës për buxhetin e shtetit. Mesatarizimi i çmimit nuk reflekton një parashikim real të të ardhurave të koncesionit nga Buxheti i Shtetit, duke sjellë projeksion jo të saktë të treguesve financiarë të projektit dhe, nga ana tjetër, të shpenzimit real që kushtëzon pagesa në të ardhmen për Buxhetin e Shtetit, vlerësoi edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit në një auditim të posaçëm mbi këtë koncesion.

Skema, si dolën jashtë kontrollit shpenzimet e sterilizimit, miliona euro borxhe

PPP-ja e sterilizimit u firmos në fund të vitit 2015 midis kompanisë “Sani Service” dhe Ministrisë së Shëndetësisë, si përfituese e shërbimit, përfaqësuar nga ministri Ilir Beqja dhe FSDKSH, përfaqësuar nga Milva Ikonomi, ku janë përcaktuar kushtet paraprake, objekti i kontratës, çmimet dhe rishikimi i çmimeve.

Kontrata nisi të zbatohet në vitin 2016. Monitorimi i saj bëhet nga Drejtoria e Administrimit të Paketave dhe Ekzaminimeve Terciale (DAPSHET) në QSUT. Në vitin 2018, kjo kontratë është zgjeruar dhe në Spitalet Rajonale dhe likuidimi i këtij shërbimi është bërë nga Drejtoritë Rajonale të Fondit. Nga auditimi i këtij shërbimi në DAPSHET u konstatua se, nuk ka një përcaktim të detajuar për përdorimin e kompleksiteteve për çdo lloj operacioni, numrin e pajisjeve të kompleksiteteve për çdo ndërhyrje dhe nuk ka një përcaktim të qartë të përdorimit të seteve të sterilizimit me avull në shërbimet spitalore universitare dhe në spitalet rajonale. Strukturat e DAPSHET kanë kërkuar në strukturat drejtuese të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore një udhëzim për monitorimin dhe kontrollin e tij në teren.

Në total, shërbimi i kryer dhe i monitoruar për vitin 2018, në Spitalet Universitare (DAPSHET) dhe në Spitalet Rajonale (Drejtoritë Rajonale të Fondit) ka kushtuar 2,087.45 milionë lekë, në krahasim me 1,134 milionë lekë në vitin 2017, pra këtë vit është realizuar për 953.5 milionë lekë më shumë se një vit më parë, ose 84 % më shumë. Në spitalet universitare ofrohet 71 % e totalit të këtij shërbimi për 1,483 milionë lekë, në krahasim me 1,116 milionë lekë në vitin 2017, pra më 2018 është realizuar 367 milionë lekë, ose 32.8 % më shumë se një vit më parë. Në spitalet rajonale, është realizuar 29 % e totalit të këtij shërbimi për 605 milionë lekë, në krahasim me 18 milionë lekë në vitin 2017, ose 33.6 herë më shumë se një vit më parë, thuhet në raportin e KLSH.

Shifrat tregojnë se më 2018, paketa e llojit “Kompleksiteti i lartë” është realizuar për 45.4 % më shumë se një vit më parë, “Kompleksiteti i mesëm” është realizuar 12.3 % më shumë se një vit më parë, “Kompleksiteti i ulët” është realizuar 41.6 % më shumë se një vit më parë, ndërsa “Sterilizimi instrumenteve me avull” është realizuar 104.8 % më shumë se një vit më parë. Megjithëse vihet re trendi në rritje i këtij shërbimi me 84 % më shumë se një vit më parë, në strukturën organizative të miratuar nuk është parashikuar një njësi kontrolluese/monitoruese për të realizuar kontrollin e këtij shërbimi.

Në total, shërbimi i likuiduar ndaj PPP së sterilizimit për vitin 2018, është 1,487 milionë lekë, në krahasim me 987 milionë lekë në vitin 2017, pra është likuiduar 500 milionë lekë, ose 50.6 % më shumë se një vit më parë. Ndërsa po ta krahasojmë shërbimin e kryer prej 2,087 milionë lekësh, ka ngelur pa likuiduar vlera prej 609 milionë lekë, që rezulton se është shërbimi i kryer dhe i pa likuiduar, konkludon KLSH.

Pra, nga auditimi në DAPSHET për këtë shërbim, rezultoi se pavarësisht shtesave të buxhetit në vitin 2018, likuidimi i këtij shërbimi, nuk është financuar për 3 muaj të këtij viti, duke krijuar një detyrim të prapambetur (muajt gusht/pjesërisht, shtator, tetor). Sipas pikës 4.7 të kontratës së financimit, përcaktohet “për vonesa në likuidim, interesat që do të llogariten e maturohen duke mbajtur parasysh normat e interesit të instrumentit kryesor të rifinancimit të Bankës Qendrore Europiane, i aplikuar në operacionin e fundit, i maturuar me 7%”, do të rezultojë që me ritmet e likuidimit të këtij shërbimi të rëndojnë buxhetin e shtetit edhe kamatëvonesat. Auditimi tregon se kontrata e financimit të këtij shërbimi është hartuar në kushte favorizuese vetëm për koncesionarin,

 

Check up merr 6 mln euro për shërbime të pakryera

Nga auditimi që KLSH ka bërë mbi monitorimin e kontratës së kontrollit bazë CHECK-UP me PPP, rezultoi se, edhe këtë vit, nuk janë arritur projeksionet e kontratës, duke bërë që pagesa e marrë tepër nga koncesionari për punën e pakryer për vitet 2015, 2016, 2017 dhe 2018, të arrijë në 800 milionë, lekë ose rreth 6 milionë euro. KLSH, në auditimet e mëparshme, ka kërkuar që koncesionarit t’i paguhen vetëm kostot fikse për rastet e pakryera dhe jo vlera e shpenzimeve variabël, të cilat nuk ndodhin në rastin e një kontrolli bazë të pakryer, konstatohet se edhe këtë vit është vazhduar si vitet e mëparshme, duke sjellë rritje pa të drejtë të kostove buxhetore për këtë shërbim. Këtë vit, ashtu si dhe vitet më parë të implementimit të vitit 2016, monitorimi dhe likuidimi i saj është bërë në Drejtorinë e Administrimit të Paketave dhe Ekzaminimeve Terciale (DAPSHET).

 

Përveç sterilizimit, KLSH lajmëron tejkalim të kostove edhe për PPP e laboratorit

Kontrolli i Lartë i Shtetit, këtë vit, ushtroi një audit të thelluar për ndikimin buxhetor të kontratës koncesionare me PPP për ofrimin e shërbimeve laboratorike. KLSH gjeti se financimi i saj është pranuar nga Ministria e Financave, megjithëse kostot përkatëse të tij nuk rezultojnë të jenë të parashikuara në PBA përkatëse, ku vetëm për vitin e parë të operimit, rritja në financim parashikon 3.3 milionë euro.

Projekti koncesionar/PPP, sipas studimit të fizibilitetit, ka parashikuar ofrimin e shërbimit laboratorik brenda tavaneve të projektuar me tarifat përkatëse të përllogaritura për 164 analiza, sipas shtojcës 7 të studimit të fizibilitetit. Projekti koncesionar/PPP, në vitin e parë të implementimit të tij, sipas studimit të fizibilitetit ka përcaktuar rritjen në financim të kërkuar me rreth 3.3 milionë euro nga situata ekzistuese.

Sipas argumentimit të bërë në studimin e fizibilitetit, financimi aktual vlerësohet në rreth 5.4 milionë euro dhe shpenzim i kërkuar për implementimin e PPP në vitin e parë vlerësohet në 8.7 milionë euro, ndërsa Ministria e Financave ka autorizuar 10 milionë euro fonde për vitin e parë të operimit, 2020.

Mekanizmi i funksionimit të PPP përfshin vendosjen e një tavani mujor buxhetor dhe faturimin e analizave nga operatori privat drejt autoritetit kontraktor sipas çmimeve të ofruara për secilën analizë të kryer për kategoritë e përfshira për të marrë shërbimin.

Vendosja e kufizimeve buxhetore, në kuadër të vlerës totale mujore të lejuar për të shpenzuar dhe duke pasur parasysh tarifat e ofrimit të shërbimit të ofruar, sjell riskun e mosofrimit të shërbimit apo tejkalimit të buxhetit në rast të nevojave emergjente.

Vendosja e kufizimeve buxhetore është e lidhur drejtpërdrejt me përballueshëmrinë fiskale të projektit, në kushtet e ndikimit nga të dy faktorët e supozuar në lidhje me çmimin dhe sasinë e shërbimit të kërkuar. Në këtë mënyrë, shprehet KLSH, zgjidhja e ofruar për realizimin e këtij PPP nuk rezulton të jetë efektive në drejtim të ofrimit të shërbimit. Dhënia e konsensusit pa u miratuar lista e çmimeve, përfshin ndër të tjera cenimin e përballueshmërisë fiskale të projektit në tërësi duke qenë se mbështetja buxhetore përfshin pagesa për sasinë e shërbimit të ofruar sipas çmimit të përcaktuar.

Projektimet e vëllimeve të analizave konstatohen se janë kryer në bazë të të dhënave historike të vitit 2014. Gama e analizave të ofruara është planifikuar të rritet nga 105 në 164 analiza, megjithatë lista e re ka përfshirë vetëm 160 analiza sipas shkresës së dërguar në Ministrinë e Financave më 16 dhjetor 2016. KLSH u shpreh se, rritja e gamës e së analizave ndikon në sasinë e shërbimit të kërkuar, që në kushtet e tarifave të përcaktuara, përkthehet në koston totale të shërbimit për buxhetin e shtetit.

Nga auditimi konstatohet se nuk ka një analizë të detajuar në lidhje me efektin e pritshëm në kosto për mbështetjen e supozimeve, si pasojë e rritjes së gamës së analizave të ofruara. Vendosja e tavaneve buxhetore, sipas parashikimit të bërë në studimin e fizibilitetit për çdo vit, në mënyrë që të mos cenohet buxheti i shtetit si pasojë e rritjes së numrit të analizave, vendos kufizime në nivelin e shërbimit të ofruar. Në kushtet e përcaktimit të tavaneve kufi për t’u shpenzuar, vendosjen e tarifave të reja fikse për analizat dhe mungesën e të dhënave analitike për llojet e analizave që ofrohen dhe të projektuara për t’u ofruar, shërbimi mund të kufizohet si pasojë e tejkalimit të kufijve buxhetorë.

 

OBSH i kërkoi qeverisë të mbajë në pronësi shtetërore shërbimin laboratorik

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e këshilloi qeverinë shqiptare vitin e kaluar të mbajë shërbimin laboratorik në spitale në pronësi të shtetit. Nisur nga situata konfuze e krijuar dy vitet e fundit për administrimin e këtij shërbimi me Partneritet Publik-Privat, ekspertët e OBSH-së i kërkuan qeverisë së Shqipërisë pak muaj më parë që shteti të vijonte të kishte nën administrimin e saj shërbimin e laboratorit në spitale.

Pavarësisht kundërshtive për këtë koncesion, si nga institucionet financiare ndërkombëtare, ashtu edhe nga institucionet ndërkombëtare të specializuara të shëndetësisë, qeveria e miratoi koncesionin e shërbimit laboratorik dy muaj para zgjedhjeve lokale të qershorit.

 

Anomalia e PPP, operacioni kushton tre herë më pak se pastrimi i veglave

Shërbimi i kirurgjisë në qendrën spitalore “Nënë Tereza”, për një operacion të vështirë, kushton më pak se sterilizimi i veglave. Sipas kontratës koncesionare, një operacion i ndërlikuar kushton 37.700 lekë pa TVSH, me gjithë këtë tatim shuma që i paguhet koncesionarit është 45,240 lekë, ose 367 euro për sterilizimin e pajisjeve dhe sallës pas çdo operacioni. Në një ilustrim të thjeshtë, ekspertët e Financave të sektorit shëndetësor pohojnë se koncesionari paguhet me mbi 11 mijë euro në muaj nëse kryhet vetëm një operacion i rëndësishëm në ditë. Ndërsa për stafin mjekësor që kryen operacionin, minimumi nga dy kirurgë dhe katër infermiere harxhohet shumë më pak. Shpenzimet për stafin që kryen operacionin, që përfaqësohet nga pagat që marrin, nuk e kalojnë vlerën e 2900 eurove në një muaj. Në të gjithë botën, edhe në spitalet private në Shqipëri, shërbimet më të kushtueshme në një spital janë ato të kirurgjisë.

Në spitalin “Nënë Tereza”, për një operacion stafi mjekësor paguhet të paktën tre herë më pak se ata që pastrojnë veglat gjatë një muaji. Absurditeti në administrimin e fondeve për shëndetësinë ka errësuar perspektivën e përmirësimit të shërbimeve mjekësore në Shqipëri, aq sa shumë mjekë po emigrojnë drejt vende që ofrojnë paga më të larta.

Ish-zyrtari i lartë i Institutit të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor (sot Fondi i Detyrueshëm i Kujdesit Shëndetësor), zoti Koduzi thotë se politika e ndjekur nga qeveria për koncesionet ka dëmtuar rëndë funksionimin e qendrave spitalore. Partneriteti Publik-Privat ka funksionuar për shërbime mbështetëse të spitaleve, si pastrimi dhe ushqimi, por nuk këshillohet për funksionet themelore spitalore.

Komisioni konstatoi para pak muajsh se ndonëse investimet e Shqipërisë në arsim dhe shëndetësi kanë qenë nën mesataren e rajonit, ato parashikohet të ulen më tej. Në të kundërt, rritja e projekteve me Partneritet Publik-Privat sjell rreziqe kyçe që minojnë planet për reduktimin e deficitit.

Komisioni u referohet shifrave të FMN-së, sipas së cilës PPP-të kanë arritur në 31% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe pritet të shtohen edhe me 15 % të PBB-së në vitin 2019. Rritja e PPP-ve nuk po shoqërohet me shtim të stafit, që do të ishte në gjendje të monitoronte dhe vlerësonte këto kontrata dhe projekte komplekse. Kjo nënkupton që detyrimet financiare publike të lidhura me PPP-të nuk po adresohen si duhet dhe nuk po regjistrohen nga ana statistikore.

—————————

Dy PPP vetëm për analiza

Pasi ka vendosur që të kalojë në administrim të një privati shërbimin e laboratorit, Ministria e Shëndetësisë praktikisht ka mbivendosur funksionet e koncesionit të ri me atë të Check Up. Kompania “3P Life Logistic”, e njohur ndryshe si check-up (kontrolli bazë mjekësor) ofron në thelb shërbimin e laboratorit. Intervistat për llogari të koncesionarit të check up me pacientët realizohen nga personeli shtetëror, i cili është pjesë e shërbimit parësor. Pjesa që mbetet për check up është vetëm transporti dhe kryerja e analizave laboratorike. Check up ka një kontratë 10-vjeçare me qeveritë dhe do të paguhet me fondet e buxhetit të shtetit 7.8 miliardë lekë, ose 787 milionë lekë në vit.

Në të njëjtën kohë, qeveria do të paguajë koncesionin e shërbimit laboratorik me 1.2 miliardë lekë në vit (ose 10 milionë euro) dhe po me 6 milionë euro të tjera në vit shërbimin laboratorik që ofrohet nga Check Up, gjithsej fatura shkon 16 milionë euro në vit. Me këtë shumë, vetëm në një vit do të pajiseshin të gjitha spitalet rajonale me laboratorë dhe kushte nga më modernet, analizojnë ekspertët. Për 10 vjet, pagesa për dy koncesionet do të jetë 160 milionë euro, shumë kjo e mjaftueshme për të ndërtuar 4 spitale të mëdha nga e para të standardit të spitalit privat, Hygea.

Ish-zyrtari i FDKSSH, Gazmend Koduzi, tha se koncesionet në shëndetësi nuk u dhanë duke u udhëhequr nga logjika ekonomike. Ai tha se koncesionet nuk kishin një fizibilitet paraprak dhe janë miratuar në mungesë të plotë transparence. Koduzi sqaroi se koncesioni i Check Up nuk u shoqërua me asnjë analizë për treguesit që synoheshin të përmirësoheshin, kështu që çdo analizë që kërkohet të bëhet më tej nuk mund të bëhet, pasi i mungon tërësisht baza e krahasimit. Më tej, Koduzi thotë se koncesioni nuk po kryen as funksionet që i ka në kontratë. Sipas kontratës, kompania duhet të lajmëronte me burimet e veta njerëzore pacientët që të bënin check up, nëpërmjet telefonatave dhe lajmërimeve në postë, por aktualisht këto shërbime i kryejnë punonjësit e shtetit, të cilët shpesh janë vënë nën presion për të gjetur pacientë, në mënyrë të sforcuar për të bërë kontrollin.

—————————

Shërbimet që ofrohen nga këto kontrata janë të përjashtuara nga TVSH

Nga auditimi i KLSH mbi monitorimin e paketës së hemodializës, e cila zë peshën më të madhe të paketave spitalore, në vlerën 2,095 milionë lekë, rezulton se 1,874 milionë lekë, ose 89 % e kësaj vlere realizohet në subjekte private dhe me PPP. Për vitin 2018, paketa e shërbimit të dializës me PPP u realizua në shumën 586 milionë lekë në krahasim me 410 milionë lekë realizuar një vit më parë. Sipas kësaj kontrate koncesionare, Fondi duhet të paguajë koncesionarin për numrin e projektuar të pacientëve dhe seancave, pavarësisht se numri efektiv i pacientëve dhe i seancave është më i ulët se ai i projektuar.

 

Qeveria paguan me TVSH faturat e koncesioneve, teksa shëndetësia është e përjashtuar

Kompanitë koncesionare, të cilat ofrojnë shërbime në sektorin e shëndetësisë, i marrin pagesat nga buxheti për faturimet, me gjithë TVSH, edhe pse furnizimet për mallrat dhe shërbimet në shëndetësi janë të përjashtuara nga ky tatim.

Ligji në fuqi për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në 51 furnizimet e përjashtuara nga TVSH-ja thotë:

-Përjashtimi i disa veprimtarive me interes të përgjithshëm. Janë furnizime të përjashtuara nga TVSH-ja transaksionet me interes të përgjithshëm si më poshtë:

-furnizimi i barnave, pajisjeve mjekësore të implantueshme aktive dhe pajisjeve mjekësore të implantueshme;

– furnizimi i shërbimeve shëndetësore dhe veprimeve të lidhura ngushtë me to, që kanë për qëllim mbrojtjen e shëndetit të shtetasve, përfshirë parandalimin, diagnozën, trajtimin, kurimin e sëmundjes apo çrregullimeve shëndetësore dhe rehabilitimin, nga institucionet shëndetësore publike ose private, të njohura si të tilla nga autoriteti kompetent shëndetësor;

– furnizimet e shërbimeve shëndetësore, të ofruara për qëllime të kujdesit për shëndetin, në kuadër të ushtrimit të profesionit mjekësor ose paramjekësor, të njohur si të tillë dhe të licencuar, sipas legjislacionit në fuqi për licencimin;

– furnizimet e shërbimeve shëndetësore, të kryera në kuadrin e profesionit të tyre nga stomatologët dhe laborantët dentarë;

Kontrolli i Lartë i Shtetit e cilësoi absurditet këtë fakt duke pohuar se vetëm koncesioni i Check UP merr 800 milionë lekë ose 6 milionë euro TVSH kundër përcaktimeve në ligjin mbi Tatimin në Vlerën e Shtuar. KLSH konstaton me shqetësim trajtime të ndryshme për aplikimin e TVSH ndërmjet kontratave koncesionare, ndonëse shërbimet që ofrohen nga këto kontrata janë të përjashtuara nga TVSH.

Nga auditimi për dy nga tre kontrata koncesionare, “Check-Up” dhe “Sterilizimi”, rezultoi se aplikohet Tatim mbi Vlerën e Shtuar, në masën 20 % mbi çmimin e kontraktuar. Ndërsa për shërbimin e “Hemodializës”, ky tatim nuk aplikohet. Megjithëse të tre shërbimet e sipërcituar janë pjesë e zinxhirit të ofrimit të shërbimit shëndetësor ndaj pacientit nga institucione shëndetësore të licencuara, si dhe faturojnë njëlloj shërbimin drejt institucioneve shtetërore prej dhe nga paguhen, mënyra e faturimit të tyre ndryshon.

Juristi Artan Kodheli tha se, aplikimi i TVSH-së mbi vlerën e shërbimit të faturuar nga ana e koncesionarit për këto shërbime shëndetësore, bie në kundërshtim me dispozitat e ligjit nr. 92/2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, neni 51/c e tij të cilat përcaktojnë përjashtimin e shërbimeve shëndetësore.

Megjithëse KLSH, në vazhdimësi, ka këshilluar ndryshimin e mënyrës së faturimit për shërbimin e “Check-Up”, situata nuk ka ndryshuar, por ajo vijon edhe në koncesionin e “Sterilizimit”. Kjo mënyrë faturimi e shërbimit shëndetësor nuk është kundërshtuar nga Autoriteti, apo të jenë marrë nisma për qartësimin e frymës së ligjit me MFE, për zgjidhjen e ngërçit, i cili vijon të rëndojë në vazhdimësi financat publike. Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kërkuar qeverisë të miratojë akte ligjore që rregullojnë procesin e furnizimit të shërbimit shëndetësor, të ofruar nga shoqëritë koncesionare, me qëllim shmangien e interpretimeve në këto shërbime, duke respektuar frymën e ligjit.

 

PPP në shëndetësi marrin rreth 56 mln euro në kundërshtim me ligjin

Në një kohë kur shërbimet në shëndetësi përjashtohen nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, koncesionet në shëndetësi do të përfitojnë gjatë periudhës së kontratës 6.8 miliardë lekë TVSH, ose rreth 56 milionë euro (shifra është përllogaritur nga Monitor, bazuar në vlerat zyrtare të katër kontratave pa TVSH të raportuara nga Ministria e Financave, me vlerë 34.2 miliardë lekë, ose 278 milionë euro).

Kontrolli i Lartë i Shtetit vuri në dukje se pagesat e TVSH janë në kundërshtim me ligjin dhe se, institucionet po faturojnë përgjegjësinë tek njëra-tjetra.

Burimet jozyrtare nga Ministria e Financave dhanë një përgjigje të vakët rreth këtij fakti, duke pohuar se disa lloj shërbimesh nuk përjashtohen, por nuk specifikuan dhe as komentuan se cilat shërbime. Ekonomistët që mbajnë llogaritë e klinikave mjekësore dhe laboratorëve pohuan se, ata nuk faturojnë TVSH për shkak se janë të përjashtuara me ligj. “Intermedica”, një nga operatorët privatë më të mëdhenj në vend për ofrimin e shërbimit laboratorik nuk faturon TVSh dhe asnjë nga klinikat mjekësore që ofrojnë kontrolle dhe konsulta apo shërbime të tjera mjekësore nuk faturojnë TVSH.

 

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular