BallinaKryesore6 deputetët e PS që "kundërshtuan" Ramën

6 deputetët e PS që “kundërshtuan” Ramën

Në total mazhoranca vijon të votojë në mënyrë kolektive pro nismave të qeverisë dhe vendimeve politike të grupit.

Rastet që bëjnë përjashtim janë të rralla, por edhe pse të tilla janë evidentuar nga raporti i monitorimit të Kuvendit në periudhën shtator-dhjetor 2019.

Konkretisht, ligji me më shumë “devijime” në votën politike “kundër” të grupit të PS është nisma ligjore e deputetit Ilir Beqaj, për faljen e gjobave të vendosura nga AKU. Për këtë nismë PS votoi kundër, deputeti Beqaj votoi “pro”, si dhe tre deputetë të PS, Ditmir Bushati, Vasilika Hysi dhe Almira Xhembulla vendosën të abstenojnë.

Deputeti Bushati ka abstenuar edhe në dy votimet politike të iniciuara nga kryeministri Rama, të njohura si paketa anti-shpifje, konkretisht ligji për mediat audio-vizive dhe ai për komunikimet elektronike në RSH, shkruan gazeta Panorama.

Votë tjetër ndryshe nga grupi ishte vota abstenuese në dy raste e deputetit Fatmir Xhafaj, e para për rrëzimin e dekretit të Presidentit lidhur me kthimin e ligjit për Akademinë e Shkencave dhe e dyta për nismën ligjore të kryeministrit Edi Rama “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”.

Po ashtu deputetja Blerina Gjylameti votoi ndryshe nga grupi, me votë abstenuese për projektligjin “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”.

Vlen të theksohet një diskutim ndryshe në seancën dedikuar zgjedhësve dhe situatës post-tërmet në shtator 2019, gjatë të cilës bëri diferencë vetëm deputeti dhe ish-ministri Fatmir Xhafaj.

Ai pjesën e parë të fjalës ia dedikoi luftës politike, por në pjesën e dytë ndër të tjetra deklaroi se “qeveria do t’i bënte një shërbim të mirë vendit nëse në reflektim të kësaj që përjetuam dhe nevojës për t’u përballur me dëmet, të përgatiste e të bënte shumë shpejt publike një strategji të qartë reflektimi, të shoqëruar me një plan serioz veprimi”.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular