BallinaIntervistaSelami Xhepa: Për 2020, e mira e vendit kërkon një ballafaqim politik,...

Selami Xhepa: Për 2020, e mira e vendit kërkon një ballafaqim politik, të ndershëm

spot_img
spot_img

Si e shihni vitin 2020 për Shqipërinë. Ne lamë pas një vit të ngarkuar me krizë e tension. A mendoni se do te ketë zgjidhje të krizes politike këtë vit? A do të ketë zgjedhje të parakohshme?

Xhepa: Viti u mbyll me një pesimizëm të thellë dhe shumë dëshpërim midis qytetarëve për shkak të pasojave të tërmetit në humbje jetësh njerëzore por dhe zhbërje të pasurisë së krijuar me mund e sakrifica prej vitesh pune dhe mundimesh. Dhe kjo erdhi si një prelud i një trishtimi që kishte mbizotëruar përgjatë gjithë vitit 2019. Një kaos politik e shoqëror dhe regres demokratik, me një pseudo parlament dhe mungesë të një opozite serioze (pjesërisht dhe për faj të saj vetë), me një qeverisje qendrore gjithnjë e më arrogante dhe aspak llogaridhënëse dhe të përgjegjshme dhe mungesë të plotë të qeverisjes pluraliste në nivel vendor, me një shuplakë të fortë që morëm nga miqtë europian, qoftë nga Bundestagu por dhe nga shumica e vendeve të BE-së, shqiptarët nuk
kanë patur asnjë arsye të ndiheshin më mirë dhe më krenar për vendin e tyre. Përkundrazi, braktisja e vendit ka vazhduar të jetë zgjidhja e dhimbshme por e diktuar. Në shumë kuptime, unë mendoj se viti 2019 ka sjellë trauma të mëdha shoqërore. Dhe pas traumash të mëdha, ka shanse që një ndryshim i fortë i kursit politik të lidershipit të vendit, të rikthejë dhe një herë shpresën në vend. Si një mendim i dëshiruar, do të doja të shihja një mazhorancë të përgjegjshme, një mazhorancë që nuk i druhet një ballafaqimi politik të menjëhershëm në të gjithë nivelet, sipas një procesi të ndershëm dhe bipartizan. E mira e vendit thërret për një rikonfirmim të raportit të forcave politike, në mënyrë që shoqëria, ekonomia dhe demokracia ti thehen normalitetit të vet. Retorikat politike të zakonshme që dëgjohen dhe këtë fillimviti, nuk japin ndonjë shpresë se mazhoranca ka një reflektim mbi këtë çështje, prandaj dhe pak gjasa duket se ka të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

 

 

-Si e parashikoni ecurinë ekonomike të vendit në vitin që kemi nisur duke pasur parasysh ngadalësimin ekonomik të 2019-ës e duke i shtuar kësaj edhe koston e rëndë të tërmetit?

 

 

Xhepa: Ecuria e ekonomisë është e lidhur ngushtësisht me gjendjen politike të vendit. Nëse vendi i kthehet normalitetit të jetës politike e demokratike, ekonomia do të rimarrë veten. Investimet dhe konsumi do ti kthehen normave të larta të rritjes, kredia dhe investitorët e huaj do të zgjeroheshin. Por, në skenarin e gjendjes së tanishme, mendoj se konflikti politik i pazgjidhur do të vazhdojë të tensionojë jetën sociale në vend dhe për pasojë, do të mbajë larg investitorët dhe njerëzit do të tkurrin dhe më shumë konsumin, në frikën e pasigurive gjithnjë e më të larta. Duke shtuar dhe kostot e mëdha të rindërtimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti, gjasat janë që një pjesë e madhe e konsumit do të orientohet drejt sektorit të ndërtimit, duke bërë që thjesht të zëvendësohet stoku i humbur i kapitalit, por pa shtuar kapitale të reja në ekonomi. Ky skenar është më me shumë gjasa të ndodhë, prandaj dhe unë besoj se rritja ekonomike do të jetë jo më shumë se rritja e vitit 2019. Për më tepër, shumë biznese janë dëmtuar ndjeshëm në shumë raste
në zonat e dëmtuara (punëtorët janë zhvendosur në vende larg qendrave të punës), mungesa një fuqie punëtore të bollshme dhe të kualifikuar, – të gjitha flasin për një ekonomi që do të vazhdojë të mbetet po aq e dobët edhe në vitin 2020. Sidoqoftë, qeveria ka në dorë të ndryshojë këtë trend, nëse e relakson klimën politike dhe nëse i kthehet qeverisjes më të mirë të ekonomisë, mbi parimet e drejta të konkurencës dhe hapjes së plotë të tregjeve dhe mbikëqyrjen e tyre në ruajtje të interesit publik dhe konsumator.

-Ndoshta i vetmi lajm i mirë para mbarimit të vitit 2019 ishte ecuria e ngritjes së institucioneve të reja të Drejtësisë. Po çfarë realisht presim të ndodhë me “drejtësinë e re”, sa premtuese është kjo reformë për një shoqëri që lëngon nga korrupsioni me skandale që konsumohen para syve tanë. A mund të presim nga këto institucione të reja një luftë ballore ndaj këtij fenomeni duke nisur me “peshqit e mëdhenj”?

Xhepa: Reforma në drejtësi, me gjithë problemet që e kanë shoqëruar, vonesat e zvarritjet për shkak të interesave që fshihen pas tyre, mbetet shpresa e vetme për shoqërinë. Pritshmëritë janë të mëdha dhe besimi i publikut qëndron më shumë tek roli garantor i partnerëve tanë të huaj, ShBA dhe BE. Në fakt, vënja para drejtësisë e gjithkujt që ka abuzuar, duke nisur nga lart, nga maja e piramidës, do të ishte vetingu që pret publiku. Jo se prokurorë e gjyqtar që u vetuan i kanë sjellë pak dëme shoqërisë dhe ekonomisë, porse pastrimi i sistemit politik është më shumë se një çështje vjedhjeje ordinere parash nga taksat; ajo është një çështje për kredibilitetin e vetë sistemit
demokratik të qeverisjes. Mbi këtë premisë, vetingu ndaj klasës politike, duke nxjerrë nga skena hajdutin dhe duke pastruar të përfolurit (nëse vërtet ka të tillë), do të lehtësonte shumë dhe klimën politike. Edhe politikanët “nuk do ta donin kaq shumë Shqipërinë sa janë gati ti vënë flakën për të rrëmbyer pushtetin apo për të qëndruar në karrige”. Pushtetin e kanë parë si mjet pasurimi dhe jo si përgjegjësi për të shërbyer dhe mendoj se vetëm kjo logjikë mund të shpjegojë sjelljen e politikanëve tanë në raport me pushtetin në gjithë këto vite tranzicioni. Nëse edhe këtë herë kjo reformë nuk do të jepë rezultatet që pret publiku, atëherë pasojat do të jenë shumë të dëmshme, jo vetëm për sot, por dhe në afat të gjatë kjo do të dëmtojë rëndë besimin tek demokracia dhe sistemi i sotëm ekonomik.

-Çfarë mund të presë Shqipërisë këtë vit në aspektin e integrimit europian? Kemi përpara samitin e Zagrebit. A mendoni se do te ketë rrethana të reja dhe do të çelen negociatat e anëtarësimit?

Xhepa: Vendi ka probleme serioze, padyshim, por hapja e negociatave do të ishte lajmi më i mirë që mund t’i jepet një vendi të drobitur. Gjykoj se, pas dështimit të fundit, po krijohet një frymë më pozitiviste dhe se me gjasa negociatat do të hapen, por sipas një qasje më të strukturuar, bazuar në propozimet e Presidentit Macron. Vendosje kondicionalitetesh strikte, matje performancë dhe rezultatesh me indikatorë konkret të reformave, do të shoqërojnë një proces integrimi që besoj se do të kryhet ndryshe nga sa është kryer me vendet e tjera. Mendoj se kjo do të ishte shumë përfituese për Shqipërinë, por edhe për opozitën. Kondicionalitetet demokratike janë njësoj siç janë dhe kushtet e Bundestagut dhe përmbushja me rigorozitet e tyre vjen në ndihmë edhe të axhendës së opozitës. Integrimi europian dhe reforma në drejtësi, japin shpresë për një të ardhme më të mirë. Ndoshta jo që në vitin 2020, por përtej këtij viti, efektet do të ndihen të forta në gjithë jetën ekonomike e sociale të vendit.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular