Artistit dhe politikanit, Azgan Dardan Haklaj.
Sa herë urdhër merr nga toka
Ta kthesh vallen në bajrak
Unë kam parë se shqiponjat
Zën e xhelozohen pak.
Dhe pse janë krijesa ere
Mbrapa teje vin` në shesh
Vallja jote trill pranvere
Prille lulesh mbjell mes nesh.
Shputë e këmbës zgjon baladat
Maj e gishtit çel një gur
Historia shfleton datat
Dhe ngjit veten në flamur.
Brënda saj dhe vallja jote
Gjysma fllad e gjysma erë
Dashuri në kohra shqote
Shpirt azgan nën shtatë ylberë.
Vetëm diellit ja shkel synë
Herë mbi skenë e herë mbi letër
Liliputët, shkojnë e vijnë
Por artistët janë gjë tjetër.
Kohrat zgjojnë me tupana
Dhe vetveten kthejnë në mite
Kush thotë s’ka “Valbonë” Tirana
Është gabim sot e kësaj dite.
Ajo rrjedh prej krojesh mali
Lumë prej ëndrrash e prej loti
Që nga sytë e këtij djali
Gjer atje ku shqip flet Zoti.
Sa herë urdhër merr nga toka
Ta kthesh vallen në tufan
Unë kam parë se dhe shqiponjat
Marrin krahë nga ty Azgan.
AGIM BAJRAMI
Durrës