Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi pas takimit me Presidentin e Parlamentit Europian, David Sassoli.
Basha thotë se opozita po bën gjithçka që vendit t’i hapen negociatat sa më parë.
“I lumtur të takoja mikun e Shqipërisë, Presidentin e Parlamentit Europian z. David Sassoli dhe të merrja prej tij konfirmimin se, personalisht dhe institucionalisht, do të jetë një mbështetje e fuqishme dhe e vazhdueshme për rrugën europiane të Shqipërisë dhe përparimin demokratik të vendit tonë.
I konfirmova se Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar po bën gjithçka që aspirata e qytetarëve shqiptarë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian të bëhet realitet sa më parë.
Bashkimi Europian dhe respektimi i vlerave europiane është e ardhmja e vetme e Shqipërisë, pavarësisht krizës që vendi po kalon!
Mirënjohje Presidentit Sassoli dhe Parlamentit Europian për mesazhin shpresëdhënës se populli shqiptar ka patur dhe do të ketë gjithmonë mbështetjen e Europës,” shkruan Basha në FB.