Ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, duke komentuar operacionet e OFL, deklaroi se ata janë antikushtetuese dhe se shkelen të drejtat e njeriut.
Sipas Mustafajt, Rama bën spektakël me të tilla operacione, për të hequr vëmendjet nga skandalet që kanë “mbërthyer” qeverisjen e tij.
“Unë shoh ngurrimin e juristëve dhe institucione të tilla siç është Komiteti i Helsinkit, i cili nuk është një komitet i cili ka treguar një opozitë të madhe ndaj shkeljeve të pafundme të të drejtave të njeriut që ka bërë qeveria Rama, megjithatë tani ka mbajtur një qëndrim kritik. Pa hyrë te Shoqata e Avokatëve. Ka vërejtje nga institucione të specializuara. Ne do të mund ta kuptojmë që ky operacion është efektiv kur Gjykata të marrë vendime.
Edhe sipas këtij ligji nuk mund të jetë definitiv sekuestrimi nga ana e policisë. Nëse gjykata do t’i konfirmojë këto veprime të Forcës së Ligjit, atëherë mund të themi se ka filluar të veprojë. Nëse nuk do t’i konfirmojë Gjykata gjë që ka ndodhur më parë edhe me personazhet të përfshira në objektivin e operacionit Forca e Ligjit ku është sekuestruar pasuria dhe më pas është liruar nga Gjykata. Unë kam prirjen të bashkohem me profesionistët që thonë se është antikushtetuese dhe shkel të drejtat e njeriut.
Unë besoj se Kodi Penal i Shqipërisë dhe sidomos tani që po përmbyllen strukturat e drejtësisë, Byroja e Hetimit dhe SPAK-u janë të mjaftueshme për t’iu përgjigjur rritjes së fuqisë ekonomike të krimit të organizuar. Ne nuk kemi qenë në zbrazëti ligjore dhe as institucionale, e cila do të jetë me veprim të përkohshëm.
Unë besoj që Edi Rama kërkon të bëjë një spektakël të ri, të tërheqë vëmendjen e ndërkombëtarëve dhe opinionit publik për të krijuar një imazh rreth vetes, i cili është gjerësisht i akuzuar si njeriu më i korruptuar në Shqipëri.
Ndërkombëtarët kanë një vëmendje shumë të vogël sepse aq e kanë fuqinë njerëzore. Një njeri në Ministrinë e Jashtme franceze kanë një njeri për rajonin tonë. Ne nuk duhet të besojmë se ndërkombëtarët e kanë vëmendjen në Shqipëri. Imagjino Departamentin e Shtetit. Njerëzit që merren me Shqipërinë është ajo që është. Ambasadat këtu janë furnizuese të qëndrimeve të qeverive.
Unë nuk besoj se anti-KCK-ja e Edie Ramës është zgjidhja magjike për të hequr mos besimin e Francës apo një vendi tjetër për hapjen e negociatave. Unë nuk shoh tek Edi Rama një preokupim të sinqertë për mos hapjen e negociatave. Problemi i tij është të krijojë spektaklin para shqiptarëve. Të mbajë një problematikë nervoze dhe të jetë një hap përpara opozitës dhe shoqërisë civile lidhur me atë që quhet spektakli i politikës”, tha Mustafaj.
I pyetur për qeverinë Kurti në Kosovë, Mustafaj u shpreh se maxhoranca e re në Prishtinë ka presion ndërkombëtar sa i përket qasjes ndaj taksës ndaj Serbisë.
“Sjellja e opozitës është klasike. Asnjë opozitë nuk i thotë qeverisë mirë se erdhe. Tani çfarë sfidash ka. Unë besoj se ka disa sfida shumë të mëdha, që kryeministri Kurti nuk ka dhënë shenja që ka zgjidhje në kokën e tij. Nuk e dimë si do të sillet për taksën 100 përqind, nuk dimë si do të veprojë me bisedimet me Serbinë. Gjithë presioni ndërkombëtar është përqëndruar në taksën 100 përqind ndaj Serbisë dhe në vazhdimin e dialogut Prishtinë – Beograd. Sfida e marrëdhënieve me Serbinë është një sfidë shumë e madhe. Mbetet të shikohet”, u shpreh Mustafaj.
Besnik Mustafaj vlerësoi se LDK e Vetëvendosje do ta kenë të vështirë që të kenë një plan të përbashkët ekonomik, duke qenë se edhe si parti politike kanë ideologji të ndryshme.
“Ambasada amerikane tha se duhet fokus tek gjendja ekonomike. E vërteta është se gjendja ekonomike në Kosovë është e keqe. Kjo qeveri ka ngjallur pak shpresë, por prapë nuk është e qartë sesi do ta rrisë ekonominë Albin Kurti. Nuk ka hartim të planit ekonomik, nuk është paraqitur në parlament. Do të kemi besoj unë surpriza, sepse në program ekonomik të ndërthurur, pasi ndryshon qasja e LDK me Vetëvendosjen”, tha Mustafaj.