Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një bashkëbisedim të hapur me ndjekësit e tij në facebook, shprehu edhe njëherë gatishmërinë e opozitës për të bërë gjithçka që në zgjedhjet e ardhshme të votohet në mënyrë elektronike.
Basha pranoi se për futjen e teknologjisë në zgjedhje duhet edhe konsensusi i mazhorancës, e cila sipas tij është e vonuar në këtë proces.
Basha: Votimi eletronik dhe numërimi elektronik janë prioritetet e opozitës së bashkuar në tryezën e reformës zgjedhore. Ky sistem mund të mos eleminojë por do ta bëjë shumë më të vështirë procesin e shitblerjes së votës apo të identifikimit sesi kanë votuar zgjedhësit. Votimi elektronik, numërimi elektronik dhe identifimi biometrik mbeten prioritetet tona të reformës zgjedhore.
Duam dhe do të bëjmë gjithçka që në zgjedhjet e ardhshme të përdoret teknologjia. Nuk varet dhe nga ne, pala tjetër duhet të bjerë dakord. Duhet të kishte nisur prej kohësh hapat për ta blerë këtë sistem, për ta testuar, por më mirë vonë se kurrë. Do të bëjmë gjithçka që shqiptarët të votojnë me elektronikë zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe ato vendore që synojmë ti bëjmë në një ditë.
Basha tha se opozita mbetet e angazhuar për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe lokale në një ditë.
Basha: Uroj shumë. I qëndrojmë kërkesave që kemi parashtruar që prej 12 shkurtit të vitit të kaluar, zgjedhje të parakohshme me një qeveri tranzitore pa Kryeministër. Kërkesa jonë kryesore është mos vidh.Qeveria tranzitore është një garanci, le të funksinojë si në Maqedoni.