Kosova sot shënoi 12 vjetorin e pavarësisë, KultPlus ishte në sheshin e Prishtinës për të parë nga afër dhe për të intervistuar qytetarët të cilët të lumtur festonin këtë 12 vjetor.
“Ma me rëndësi se Kosova për popullin tonë nuk ka, Kosova është jeta jonë”, ishin fjalët e bacës Abdyl, i cili me lotë në sy e me një qese në dorë, ishte nisur nga Ribari i Madh, Goleshi, për të mbërritur në kohë e për ta festuar përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.
Ai kishte ndërruar disa taksi, e kombi për të arritur në Prishtinë dhe për ta përjetuar edhe njëherë lumturinë që e kishte përjetuar edhe para 12 viteve.
“Po vetëm një shtet e kemi! Ju nuk e dini se çfarë kemi hequr ne nga serbët, edhe fëmijët m’i kanë marrë, e si të mos e festojmë këtë ditë të madhe”, ishte shprehur Abdyl Rama.
Ai edhe vitin e kaluar kishte ardhur nga Sarajeva për ta festuar, por tashmë ky vit ishte më ndryshe për të, me qeverinë e re ai shpreson për më të mirën e këtij vendi.
“Do të bëhet mirë për juve, rininë e Kosovës, ju jeni ardhmëria jonë”, u shpreh ai.
E me fytyrë të ngallëzyer, niset për në sheshet e Prishtinës, për të festuar deri në mbrëmje 12-vjetorin e Kosovës.
Nderkaq, në sheshet e Prishtinës mbretëronte atmosferë e madhe festive. Dielli i fortë rrezonte mbi fytyrat e lumtura të qytetarëve të Kosovës, zhurma e daulleve degjohej anë e kënd, e flamujt valviteshin mbi qiellin e kaltër, ndërsa vallja kosovare nuk mungonte në asnjë cep.
KultPlus kishte ndalur edhe një qytetar tjetër, Hajdin Hysenin. Me entuziazëm e me një flamur të vogël në dorë , ai shihej duke u nisur drejt atmosferës në sheshin “Zahir Pajaziti”. Hajdini u shpreh se ky vit e ka gjetur më të lumtur Kosovën.
“Qeveria e re do të ndryshojë Kosovën sepse së pari i kanë vendos më shumë flamujt e Kosovës! Tash jemi të gëzushëm, jemi shumë mirë dhe do të bëhet edhe më mirë ” – thotë qytetari Hyseni.
E ky 12 vjetor i pavarësisë së Kosovës, si duket po ua mbush shpirtërat me gëzim të gjithëve që luftuan ta shohin në këtë ditë Kosovën e tyre. / KultPlus.com