Publikon kujtimet e panjohura të kolonel Hamit Keçit, ish-shok kursi me Mehmet Shehun në shkollën ushtarake në Itali dhe më pas në akademinë ushtarake të Moskës. Ai në periudhën e Luftës, ishte një nga drejtuesit kryesorë të njësiteve guerile të Tiranës së bashku me Beqir Ballukun, dhe për atë kontribut, iu besua detyra e Komandantit të Brigadës së XXII-të Sulmuese, pas Luftës ajo e Shefit të Zbulimit pranë Shtabit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes ku dhe përfundoi në burg pas një konflikti me Enver Hoxhën
Një nga ata persona që pas viteve ’90-të kanë hedhur hije dyshimi dhe kanë bërë akuza të drejtpërdrejta ndaj Enver Hoxhës, duke e bërë atë përgjegjës kryesor në vrasjen e disa prej komunistëve kryesorë gjatë periudhës së Luftës në vitet 1939-1944, ka qenë edhe koloneli në pension Hamit Keçi, një nga komunistët e parë në Tiranë dhe më pas komandant i Brigadës së 22-të dhe i Korpusit të Parë të Tiranës. Pas mbarimit të Luftës, ai përfundoi Akademinë Ushtarake në Bashkimin Sovjetik dhe shërbeu në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes, duke mbajtur funksionin e drejtorit të Zbulimit. Në vitin 1949, ai u arrestua teksa tentonte të hynte me forcë në vilën e Enver Hoxhës, ku donte të sqaronte disa konflikte që i kishin lindur me kuadrot kryesorë të Shtabit të Përgjithshëm. Pas kësaj ai u dënua me 15 vite burg, pasi Enver Hoxha kujtoi se ai kishte shkuar për ta vrarë. Pas dënimit të Hamitit, të njëjtin fat pësuan edhe dy vëllezërit e tij, Isufi (nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës) dhe Maliqi, si dhe burri i motrës së tyre, ministri i Transporteve, kolonel Njazi Islami, i cili u vra nga Sigurimi i Shtetit, duke e shpallur si vetëvrasje. Pas viteve ’90-të, Hamit Keçi filloi të shkruajë kujtimet e tij për periudhën e Luftës, ku ndër të tjera e akuzonte Enver Hoxhën si përgjegjësin kryesor për disa nga vrasjet e bujshme që u bënë në atë kohë në Tiranë. Disa prej atyre ngjarjeve koloneli në pension Hamit Keçi na i ka dëshmuar publikisht pak kohë para se të ndërronte jetë, ndërsa në shkrimin e mëposhtëm, ekskluzivisht për Memorie.al po botojmë disa ngjarje të tjera nga kujtimet e tij të lëna në dorëshkrim.
“Zbulimi i depos së armëve”
Një ndër akuzat e para të Hamit Keçit ndaj Enver Hoxhës është ajo që thotë se Enveri ka treguar tek italianët vendndodhjen e depos sekrete të armëve, e cila ishte në bodrumin e shtëpisë së Shyqëri Këllezit, njërit prej anëtarëve të Grupit Komunist të të Rinjve të Tiranës. Sipas Keçit, Enveri e bëri atë për të implikuar dhe fshehur kontributin e punën e atij grupi në dobi të Luftës, krerët e të cilit, Anastas Lulën dhe Sadik Premten, ai i shihte si rivalë kryesorë për kreun e PKSH-së. Lidhur me ngjarjen e zbulimit të depos nga ana e italianëve, midis të tjerash, në kujtimet e tij, Hamit Keçi ka shkruar: “Aty nga viti 1940 Anastas Lulo dhe Sadik Premtja ndërtuan një dhomë në oborrin e shtëpisë së Shyqëri Këllezit. Poshtë dhomës ata ndërtuan një bodrum të fshehtë, me qëllim që të fusnin aty armët që do të grumbullonin për çetat partizane që do të formoheshin në rrethin e Tiranës. Armët u sollën në Tiranë pjesë-pjesë gjatë periudhës kur zhvillohej lufta italo-greke dhe transporti i tyre bëhej nga shokët e Vlorës me në krye Fejzo Gjomemën. Kështu, aty në atë bodrum të ndërtuar posaçërisht për këtë qëllim, u strehuan gjithsej: 6 mitraloza të lehtë tip “Breda”, 24 pushkë, 17 revolverë dhe dy arka me bomba dore. Për këtë depo armësh nuk është folur asnjëherë nga Enver Hoxha në kujtimet e tij, sepse Enveri asnjëherë nuk e ka pranuar që Anastasi dhe Sadik Premtja të kenë qenë për luftë kundër okupatorit. Në kohën kur ato armë ndodheshin të fshehura aty, në shtëpinë e Shyqëri Këllezit, erdhi dhe u strehua Miladin Popoviçi, të cilin e liroi nga kampi i Peqinit, Mustafa Gjinishi. Në kujtimet e veta në librin e tij “Kur lindi Partia”, në mes të tjerash Enveri shkruan: ‘Miladinin e vendosëm në një bazë të sigurtë’. Por ai nuk thotë se në atë bazë, e cila ishte shtëpia e Shyqëri Këllezit, ndodhej edhe depoja e armëve. Po kështu, Enveri nuk e tregon edhe faktin se në atë bazë Miladinin e solli Anastas Lulo, i cili bashkëpunoi me Gjinishin për sjelljen e tij në Tiranë. Shumë të paktë ishin ata që kishin dijeni atëherë për atë bazë, dhe unë e dija nga goja e Anastasit, i cili më kishte porositur disa herë që t’i kontrolloja ato armë a ishin vendosur dhe ambalazhuar mirë, me qëllim që të mos ndryshkeshin nga lagështia. Ky veprim u ndërpre nga vendosja në atë dhomë e Miladinit. I pyetur para tre vjetësh për fatin e asaj depoje armësh, Shyqëri Këllezi ka dëshmuar se aty kishte shkuar tre herë policia për kontroll dhe vetëm herën e tretë ata kishin mundur që të gjenin hyrjen sekrete të depos. Nuk ka asnjë dyshim se këtë depo ia dorëzoi armikut vetëm Enver Hoxha”.
Keçi: “Enveri tregoi Ferit Xhajkon”
Një nga akuzat e dyshimet e tjera që Hamit Keçi ka hedhur në kujtimet e tij për Enver Hoxhën, është edhe ajo ku thuhet se Enveri ka treguar tek italianët për Ferit Xhajkon e shokët e tij, të cilët u arrestuan në vitin 1942 në dalje të qytetit të Fierit. Lidhur me këtë ngjarje, në mes të tjerash Keçi ka shkruar: “Pasi kishte spiunuar Koçi Xoxen tek italianët, Enveri bëri të njëjtën gjë, duke futur në burg Sinan Gjonin (Rrumbullakun), i cili në atë kohë ishte sekretar organizativ i Qarkorit Komunist të Vlorës. Në 12 prill të vitit 1942, Sinani erdhi në Tiranë si ilegal për të marrë pjesë në mbledhjen e aktivit të PKSH-së, së bashku me Hysni Kapon, i cili ishte sekretar politik i Qarkorit të Vlorës. Në mbarim të mbledhjes, Miladin Popoviçi e lavdëroi Sinanin për punën e mirë dhe plot aktivitet që kishte bërë Qarkori i Vlorës, i cili në atë kohë kishte organizuar aksionin e hapjes së depove të grurit duke ia shpërndarë popullit, si dhe hedhjen në erë të depove të municionit të italianëve në Rradhimë. Pas mbledhjes, Enveri e ndau Sinanin nga Hysniu, dhe për atë gjë në kujtimet e tij ai shprehet: ‘Hysniun e mbajtëm për disa punë në Tiranë, kurse Sinanin e nisëm për në Vlorë të shoqëruar me tre ilegalë’. Por e vërteta qëndron ndryshe, nuk ishin tre, por pesë ilegalë: Hamdi Mëzezi, Ferit Xhajko, Nikolla Tupe, Spiro Dhima e Niko Arapi. Në kujtimet e tij, Enver Hoxha e vazhdon gënjeshtrën, duke thënë: ‘Hamdiun, Feritin, Nikollën e Sinanin i arrestuan në Fier, Sinanin e internuan në Itali, kurse tre shoqëruesit, pasi i torturojnë i varën’. Me atë dëshmi Enveri kërkon të njollosë Sinan Gjonin, për të cilin thotë se e internuan në Itali, kurse tre shoqëruesit i varën. Në fakt, e vërteta është kështu: pesë ilegalët dhe Sinani, me një makinë pesëvendëshe, u nisën për në Vlorë. Në të dalë të Fierit, te postblloku, policia ndalon veturën dhe një polic i detyron të zbresin nga makina. Gjatë kontrollit, në xhepin e pasmë të pantallonave ai i gjeti një komunikatë Ferit Xhajkos. Pas kësaj policia kontrolloi gjithë veturën, ku gjeti edhe pesë revolverë të fshehur në motorin e saj. Pas gjetjes së armëve, ata i arrestojnë menjeherë dhe i nisin për në Fier, ku pasi i torturojnë, i marrin që andej dhe i sjellin në Tiranë. Edhe në Tiranë ata u torturuan nga kuestura, por nuk treguan asgjë. Nisur nga kjo gjë, ata i nxjerrin në gjyq dhe i dënojnë të pestë me vdekje, kurse shoferin me 15 vjet burg. Pasi i dënuan, ata i sollën në burgun e vjetër ku ndodhesha dhe unë në atë kohë. Një ditë aty erdhën nga Gjykata Ushtarake duke i pyetur përsëri një nga një, se ku po shkonin atë ditë që ishin arrestuar e ç’qëllime kishin. Ata u premtuan se po të tregonin, do t’u falej jeta, por ata nuk e hapën gojën. Mbas tre ditësh, Feritin, Nikollën e Hamdiun i varën, kurse Sinanit, Spiros e Nikos ua falën jetën. Të tre ata që u falën, më pas u bashkuan me ne dhe Sinani, që unë e njihja prej kohësh kur vinte në shtëpinë time përpara formimit të Partisë, më tregoi të vërtetën se si kishte ndodhur arrestimi i tyre. Pak ditë më vonë, Sinanin e morën dhe e internuan në ishullin San-Stefano në Itali, nga ku ai u kthye në vitin 1944. Në fillimin e vitit 1945, Sinanin e arrestuan dhe e burgosën, e pa e nxjerrë fare në gjyq, e marrin një natë dhe e pushkatojnë. As sot nuk dihet se ku ndodhen eshtrat e tij. Kjo ngjarje m’u kujtua kur kam lexuar librin e Enverit “Kur lindi Partia”, dhe që nga ajo kohë, duke e ditur të gjithë ngjarjen, unë kam krijuar bindjen e plotë se ata u tradhtuan nga Enver Hoxha.
“Enveri i tha Koçit të ndërtonte një barakë dhe aty e arrestuan”
Në kujtimet e tij, Hamit Keçi ka shkruar edhe për mënyrën se si Enver Hoxha erdhi në krye të Partisë Komuniste, duke zënë vendin e Sekretarit të Komitetit Qendror, funksion i cili, sipas Keçit, në mbledhjen e 8 nëntorit 1941 i ishte ngarkuar Koçi Xoxes. Lidhur me manovrat që përdori Enveri për të ardhur në krye të Partisë, midis të tjerash Keçi ka shkruar: “Në fundin e muajit tetor 1941, në shtëpinë e Bije Vokshit u bë një mbledhje nën drejtimin e Dushanit, me qëllim që të sheshoheshin divergjencat ne mes të grupeve komuniste. Kjo mbledhje përfundoi pa sukses. Në mbledhjen e 8 nëntorit, Anastas Lulo dhe Sadik Premtja shkuan aty, duke kujtuar se ajo do të ishte vazhdim i asaj mbledhjeje dhe do të diskutonin përsëri për të sqaruar divergjencat e më pas të binin dakord për formimin e Partisë Komuniste. Në mbledhjen e 8 nëntorit, Anastasi dhe Sadiku u ndodhën përpara një kurthi të përgatitur që më parë. Të mbetur vetëm, Anastasi dhe Sadiku pranuan që më parë të formohej Partia, dhe pastaj të diskutohej për të sheshuar divergjencat që kishin grupet në mes tyre. Kështu, Partia u formua edhe me votat e tyre, ndërsa diskutimet vazhduan edhe për disa ditë të tjera. Akuza kryesore që i bëhej Grupit të të Rinjve, ishte se nuk pranuan direktivat e Kominternit, ndërsa Grupi i Korçës i kishte përqafuar dhe i kishte vënë në jetë. Këto ishin pallavra të kota. Në mbledhjen e 8 nëntorit, Koçit i është thënë se ishte zgjedhur Sekretar i Komitetit Qendror provizor dhe për arsye të konspiracionit të thellë, votimet aty ishin bërë pa emra, por vetëm me të dhënat e biografive. Kjo gjë nuk iu tha anëtarëve të Komitetit Qendror. Gjatë mbledhjes së aktivit të Partisë që u zhvillua nga data 12 deri më 14 prill 1942, në të cilën nuk merrte pjesë Koçi Xoxe pasi ishte në burg, pranë Miladinit qëndronte Enver Hoxha. Të gjithë pjesëmarrësit e asaj mbledhjeje që vinin nga rrethet, duke parë Enverin pranë Miladinit, e konsideruan atë si Sekretar të Komitetit Qendror të Partisë. Po si kishte ndodhur arrestimi i Koçit? Në atë kohë Enveri e këshilloi Koçin që të ndërtonte një barakë ku të ushtronte zanatin e tij si teneqexhi, në mënyrë që të zhdukte çdo dyshim nga policia dhe spiunët. Kur Koçi po e përfundonte barakën me ndihmën e Andon Deçkës, befasisht aty vijnë dy policë dhe e arrestojnë së bashku me Andonin. Pasi i arrestuan, ata të dy i dërguan direkt në burgun e vjetër të Tiranës. Në këtë mënyrë Enveri e hapi rrugën për të zënë vendin e Sekretarit të Komitetit Qendror provizor”.
Dëshmia e Keçit: Enveri i implikuar në vrasjen e Vojo Kushit
Një ndër akuzat e shumta të Hamit Keçit për Enver Hoxhën është edhe ajo për vrasjen e Vojo Kushit, Xhoxhi Martinit e Sadik Stavalecit, të cilët njihen ndryshe edhe si tre heronjtë e Kodrës së Kuqe. Lidhur me këtë, në kujtimet e tij Keçi ka shkruar: “Në tetorin e vitit 1942, pasi Sadik Stavaleci ishte kthyer nga sanatoriumi i Barit në Itali, Enveri e caktoi që të shkonte në Kosovë. Në mëngjesin e 7 tetorit ai u gjet i rrethuar në shtëpinë e Haxhi Farkës. Në mbrëmjen e 6 tetorit, në atë shtëpi ka shkuar edhe Enver Hoxha, gjë të cilën mua ma ka treguar vëllai im, Maliqi (Keçi), që kishte shkuar aty atë natë për të parë Xhoxhi Martinin, me të cilin kishte shumë shoqëri. Xhoxhi qëndronte në atë shtëpi pasi ishte plagosur në këmbë, gjatë një përpjekjeje me armë që kishin bërë me policinë Isuf Keçi, Mërkur Çela dhe Xhoxhi, në shtëpinë e Isuf Radës. Në mbrëmjen e 6 tetorit, një orë para se të mbyllej qarkullimi, në shtëpinë e Haxhi Farkës vjen Enver Hoxha dhe përzë prej aty Maliqin e një person tjetër të quajtur Muharrem Llanaj, i cili kishte ardhur aty nga çeta e Matit, ku ishte caktuar si i deleguar i KQ të PKSH-së. Enveri i përzuri ata të dy, duke u thënë se nuk duhej të strehoheshin shumë komunistë në një bazë, se mund të diktoheshin nga italianët, ashtu siç kishte ndodhur pesë muaj më parë me Qemal Stafën. Pasi i përzuri ata të dy nga ajo bazë, aty mbetën vetëm Vojo Kushi, Sadik Stavaleci dhe Xhoxhi Martini, të cilët ishin anëtarë të Grupit të të Rinjve të Tiranës. Pak minuta pas largimit të Enverit, Muharrem Llanaj u kthye përsëri aty në atë bazë, pasi ai nuk kishte se ku të shkonte. Siç dihet, ajo bazë u rrethua nga italianët dhe të katër shokët që ndodheshin aty, luftuan kundër tyre me armë në dorë. Siç dihet, Vojo, Xhoxhi dhe Sadiku luftuan deri në pikën e fundit të gjakut në një luftë të pabarabartë, duke u bërë simbol heroizmi për brezat që do vijnë. Kurse Muharremi u kap i gjallë dhe u burgos nga italianët në burgun e Tiranës, ku ai u prezantua jo me emrin e tij, por me një emër të rremë. (Më pas Muharremi doli nga burgu dhe pas çlirimit ai ka qëndruar në internim në fshatrat e Lushnjës deri në 1991, duke mos u përmendur asnjëherë si pjesëmarrës i betejës së Kodrës së Kuqe). Nuk ka asnjë dyshim se në rrethimin e shtëpisë së Haxhi Farkës ka qenë dora tradhtare e Enver Hoxhës, i cili synonte eleminimin e Sadik Stavalecit, pasi e shihte atë si një pretendent të mundshëm për vendin e Sekretarit të PKSH-së. Në këtë post Enveri u zgjodh në Konferencën e Parë të PKSH-së që u mbajt në Labinot nga data 17 deri më 22 mars 1943, ku u zgjodh dhe Komiteti Qendror definitiv, me Enverin Sekretar të Përgjithshëm. Është marrë vesh se në mbarim të punimeve të asaj mbledhjeje, nën kryesinë e Enver Hoxhës është mbajtur një mbledhje tjetër sekrete, ku janë dënuar me vdekje të gjithë anëtarët kryesorë të Grupit të të Rinjve. Zbatimi i atij vendimi filloi shumë shpejt mbas kësaj mbledhjeje. I pari u ekzekutua Anastas Lula dhe pas tij me radhë Neki Ymer Hoxha, Xhemil Çakërri, Sadik Premtja (u plagos dhe u arratis nga Shqipëria), Pali Terova, Sinan Gjoni, Fejzo Gjomema etj.”/Memorie.al