SHBA janë duke shtuar trysninë mbi qeverinë re të Kosovës për të eliminuar menjëherë taksën 100% mbi produktet e Serbisë dhe të Bosnje Hercegovinës. Për këtë qëllim, Ambasadori amerikan në Kosovë po i takon një për një, Kryeministrin Albin Kurti dhe ministrat e qeverisë së tij si dhe liderët e opozitës për të eliminuar menjëherë tarifat.
Në njoftimin që ka dhënë sot Ambasada amerikane në Kosovë, thuhet se:
“Ambasadori amerikan në Kosovë Kosnett i ka vazhduar edhe sot takimet me përfaqësuesit e Qeverisë së re, duke takuar Ministrin e Brendshëm Veliu.
Ai ka pasur takim me Kryeministrin, Kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani, Zv.Kryeministrat Hoti dhe Abazi dhe Ministrin e Jashtëm Konjufca dhe ka kërkuar takime edhe me ministrat e tjerë. Ai po ashtu po takohet edhe me liderët e opozitës.
Në të gjitha këto takime si dhe në takimin me Kryeministrin Kurti, Ambasadori Kosnett foli për rëndësinë e marrëdhënieve të SHBA-së me Kosovën, me një fokus në avancimin e qëllimeve tona të përbashkëta për të siguruar paqen, drejtësinë dhe prosperitetin dhe përfitimet ekonomike që vijnë menjëherë prej eliminimit të menjëhershëm të tarifave”.