BallinaKryesorePlani dyvjeçar i tërmetit, si shkatërrim final i institucionit të votës

Plani dyvjeçar i tërmetit, si shkatërrim final i institucionit të votës

Nga Ilir Nikolla

Pas të ashtuquajturës “konferencë donatorësh” për tërmetin, e cila përfundoi të ishte pjesërisht konferencë grantesh e në shumicën e vet një konferencë kredish, tamtamet e propagandës së qeverisë kanë mbërritur me shpejtësi në nivelin e farsës. Si në një film të njohur socrealist, agjitatorët kanë zbritur në terren (lexo në ekranet e paguara, si dhe në tribunat e konferencave të shtypit” për të shpallur planet dy e pesëvjeçare të qeverisë. Nuk është aspak cinizëm. Edi Rama e Taulant Balla po përdorin fiks një terminologji të tillë. Edi Rama shpalli aksionin e mbledhjes së aplikimeve, pasi kishte nevojë për një “plan dyvjeçar” të ndërtimit të banesave që u prishën nga tërmeti, por e dinte qysh tani se shqiptarët s’do të kandiseshin për të punuar, prandaj edhe do të vinin për të punuar punëtorë nga kontinente të tjera (as evropianë nuk na i sjell xhanëm). Por përpara këtij bishti propagandistik, radhën e pati Taulant Balla, i cili foli për një “ndikim shumëvjeçar” të këtyre fondeve në buxhetin e shtetit, ndërsa kasnecët e mediave, që si gjithmonë, ia kalojnë edhe ustait, kur është fjala për të shqiptuar marrëzi të paguara, gati sa s’përsëritën me të madhe se shqiptarët ishin shumë mosmirënjohës, pasi s’e kishin idenë se çfarë fati u kishte ardhur nga tërmeti dhe nga konferenca e donatorëve.
Si lum ne për tërmetin që patëm fat!
Nuk ka kurrfarë zmadhimi, përveç zmadhimit të toneve të propagandës. Tërmeti ishte i papritur, por ai shumë shpejt u inkuadrua në planet afatgjata që kishin zënë udhë më herët, bile njëra prej tyre, ajo për marrjen e punëtorëve nga jashtë dhe lehtësimin e dhënies së shtetësisë shqiptare për të huajt, paralelisht me largimin e shqiptarëve nga vendi, prej kohësh ishte shpallur se ishte në tavolinën e qeverisë.
Me tërmetin, Rama po i përshpejton punët, prandaj edhe mund të themi se tërmeti ishte njëfarësoj fati për axhendën e tij. Se ç’ndikim do të kenë kreditë e reja tek aveniri politik i Edi Ramës mbetet për t’u parë, por bathët duken se këto fonde do të jenë armiket e para të zgjedhjeve të lira. Ai dhe nënfishat e tij kanë formalizuar planet shumëvjeçare të shpenzimit të këtyre fondeve, ndërsa ministrja e drejtësisë nuk e ka për gjë të flasë për përkatësinë në një front, duke i vendosur gjithë joqeveritarët në frontin kundërshtar. Se si silleshin paraardhësit politikë të kryeministrit të sotëm me kundërshtarët e dimë, mjaft që të kujtojmë se ç’kuptim e ç’kujtim të tmerrshëm ruajnë shqiptarët për termin “triskë fronti”.
Duke ditur se në ekstazën e propagandës, ç’ka barku e nxjerr bardhaku, është krejt legjitim shqetësimi se urdia në qeveri i ka vënë vetes synim që të mos e lërë pushtetin, të paktën derisa t’i ketë dhënë drejtim edhe fondit-kismet që erdhi nga tërmeti. Harxhimi i këtyre fondeve kërkon pak kohë, prandaj edhe klithmat “mos u merrni me politikë, sa të përfundojmë rindërtimin”, janë faza e parë e një përkeqësimi të ri të standardeve të demokracisë (edhe ashtu hibride) në Shqipëri. Plani dyvjeçar a ndikimi shumëvjeçar i tërmetit në ekonomi janë alibia për një përkeqësim të ri të të drejtave civile në vend. Shpallja si i çmendur e studentit të mjekësisë që guxoi të replikonte me kryeministrin ndodhi drejtpërdrejt në transmetim televiziv. Merren me mend se ç’ndodh në hije, imagjnohet edhe më tej se si mund të jenë zgjedhjet e ardhshme apo zgjidhja e kontesteve zgjedhore në gjykatat e vëna poshtë “gijotinës” së vetingut.
Tërmeti i 26 nëntorit po tentohet të kthehet në një armë në duart e klikës, prandaj edhe para se të vajtojmë dështimin e negociatave për Reformën Zgjedhore, përqendrimi duhet të kthehet tek kthimi i klikës në vendin që i takon, në bankën e të akuzuarve, edhe si përgjegjëse për dëmet e tërmetit. Ithtarët e “planit dyvjeçar” po punojnë me fuqi të plotë, prandaj mirë është që mbrojtësit e standardeve të demokracisë tonë (paçka se hibride) të mos humbasin në lojën e kungulleshkës, a është më i rëndësishëm 2 marsi apo 15 marsi.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular