Mazhoranca dhe presidenca e vendit janë përplasur sërish në lidhje me ‘grushtin e shtetit’ që Rama dhe njerëzit e tij po bëjnë ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Sot ka qenë radha e Taulant Ballës, për të reaguar ndaj deklaratave të presidentit Ilir Meta.
Por menjëherë pas deklaratave të numrit 2 të PS-së ka ardhur edhe reagimi i presidencës, me anë të zëdhënësit Tedi Blushi
Balla e ka konsideruar sjelljen e Presidentit Ilir Meta ndaj ambasadorëve në Shqipëri, si më të rëndën nga gjithçkaje tjetër.
‘Presidenti Meta ka paralajmëruar se në 2 mars ekziston mundësia, nëse populli do t’ia kërkojë, që të shpërndajë parlamentin. A ndihet e rrezikuar mazhoranca dhe çfarë do të bëjë nëse Presidenti ndërmerr një akt të tillë?
E dini atë përrallën “Dhelpra dhe rrushtë”?! Kështu që përgjigjen e keni aty, lexojeni me shumë vëmendje dhe nuk jap asnjë koment dhe realisht ju them se do të hezitoja të bëja çdo koment rreth një Presidenti që tashmë ka humbur çdo llok sjelljeje kushtetuese dhe çdo lloj sjelljeje normale për të vijuar për të qënë më President i Republikës.
Por ndër gjithçka që ka artikuluar këto ditë ajo më rënda është një lloj sjellje aspak e pranueshme ndaj ambasadorëve të akredituar në Republikën e Shqipërisë’, tha Balla.
Por më pas reagoi edhe zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, duke i dhënë Taulant Ballës provat se kush po abuzon më shumë me besimin e ambasadorëve.
I dashur Tao Tao,
Ti je shumë i zënë me punët e Kongresit që po afron dhe s’ke patur kohë të lexosh deklaratat e shoqes Etilda dhe shoqes Spiropali, pas miratimit të ligjit anti-kushtetues të betimit të gjyqtarëve buzë Lanës, me pretendimin absurd se kanë marrë miratimin e SHBA/BE.
Ju po vazhdoni t’i keqpërdorni ambasadorët dhe të fshihni të vërtetën e grushtit të shtetit.
Si mund të thonë ambasadorët të shkelet Kushtetuta?! Ju e shkelni e thoni na thanë ambasadat!
Si mund të thonë ambasadorët që të vidhet anëtari i Gjykatës Kushtetuese?! Ju e vidhni dhe thoni na thanë ambasadorët!
Si mund të thonë ambasadorët falsifikoni në dobi të kapjes së shtetit, siç u kap në flagrancë shoqja Etilda?! Ju i falsifikoni dhe thoni na thanë ambasadorët!
Presidenti Meta i ka respektuar dhe i respekton denjësisht të gjithë ambasadorët që kanë integritet dhe përfaqësojnë me dinjitet vendet dhe organizatat e tyre, si dhe vlerat e liritë demokratike.
Presidenti Meta në veprimet e tij institucionale kurrë nuk keqpërdor asnjë ambasador dhe diplomat të huaj, por i referohet vetëm Kushtetutës, si ligjit më suprem në Republikën e Shqipërisë. Ndryshimet e fundit kushtetuese janë miratuar me 140 vota sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe mbështetjen e SHBA/BE.
Ja provat e fundit si i shpërdoroni ju me pacipësi partnerët tanë të nderuar.