Policia ka zbardhur dinamikën e krimit të dyfishtë ku mbetën të vrarë vëlla e motër në Kodër Rrëshen të Mirditës.
Nga veprimet hetimore rezulton se Gledison dhe Esmeralda Filopati janë vrarë me breshëri automatiku dhe nga plagët e marra, kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Esmeralda Filopati punonte shitëse te një market në qytetin e Rrëshenit, ndërsa mbrëmjen e së martës, i vëllai kishte shkuar ta merrte te puna dhe teksa po ktheheshin në shtëpi janë qëlluar për vdekje.
Pas ngjarjes kanë dalë jashtë për të parë atë që kishte ndodhur, ndërsa familjarët i kanë dërguar te të afërmit, duke i larguar nga shtëpia, me qëllim largimin e vëmendjes së tyre nga ajo çfarë ka ndodhur.
ARRATISJA
Menjëherë pas ngjarjes, duke përfituar edhe nga errësira dhe terreni malor, autori është larguar bashkë me armën e krimit, ndërsa dyshimet janë se ai qëndron i fshehur në mal. Që prej momentit të ngjarjes, Policia vijon kontrollet në zonë për kapjen e autorit, ndërsa kërkon edhe ndihmën e qytetarëve duke vendosur 5 milionë lekë shpërblim për cilindo që jep informacion të saktë për vendndodhjen e 47-vjeçarit.
FAMILJA HAP DYERT E MORTIT
Familja Filopati në Kodër Rrëshen të Mirditës ka hapur dyert për t’ju dhënë lamtumirën e fundit motër dhe vëllait që u vranë nga 47- vjeçari Fatmir Kolecaj. Krimi i rëndë ka tronditur të afërmit e viktimave, të cilët thonë se që prej vitit 2017 kur u arrestuar nga Policia, Esmerelda Filopati nuk ka pasur kontakte me ish-bashkëshortin e saj. Të afërmit kanë bërë të ditur se nuk ka pasur asnjë debat mes tyre përpara ngjarjes dhe se autori i ka qëlluar sapo i janë afruar banesës së tyre.
“Unë jam e afërme e viktimave. Jemi shumë të shokuar nga ngjarja e rëndë që ka ndodhur. Esmeralda ka qenë e ndarë nga bashkëshorti prej 3 vitesh, pasi e dhunonte. Që prej asaj kohë, nuk ka pasur asnjë kontakt me të dhe qëndronte te shtëpia e prindërve të saj, së bashku me fëmijët. Para ngjarjes nuk ka pasur asnjë debat mes autorit dhe viktimave. Ai i ka qëlluar teksa po hynin në shtëpi dhe është larguar”, thotë një e afërme e viktimave. ELVIS HILA/PANORAMA