Nga Albert Avduli
Mësuesit !
Nuk gjej urim të plotë për çfarë na kanë dhënë ata. Nuk mjafton . . .
Mësuesit tanë, liberalët, demokratët e parë, që kam takuar në jetën time.
Po, demokratët i kam takuar herët. Isha 6 vjeçar atëhere dhe nisa klasën e parë.
Unë (mijëra si unë), vija nga familje të padashura nga regjimi komunist.
Ndër mësuesët e mi, kishte dhe komunist.
Arsye e tyre, fatmirësisht, nuk ishte errësuar nga dogma e egër.
Përgjigjesha për vlerësim maksimal, kurrë nuk ma ndan 10- tën nga rregjistri.
Sigurisht nuk më caktonin detyra luftarake si kujdestar klase, komandant çete e roje nderi në lapidar, por më vinin shef grupi në përfaqësimin e shkollës ndër konkurse e olimpiada. ( Pa një çik ” shef” nuk rri dot unë)
Ata, mësuesit e 8 vjeçares time, ishin idhujt e mi, demokratët e parë, që kam takuar.
Me të njëjtën dashuri i dua ende sot.
Mësuesit e 8 vjeçares, Xhezmije, Iljaz, Flamur, Teki, Haki, Violeta, Nasibe, Hajri, Hateme, Gëzim, Kristaq, Vasil, Pëllumb, Dhimitraq, Shpëtim, Sulejman, Flora.
Ndër ata, që ndikuan në formimin tim, veçoj xhaxhain Besnikun, i cili, hiqte bukën për t’më blerë libra e ai dinte të zgjidhte ata libra, që ende i citoj sot.
Në parajsë, qofshin ata, që kanë ikur në një botë më të mirë.
Në shkollën e mesme, biografia më ndiqte me shkresa e relacione mbrapa.
Asnjë ndikim në rregjistrin e shkollës. Katër vite u shoqëruan me mesatare 10- të.
Për ta ilustruar, po kujtoj emrin e mësuesit të Historisë së Partisë dhe në vitet e larta të lëndës “Marksizëm”.
Quhej F. B, ishte sekretar i organizatës së partisë në një nga shkollat e mëdha të Fierit. I ngarkuar gjithashtu me çështjet e rinisë. Sa herë bëheshin zgjedhjet për sekretar rinie dhe komitetin e saj, për mos t’më cënuar, gjente një shkak e më dërgonte në një punë të papunë.
Ama, 4 vite nuk ngurroj të vendoste 10, bri emrit tim.
Mendoj se e dinte, që unë nuk do të lejohesha të ulesha në auditore universitare, por nga dora, shpirti dhe vlerësimi i tij nuk pengohesha.
Kur shkruaj për të kështu, emrat e tjerë duhet t’i mbush me njëmijë lëvdata.
Presori i letërsisë dhe përgjegjësi i bibliotekës së shkollës, Andrea Çuko, i cili na nxiste e rekomandonte orë mbas ore letërsinë e mirë për lexim.
Mësuesi im i gjuhës, i nderuari Vasil Prifti, ky linguist i heshtur.
Mësuesët e matematikës Mahmut B. dhe Elveti Z. E mbëla mësuese kujdestare dhe e fizikës Pranvera B.
Antikonformisti Thoma Miço, i palodhuri Abedin Ç, i rrepti Teodor D, e qeshura Polikseni J.
Po aq të rinj mbeten në kujtesën time presor Gori, Llukani, Pilo, Llukani, Vasili tjetër, presore Drita e Fjorentina, Pandi, Agroni etjer.
Disa prej tyre, sot nuk jetojnë, por krahas trashgimtarëve të tyre, kujtohen dhe nga mijëra nxënës, që ata u përcollën dijet, por dhe diçka nga shpirti tyre.
Sa të mirë ishin, po ju tregoj rastin tim me presor Thoma Miçon.
Në gusht te komiteti ekzekutiv dilnin listat e atyre, që do të shkonin në universitet.
5 vite rresht, para atyre listave, gjeja presor Thomain.
Ç’emër po kërkon presor ? – e pyeta.
Emrin tënd kërkoj – tha – dhe sytë ju mbushën me lot.
Mësuesit tanë idealistë.
Demokratët e parë, që kam takuar.