BallinaAktualitetBIRN: Testet e poligrafit për kandidatët e Byrosë së Hetimit mbahen ende...

BIRN: Testet e poligrafit për kandidatët e Byrosë së Hetimit mbahen ende sekret

Më 27 shkurt, drejtori i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, Arben Kraja deklaroi se në garën për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit ishin kualifikuar katër kandidatë.

Procesi i përzgjedhjes është tashmë drejt fundit mes kandidatëve Aida Veizaj, Artur Beu, Ervin Hodaj dhe Idajet Faskaj.

Katër kandidatët u përzgjodhën pas një sërë testimesh, si ai fizik, testi me shkrim, testi i poligrafit –i njohur ndryshe si makina e së vërtetës dhe intervistat indviduale. Por ndërsa testi i poligrafit u konsiderua si risi për integritetin e figurës së kandidatëve të përzgjedhur, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se përgjigjet qëndrojnë ende të mbyllura në zarf.

Një fakt i tillë u konfirmua për BIRN edhe nga drejtori i SPAK, Arben Kraja, i cili tha në një përgjigje me shkrim se Komisioni i Përzgjedhjes së kandidatëve për drejtorin e Byrosë nuk është njohur ende me rezultatet e poligrafit.

“Komisioni i Përzgjedhjes akoma nuk ka hapur përgjigjet e sekretuara, ku ndodhen raportet e testit të poligrafit për asnjë nga kandidatët që i janë nënshtruar testit të poligrafit,” tha Kraja për BIRN.

Kraja sqaroi se rezultatet e testit të poligrafit për kandidatët e skualifikuar konsiderohen sekret dhe nuk do të hapen nga Komisioni i Përzgjedhjes. Përgjigjet e testit të poligrafit nuk janë hapur ende as për katër kandidatët e kualifikuar, ndërsa Kraja sqaroi se ato do t’i vihen fillimisht në dispozicion Komisionit Ad Hoc të krijuar për kryerjen e vetingut për këta kandidatë dhe më pas Komisionit të Përzgjedhjes.

“Në përfundim të procesit të vetingut, rezultatet e testit të poligrafit do të vlerësohen nga Komisioni i Përzgjedhjes, së bashku me të dhënat e tjera të dala nga procesi i vetingut,” tha Kraja.

Neni 34, pika 2/gj e ligjit nr.95/2016 parashikon që rezultatet e testit të poligrafit duhet të merren në konsideratë gjatë procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për drejtorin e BKH, kriter i cili është anashkaluar në seleksionimin e kryer deri më tani.

Komisioni i Përzgjedhjes, i ngritur për të zgjedhur drejtorin e BKH-së përbëhet nga drejtuesi i SPAK, Arben Kraja dhe dy prokurorët Behar Dibra dhe Ened Nakuçi. Ndërsa Komisioni Ad Hoc, që do të kryejë verifikimin e kushteve të sigurisë dhe figurës para caktimit në detyrë të drejtorit të BKH përbëhet nga gjyqtari Dhimitër Lara dhe dy prokurorët e SPAK, Altin Dumani e Edvin Kondili.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular